Ndërlidhjet

Liderët thonë se Prishtina nuk u anashkalua në KS


Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu
Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu

Udhëheqësit kosovarë u dhanë mbështetje konkluzioneve të fundit të Këshillit të Sigurimit, duke vlerësuar se kërkesat e Prishtinës nuk janë injoruar, por janë marrë parasysh.





Misioni i EULEX-it nuk mund të ketë mandat tjetër përveç atij që e parasheh pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës, thonë liderët politikë në Prishtinë.

Këto komente, udhëheqësit kosovarë i kanë bërë pas takimeve që zhvilluan me liderin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

Për dallim nga opozita, e cila i kishte vlerësuar si kthim prapa zhvillimet e fundit rreth Kosovës në Këshillin e Sigurimit dhe kishin shprehur shqetësimet për fillimin e një procesi të ndarjes së brendshme të Kosovës, udhëheqësit e institucioneve vlerësuan se deklarata e miratuar dhe vendimi për shtrirjen e EULEX-it, ishte e balansuar dhe nuk ka anashkaluar kërkesat e kosovarëve.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se EULEX-i nuk do të jetë neutral dhe do ta respektojë pakon e Ahtisaarit, pavarësisht se në Këshillin e Sigurimit kjo nuk është përmendur.

“Ne insistojmë që EULEX-i të ketë shtrirje të menjëhershme. Natyrisht që s’mund të bëhet për një minutë, por shumë shpejt në gjithë territorin e Kosovës, dhe s’mund të ketë mandat tjetër EULEX-i”.

“S’mund të jenë dy EULEX-a apo dy formula të EULEX-it dhe s’mund të jenë dy mandate ndërkombëtare në Kosovë, një për shqiptarët e një për serbët. Pajtimi ynë i plotë në të gjitha bisedimet që kemi pasur dhe qëndrim i shprehur unanim, është se ne EULEX-in e pranojmë në tërësi dhe në këtë mandat që ka”,
tha Sejdiu.

Ndërkohë, Edi Rama u ka dhënë mbështetje udhëheqësve kosovarë në kundërshtimin e tyre për gjashtë pikat e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Ai tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe kjo nuk do të lejohet nga lidershipi i Prishtinës.

“Kosova nuk u pavarësua për t’u ndarë, por për t’u bashkuar në familjen evropiane, ku aspirojmë të gjendemi së bashku, pa kufi, të gjithë ne, shqiptarë e shqiptare që sot jetojmë në territore të ndryshme”, deklaroi Edi Rama.

Një vlerësim pozitiv për rezultatet e takimit të fundit të Këshillit të Sigurimit ka prezantuar edhe kryeministri Hashim Thaçi. Sipas tij, Kosova nuk është injoruar dhe plani gjashtëpikësh nuk do të zbatohet në Kosovë. Thaçi tha se pret që EULEX-i të shtrihet me kohë edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Unë do të jem mbështetësi kryesor i EULEX-it si kryeministër i Kosvës, por edhe kritiku më i madh ndaj çdo mosveprimi të tij. Por, jam optimist se do të kemi veprim konkret dhe do të ndryshojmë rrethanat edhe në veri, që atje të mos ketë struktura paralele, ilegjitime e paralele, dhe që njerëzit të fillojnë të kthehen në pronat, në shtëpitë e tyre”, theksoi Thaçi.

Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se deklarata e Këshillit të Sigurimit ishte e balansuar dhe mori parasysh kërkesat e Kosovës. Përndryshe, Krasniqi tha se ndryshimi i dokumenteve aktuale do të mund të çonte procesin edhe kah idetë që shqiptarët të kërkonin më pas bashkimin e tyre në një shtet.

“Ndoshta, nëse dikush tenton të ndryshojë deklaratën e Grupit të Kontaktit, sidomos tri parimet e saj, ndoshta edhe shqiptarët duhet të mendojnë edhe në atë aspekt, është e drejtë e tyre”, tha Krasniqi.

Ndryshe, sot, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, ambasadorët e katër vendeve nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia, i kanë dorëzuar deklaratën e BE-së, me të cilën mbështeten konkluzionet e fundit të KS të OKB-së.

Ambasadorja franceze, Delfine Borone, tha se kjo deklaratë është miratuar nga 27 vendet anëtare.

“Deklarata mirëpret konkluzionet e Këshillit të Sigurimit dhe parasheh vendosjen e EULEX-it shumë shpejt”, tha Borone.

Ndërkaq, ambasadori britanik, Andrew Sparks, tha se e mbështet përkushtimin që EULEX-i të shtrihet në gjithë Kosovën dhe kjo do të ndodhë.

“Për ne është me rëndësi që plani katërpikësh i Prishtinës e thotë qartë se mirëpret shtrirjen e EULEX-it në gjithë vendin”, tha Sparks.

Përfundimet e Këshillit të Sigurimit janë nënkuptuar tashmë nga BE-ja si sinjal i qartë se EULEX-i mund ta fillojë shtrirjen në Kosovë me miratimin e Prishtinës, por edhe të Beogradit gjithashtu.

XS
SM
MD
LG