Ndërlidhjet

Mosrespektim i ligjit apo fushatë kundër klinikave private?


Mbyllja e disa klinikave private, të cilat punonin pa licencë, duke ushtruar veprimtari në kundërshtim me Ligjin për funksionimin e institucioneve private të shëndetësisë në Kosovë, ka vënë në pah mungesën e madhe të kontrollit të institucioneve përgjegjëse në sferën e shëndetësisë.

Punonjësi i Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës, Ilir Tolaj, thotë se sistemi privat shëndetësor në Kosovë gjendet në kaos dhe shëndetësia, këtë vit, shton ai, gjendet në nivelin më të ultë që nga pas-lufta. Sipas tij, e tërë kjo është pasojë e mosmenaxhimit të duhur të këtij sistemi nga institucionet qeveritare.

“Faji kryesor për një gjendje të tillë çfarë e kemi në sistemin shëndetësor në tërësi, e në veçanti në sektorin privat, bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, bie në qeverinë si tërësi, meqenëse asnjëherë nuk është parë e arsyeshme që të caktohet një prioritet për shëndetësinë, për problemet e akumuluara në shëndetësi, si në sektorin publik dhe në atë privat”, thotë Tolaj.

Edhe Habib Jakupi, kryetar i Asociacionit të mjekëve dhe stomatologëve privatë të Kosovës, pajtohet se gjendja në institucionet private shëndetësore është shumë e vështirë. Por, ai thotë se për shkak të mbylljes së disa ordinancave private, nuk duhet të njolloset i tërë sistemi dhe njëherësh të prishet imazhi i të gjitha klinikave dhe personelit mjekësor.

Jakupi thekson se institucionet private gjithsesi duhet të zbatojnë infrastrukturën ligjore, por edhe institucionet qeveritare nuk duhet të marrin fushata kundër këtij sistemi.

“Në mënyrë absolute jemi kundër fushatave, ku nuk respektohet ligji dhe në emër të një gabimi apo skandali, njolloset çdo emër i mjekut, njolloset manteli i bardhë, njolloset profesioni i mjekut”, thotë Jakupi.

Ish-sekretari i përgjitshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, për situatën e fundit të krijuar në shëndetësi, thotë se për të mos u vërejtur dështimet e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo e fundit po tenton të gjejë fajtorë. E në këtë rast, shton ai, është evidentuar sektori privat.

“Duke mos anashkaluar dhe duke mos përkrahur veprimet e kundërligjshme, por gjithashtu duke pasur një kujdes të veçantë në ruajtjen e identitetit të punëtorëve shëndetësorë, meqenëse ato pamje të burgosjeve të profesionistëve shëndetësorë janë jashtëzakonsiht të tmerrshme. Tek e fundit, do të ketë edhe një efekt negativ edhe në imazhin e kësaj qeverie, e cila në këtë mënyrë po shprehet në mungesë të sensit, se si duhet t’u qasemi edhe problemeve kur eventualisht shkelet ligji”, thotë Tolaj.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen për situatën e krijuar në sistemin privat shëndetësor. Ndërkaq, për shkak të parregullsive që po ndodhin në këtë sistem, policia e Kosovës, deri më tash, ka mbyllur tri klinika private dhe ka arrestuar gjithsejtë 13 persona për veprimtari të paligjshme.
XS
SM
MD
LG