Ndërlidhjet

Kosova pret anëtarësim në FMN më 2009


Ndërtesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Ndërtesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Autoritetet kosovare shprehin bindjen se Kosova do të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore në pranverën e vitit 2009. Pas kthimit të tyre nga Uashingtoni, ku kishin zhvilluar takime me përfaqësues të këtyre mekanizmave ekonomikë, zyrtarët e Kosovës janë optimistë për procesin e anëtarësimit në këto institucione.


Në pranverë të vitit të ardhshëm, Kosova do të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Kështu ka thënë në një konferencë me gazetarë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pas kthimit nga vizita në Uashington, ku, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin, për herë të parë kanë marrë pjesë në punimet e konferencës vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në rolin e vëzhguesit.

Duke e vlerësuar si historike pjesëmarrjen në këtë konferencë, Shala ka thënë se vizita në Uashington është shfrytëzuar për të përshpejtuar çështjen e anëtarësimit në këto institucione.

Ai tha se procesi i anëtarësimit është duke ecur sipas planit dhe deri në fund të muajit nëntor, një komitet i anëtarësimit i FMN-së do të paraqesë edhe kuotën e aksioneve të Kosovës në përputhje me të dhënat e bruto prodhimit vendor.

Vendimi i atij komiteti, thotë Shala, do t’i paraqitet Qeverisë së Kosovës dhe më pas Parlamentit për miratim.

“Ne, si qeveri dhe institucione të Kosovës, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që anëtarësimi në FMN të ecë sipas planit. Besojmë se Kosova do të jetë anëtare e plotë e këtyre dy institucioneve në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës do t’i kalojnë të gjitha procedurat në fund të këtij viti, ashtu siç kemi planifikuar”, thotë ministri Shala.

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar sjell edhe obligime për shlyerjen e borxheve të Kosovës ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare.

Por, ministri Shala tha se tashmë janë zotuar për shlyerjen e të gjitha obligimeve ndaj institucioneve të huaja, por, për këtë, sipas tij, ka filluar edhe ndihma ndërkombëtare.

“Donatorët e fuqishëm botërorë, të cilët shprehin fuqinë botërore politike dhe ekonomike, kanë filluar të derdhin mjetet e tyre. SHBA-të tashme kanë derdhur 125 milionë dollarë në Bankën Botërore, për të shlyer obligimet financiare të Kosovës që ka ndaj Bankës Botërore, dhe pritet që edhe Komisioni Evropian dhe shtetet individuale të Bashkësisë Evropiane t’i bashkëngjiten kësaj iniciative. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë të caktuar, 55 milionë euro, që janë në Bankën Qendrore të Kosovës”, tha Shala.

Hashim Rexhepi, guvernator i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, ndërkaq, tha se anëtarësimi në FMN dhe në Bankën Botërore do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Anëtarësimi i Kosovës në këto institucione rrit besueshmërinë për të gjithë investitorët potencialë dhe te bankat komerciale për të investuar në Kosovë. Pesha dhe rëndësia e anëtarësimit është e shumëfishtë, prandaj edhe presim që kjo do të ndodhë shpejt, në mënyrë që të hapen mundësi për zhvillimin ekonomik dhe të realizohen objektivat që i ka përcaktuar Qeveria e Kosovës”, tha Rexhepi.

Ndryshe, kuota e aksioneve të Kosovës në FMN do të caktohet gjatë këtij viti dhe pritet të jetë afërsisht sikurse e vendeve të rajonit, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kosova, më 10 korrik, vetëm një ditë para mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, ka aplikuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
XS
SM
MD
LG