Ndërlidhjet

Rifillon instalimi i kamerave në veri


Pamje nga djegia e pikës kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.
Pamje nga djegia e pikës kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.

Pikat kufitare në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mos të kontrollohen nga Shërbimi Doganor i Kosovës, kështu që edhe kontrabanda e mallit në këtë pjesë vazhdon të jetë shumë e madhe. Më qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, Policia e Kosovës, në bashkëpunim më Policinë e UNMIK-ut, ditën e shtunë do të fillojnë instalimin e disa kamerave.


Pikat kufitare në veri të Kosovës vazhdojnë të mos mbikëqyren nga Shërbimi Doganor i Kosovës, edhe tetë muaj pas shpalljes se pavarësisë. Për këtë shkak, pjesa veriore e Mitrovicës ka mbetur terren i përshtatshëm për kontrabandë të mallit, thonë zyrtarë të Shërbimit Doganor dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Shërbimin Doganor të Kosovës, thotë se në atë pjesë të Kosovës zhvillohet kontrabanda e mallit e veçanërisht e derivateve të naftës.

“Gjendja në pjesën veriore, aty ku dogana nuk i kontrollon ato dy pika, është mjaft e vështirë. Do të thotë, kemi tentime të kontrabandës së naftës dhe gjërave të tjera, të cilat i hasim për çdo ditë, dhe njësitë i raportojnë çdo ditë këto parregullsi që ndodhin. Por, prapëseprapë, gjendja është mjaft e rëndë”, pohon Stavileci.

Më qëllim të parandalimit të kontrabandës, Shërbimi Policor i Kosovës, në bashkëpunim më Policinë e UNMIK-ut, në fund të kësaj jave do të fillojë instalimin e kamerave. Kështu thotë Veton Elshani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, duke shtuar se roli i këtyre kamerave është verifikimi dhe shikimi i automjeteve dhe personave që kalojnë në pikat kufitare.

“Nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket vendosjes së Shërbimit Doganor atje, ndërsa në pikën kufitare numër 31, apo në Zubin Potok, janë të vendosura disa kamera nga ana e policisë. Vendosja e kamerave të njëjta do të vazhdojë edhe në Leposaviq, nga data 18 e këtij muaj. Ndërsa, vetë mungesa e shërbimit doganor në këto dy pika, po na krijon mjaft probleme për kontrabandë në rajonin e Mitrovicës”, tha Elshani.

Ai bën të ditur se për të luftuar kontrabandën në gjithë rajonin e Mitrovicës, Policia e Kosovës tashmë ka formuar edhe një grup punues.

“Kjo do të thotë se çfarëdo lloj kontrabande që zhvillohet në rajonin e Mitrovicës, do të shikohet, do të kontrollohet, do të luftohet nga anë e këtij grupi punues, apo në fakt ai do të menaxhojë edhe luftimin e kësaj dukurie”, theksoi Elshani.

Por, njohës të çështjeve ekonomike pohojnë se autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë më këmbëngulës në kthimin e funksionalitetit të pikave kufitare në veri të Mitrovicës. Eksperti Shpend Ahmeti pohon se tashmë janë krijuar kushtet që pikat kufitare të kthehen në menaxhim të Shërbimit Doganor.

“Natyrisht, tashmë ka kaluar një kohë prej trazirave... Mendoj se kjo kontrabandë nuk duhet të lejohet, sepse po shkakton humbje. Prandaj, sa më shpjet që të vendosen këto, do të jetë më mirë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë“, thotë ai.

Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, mbi një milion euro në muaj janë humbjet e buxhetit nga kontrabanda e mallit që po zhvillohet në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG