Ndërlidhjet

Bugajski: Plani gjashtëpikësh - 'bosnizim' i Kosovës


Janusz Bugajski
Janusz Bugajski

Plani gjashtëpikësh i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëse zbatohet, rrezikon me ndarjen e Kosovës, ka thënë analisti Janusz Bugajski. Ai u ka sugjeruar kosovarëve të shtrijnë ndikim më të madh tek administrata e re amerikane për rrezikun mbi tërësinë e Kosovës.

Dyfishimi i autoriteteve në Kosovë mund ta rrezikojë tërësinë territoriale të saj, ka thënë analisti Janusz Bugajski. Ai tha se plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për Kosovën, mund të përfundojë me ‘bosnizimin’ e Kosovës, që caku i fundit mund të jetë ndarja e saj.

Këto komente, Bugajski i ka bërë gjatë një konference të organizuar në Prishtinë nga partia opozitare, Aleanca Kosova e Re. Bugajski tha se plani gjashtëpikësh, pashmangshëm mund të çojë drejt ndarjes së veriut të Kosovës dhe mbështeti qëndrimin e Prishtinës zyrtare në kundërshtimin e këtij plani.

“Dyfishimi i autoriteteve ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, sipas të cilit, serbët në veri do të kishin nën kontroll policinë, gjykatat, doganat e çështje të tjera, çon kah një bosnizim i Kosovës”, tha Bugajski.

Sipas tij, një skenar si plani gjashtëpikësh është shqetësues dhe vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta shmangë ndarjen e Bosnjës, kurse, në anën tjetër, provon ta krijojë edhe një problem të ngjashëm në Kosovë.

“Mendoj se është e mundshme që me këtë plan të krijohet situata me autoritete të dyfishta, në të cilin Serbia inkurajon minoritetin serb drejt ndarjes apo krijimit të dy entiteteve në Kosovë”, thotë Bugajski.

Duke e kundërshtuar këtë plan, nënvizoi Bugajski, Kosova më në fund do të dëshmojë se është subjekt i pavarur dhe jo vetëm objekt i politikave ndërkombëtare ndaj saj.

Bugajski u ka sugjeruar kosovarëve që të shtrijnë një ndikim më të madh tek administrata e re amerikane e presidentit Barack Obama, në mënyrë që të kuptohet seriozisht rreziku që i kanoset tërësisë së Kosovës nga plani gjashtëpikësh i Ban Ki Moonit, i akceptuar edhe nga Beogradi si dhe një pjesë e madhe e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se autoritetet e Kosovës nuk kanë pse ta diskutojnë më planin gjashtëpikësh. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet procesit, vijoi Kuçi, është që bashkësia ndërkombëtare ta heqë në tërësi këtë plan dhe të diskutojë me Kosovën vetëm shtrirjen e EULEX-it, mbi bazën e planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Procesi ka shkuar në rrugën jo të drejtë. Është arritur një marrëveshje me Beogradin, e pastaj ëshët tentuar që ajo marrëveshje, në një ose mënyrë tjetër, të shitet në Prishtinë dhe mendoj se ka qenë një qasje e gabuar. Në proces për Kosovën mund të ketë një marrëveshje të zbatueshme në Kosovë vetëm kur të japë pëlqimin Kosova, institucionet dhe qytetarët e saj”.

“Kosova është shtet sovran e i pavarur, kurse marrëveshjet që bëhen në Serbi nuk janë të obligueshme për ne; këtë e dinë edhe Serbia, edhe bashkësia ndërkombëtare. E dyta, ka qenë gabimi në përmbajtje. Përmbajtja e dokumentit gjashtëpikësh nuk e ka garantuar respektimin e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehu bindjen e tij se kundërshtimi i planit gjashtëpikësh nuk do të nxisë konfrontimin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Me fjalimin e tij kundër këtij plani është prezantuar edhe nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi.

Ai tha se presionet eventuale ndërkombëtare nuk duhet të ndikojnë që Prishtina të pranojë një plan që shkon në dëm të integritetit të saj.

“Plani gjashtëpiksh është i papranueshëm si në formë, ashtu edhe në përmbajtjen e tij. Si i tillë, nëse implementohet, e abrogon Kushtetutën e Kosovës, rrezikon seriozisht kthimin në pikën fillestare të çështjes tashmë të zgjidhur të Kosovës, bie ndesh tërësisht me realitetin institucional dhe rendin legal të krijuar në Kosovë, e ndryshon esencialisht dokumentin e Ahtisaarit, kurse u hap rrugë të gjitha skenareve të dëmshme, për mënjanimin e të cilave është investuar shumë nga bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës
”, tha Gashi.

I gjithë debati rreth planit gjashtëpikësh ishte fokusuar kryesisht në rreziqet që paraqet për Kosovën në rast të pranimit të tij. Diskutuesit thanë se ky plan paraqet një kthim prapa krahasuar me planin e Ahtisaarit dhe procesin e koordinuar të shpalljes dhe njohjes së Kosovës së pavarur.
XS
SM
MD
LG