Ndërlidhjet

Ligjet e Pakos Ahtisaari mund të rishqyrtohen(!)


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Rreth 50 ligje që burojnë nga pakoja e Ahtisaarit, të miratuara në Kuvendin e Kosovës, do të mund të kthehen sërish në rishqyrtim parlamentar për harmonizim me Kushtetutën dhe aktet tjera juridike, thonë deputetët kosovarë.



Ligjet e dala nga plani i Ahtisaarit, si një dokument gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, do të mund t’i nënshtrohen një rishikimi të sërishëm në Kuvendin e Kosovës, thonë deputetët, pasi që ato janë miratuar në pako dhe pa ndonjë shqyrtim parlamentar.

Një miratim i tillë është bërë në bazë të procedurave të shpejtuara, thonë zyrtarët vendorë, duke sqaruar se ka raste kur nene të caktuara të këtyre ligjeve nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe aktet tjera të larta juridike të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, deputeti Bahri Hyseni, deputet nga radhët e PDK-së, thotë se Kuvendi do të jetë i gatshëm që në çdo rast të konfliktit ndërmjet këtyre ligjeve me Kushtetutën e Kosovës, t’i rikthejë ato në shqyrtim dhe harmonizim.

“Do t’i përshtaten rrethanave aktuale që i kemi në Kosovë. Në momentin kur këto ligje bëhen të paimplementueshme, ballafaqohen me aktet juridike, nuk mund të zbatohen, apo shihen pengesa, atëherë natyrisht që institucionet e Kosovës duhet të shikojnë mënyrat se si të dilet nga situata dhe mund të fillojë edhe çështja e plotësimit dhe ndryshimit të këtyre ligjeve, që është pak më e komplikuar. Mirëpo, mendoj se nuk është pengesë që institucionet kur i shohin se janë të pazbatueshme, t’i fillojnë procedurat për t’i ndryshuar dhe plotësuar ato”, tha Hyseni.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se ligjet duhet të harmonizohen me rrethanat ekzistuese. Miratimi i këtyre ligjeve në pako, sipas Isufit, ishte një rast i veçantë në kohën e pas-shpalljes së pavarësisë, për të zbatuar obligimet që kishte marrë Kosova.

Por, shton ai, këto ligje, në vazhdimësi duhet t’u përshtaten rrethanave aktuale, andaj edhe pritet që Kuvendi, kohë pas kohe, t’i nxjerrë ato në shqyrtim dhe harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Janë ligje të cilat në të ardhmen duhet të shqyrtohen, për arsye se duhet të bazohen në Kushtetutën e Kosovës, por edhe në realitetin e Kosovës, dhe se ne kurrë nuk do të kemi gjendje statike në shoqërinë tonë. Prandaj, shqyrtimi i tyre duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të kemi ligje të bazuara në realitet dhe po ashtu të zbatueshme në praktikë”, thotë Isufi.

Isufi thotë se edhe pakos së Ahtisaarit, si një dokument i ‘ngurtë’, do t’i duhen ndryshime, varësisht zhvillimeve e rrethanave që do të krijohen. Ndërkaq, deputeti i LDD-së, Adem Salihaj, thotë se ligjet e dokumentit të Ahtisaarit kanë kaluar në Kuvend pas asnjë shqyrtim, andaj, ai vlerëson se tani kur në Kosovë ka një status të zgjidhur, këto ligje duhet t’i nënshtrohen rishikimit dhe rishqyrtimit në Kuvend.

“Ju e dini si i kemi kaluar ligjet e pakos së Ahtisaarit. Të gjitha janë kaluar brenda 24 orësh, pa debat, bile as që i kemi lexuar, sepse mundësitë teknike e praktike nuk kanë qenë as që t’i lexojmë e lëre më që të bëjmë ndonjë vlerësim apo korrigjim. Mendoj se tash në proces, kur pavarësia është realizuar, mund të konstatojmë se këto ligje, ndoshta për shkak të ngutjes apo ndonjë arsyeje tjetër, nuk kanë mundur të harmonizohen sa duhet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe atëherë domosdo lind nevoja që ato të rishikohen”, thekson Salihaj.

Miratimi i dhjetëra ligjeve që burojnë nga dokumenti i Ahtisaarit ishte pjesë e zbatimit të obligimeve që kishte marrë Kosova para bashkësisë ndërkombëtare. Këto ligje rregullojnë segmentet dhe fushat kryesore shtetërore.

Miratimi i tyre në Kuvend, pa shqyrtim, ka anashkaluar të gjitha procedurat, me të cilat punon Kuvendi, por kjo është bërë në pajtueshmëri të plotë nga i gjithë spektri politik i Kosovës.

Në hartimin e këtyre ligjeve, nuk kanë marrë pjesë vetëm autoritetet kosovare, por edhe ato ndërkombëtare nga ICO-ja, si dhe vendet më me ndikim në politikën kosovare. Po ashtu, tash edhe ndryshimi eventual i tyre kërkon involvimin dhe miratimin e të gjithë faktorëve që i kanë hartuar këto ligje.
XS
SM
MD
LG