Ndërlidhjet

Neutraliteti i EULEX-it mban gjendjen ekzistuese në veri


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Neutraliteti i EULEX-it karshi statusit apo zbatimi i planit 6-pikësh, çon kah mbajtja e status quo-s në veri të Kosovës dhe në ngrirje të problemit, thonë zyrtarët në Prishtinë.


Mbajtja e gjendjes aktuale në veriun e Kosovës nuk zgjidh problemet, por vetëm sa i thellon ato, thonë përfaqësues kosovarë në lidhje me idetë që EULEX-i të mos e zbatojë Kushtetutën dhe pakon e Ahtisaarit në vendbanimet me popullatë serbe, sidomos në pjesën veriore.

Një zgjidhje e tillë vetëm sa do ta thellojë pozicionin e një konflikti të ngrirë të veriut të Kosovës, thonë zyrtarët në Prishtinë.

Ndërsa në Qeverinë e Kosovës besohet se Kombet e Bashkuara dhe BE-ja nuk do të vendosin mision me mandat që nuk përkon me Kushtetutën, përfaqësuesit opozitarë tërheqin vërejtjen se procesi mund të përfundojë edhe me vendime që nuk përkojnë me bazën ligjore të Kosovës.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në Kosovë nuk do të mund të zbatohen misione që nuk bazohen në Kushtetutën e saj.

“Unë mendoj që nuk mund të implementohet në Kosovë diçka që është në kundërshtim me atë, do ta thosha me vullnetin e qytetarëve dhe aktet juridike. Edhe EULEX-i e ka mandatin e mbikëqyrjes dhe nuk mund të krijojë mandat të ri”, thekson Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaron gjithashtu se pretendimet e Beogradit që të krijojë paqartësi në lidhje me misionin e EULEX-it për të hapur pastaj bisedime vetëm për pjesë të caktuara të Kosovës, siç është veriu, nuk do të kenë sukses.

Ai thotë se bisedimet për Kosovën, statusin e saj, apo edhe çështjet tjera janë përmbyllur me procesin e Vjenës, që rezultoi me dokumentin e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

“Bisedime për tërësinë territoriale të Kosovës, për statusin e Kosovës, për pavarësinë e sovranitetit, nuk do të ketë dhe nuk ka. Ato kanë përfunduar në çdo mënyrë dhe në çdo formë. Mund të ketë bisedime për bashkëpunim rajonal, për çështje me interes të përbashkët të të dyja vendeve dhe dy popujve. Logjika e këtyre bisedimeve ka përfunduar dhe mendoj se çdo njeri racional e di këtë çështje”, theksoi Kuçi.

Në anën tjetër, opozita nuk e fsheh edhe zhgënjimin e vet me proceset aktuale. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se rreziku i ngrirjes së veriut mbetet në tavolinë dhe duhet kuptuar se Kosova ka një problem serioz me gjashtë pikat e Ban Ki Moonit.

“Pavarësisht se tash jemi shtet dhe mund ta konsiderojmë veten si shtet të njohur ndërkombëtarisht, ne nuk e kemi forcën që t’u kundërvihemi në mënyrë efektive dhe t’i heqim gjashtë pikat nga tavolina e bisedimeve. Prandaj, edhe ekziston rreziku që Kosova të jetë një problem permanent i rajonit”, vlerëson Arifi.

Duke u ndërlidhur me ndikimin e gjashtë pikave në veriun e Kosovës, Arifi thotë se qeveria duhet të marrë primatin në problemet e brendshme, pasi që ai vëren se procesi po kthehet prapa, krahasuar me kohën e shpalljes së pavarësisë.

“Të gjitha proceset jetike që kanë ndodhur në Kosovë këto nëntë muajt e fundit, është keq të thuhet, por pronësinë e procesit nuk e kemi pasur ne. Duhet të ketë plane, duhet të ketë kreativitet më të madh, duhet të punohet shumë më shumë, sesa që është menduar të kërkohet”, thotë Arifi.

Ndërkohë, nënkryetari dhe deputeti i LDD-së, Adem Salihaj, thotë se trajtimi i veriut të Kosovës si një çështje e ngrirë, do të hapte shumë probleme në Kosovë e përreth.

“Sado që ne në vazhdimësi kemi bërë koncesione për serbët, megjithatë ata nuk janë ndarë të kënaqur dhe kanë dalë me kërkesa edhe më të mëdha, më ekstreme, të cilat nuk janë të pranueshme, sepse cenojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, dhe në këtë mënyrë nuk po zgjidhet problemi”, tha Salihaj.

Adem Salihaj tërheq vërejtjen se shtrirja e EULEX-it pa përfillur Kushtetutën e Kosovës nuk do ta kishte as përkrahjen e Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se si deputet nuk do të mund të miratonte shtrirjen e këtij misioni, nëse ai nuk e përfill Kushtetutën.

“Mendoj se unë, si deputet, nuk kam mandat që të marr një vendim që s’do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe natyrisht që asnjë deputet nuk do të duhej ta pranonte një gjë të tillë dhe mendoj se nuk do ta pranojnë. Ne jemi deputetë, përfaqësues të popullit të Kosovës, të qytetarëve të saj, dhe jemi të obliguar ta respektojmë atë vullnet”, vijoi Salihaj.

Sidoqoftë, integrimi i veriut të Kosovës konsiderohet se mbetet një proces më i gjatë. Por, ajo që, sipas zyrtarëve në Prishtinë, nuk do të ndihmonte këtë integrim, por do të çonte kah ngrirja dhe ruajtja e status quo-s, do të ishte neutraliteti i EULEX-it karshi statusit apo zbatimi i gjashtë pikave të Ban Ki Moonit.

XS
SM
MD
LG