Ndërlidhjet

Deputetët kërkojnë zbatim të ligjeve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Deputetët kosovarë e vlerësojnë të suksesshme punën e tyre gjatë 2008-ës, pasi Kuvendi shpalli pavarësinë dhe miratoi Kushtetutën. Lidhur me punën legjislative, ata thonë se Kosova duhet të mësojë ende nga praktika parlamentare e vendeve me demokraci më të përparuar.


Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe miratimi i Kushtetutës vlerësohen si të arriturat më të mëdha të Kuvendit gjatë vitit 2008. Këtë vlerësim e ndajnë bashkërisht si pozita, ashtu edhe opozita. Ndërkohë që ka vlerësime të ndryshme në lidhje me pjesën tjetër të punës së Kuvendit.

Deputeti nga radhët e pozitës, Lutfi Haziri, nga LDK-ja, thotë se ky vit ishte historik jo vetëm për Kuvendin, por edhe për Kosovën dhe popullin e saj, pasi që më 17 shkurt ishte shpallur pavarësia, e cila vazhdon të njihet nga vendet më të fuqishme botërore.

Ndërkaq, lidhur me punën e Kuvendit, Haziri thotë se ka një dinamikë të mirë të miratimit të ligjeve, por, sipas tij, ende legjislativi i Kosovës nuk ka arritur në standardet e dëshiruara të parlamenteve të vendeve me demokraci më të përparuar.

“Ky vit ka qenë historik - shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës, si dhe miratimi i 50 ligjeve bazike shtetërore. Por, sigurisht që duke punuar në kushte të jashtëzakonshme, të veçanta, mund të ketë edhe lëshime eventuale. Ne, një numër të madh të ligjeve e kemi kaluar me mocion, procedura të veçanta, ku të drejtat e deputetëve kanë qenë të kufizuara, për shkak të marrëveshjes ndërkombëtare për statusin, lidhur me pakon e presidentit Ahtisaari”, thotë Haziri.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi, deputeti opozitar nga radhët e AAK-së, thotë se Kuvendi kishte edhe mangësitë e veta. Miratimi i shpejtuar i ligjeve të dala nga pakoja e Ahtisaarit dhe moszbatimi i shumë ligjeve të miratuara, sipas Isufit, janë dobësi që e kanë përcjellë punën e këtij legjislativi gjatë vitit 2008.

“Aprovimi i ligjeve të pakos së Ahtisaarit ka shkuar në formën që nuk është dashur të shkojë, domethënë me një lexim të përshpejtuar dhe pa pasur mundësinë që deputetët t’i përmbushin ligjet ashtu si duhet, dhe po ashtu edhe mungesa e disa ligjeve bazike që sot i mungojnë Parlamentit. Diçka që duhet theksuar këtu, është edhe zbatimi i ligjeve që nuk po shkon krahas nevojave që kanë qytetarët e Kosovës”, vlerëson Isufi.

Se Kuvendi duhet të ketë një mbikëqyrje në zbatimin e ligjeve, pajtohet edhe deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli. Ai vlerëson se përkundër miratimit të 90 ligjeve gjatë këtij viti, si një e arritur e madhe, megjithatë disa prej tyre nuk janë fuqizuar e zbatuar në praktikë.

“Ajo që sipas meje duhet të ndodhë në vitin 2009, është se krahas miratimit të ligjeve tjera që janë të nevojshme për zhvillimin e jetës në Kosovë, po ashtu tashmë një pjesë e energjisë së Kuvendit të përqendrohet në mbikëqyrjen e ekzekutivit, që nënkupton mbikëqyrjen e implementimit të ligjeve në praktikë, sikurse që deputetët të jenë më afër elektoratit”,
thotë Makolli.

Deputetët vlerësojnë po ashtu se Kosova ndonëse po mëson shumë nga praktika e jetës parlamentare, megjithatë ende nuk ka arritur që të respektojë në tërësi hierarkinë institucionale, pasi që Kuvendi, sipas këtyre vlerësimeve, shpesh ishte i dirigjuar nga Qeveria, në vend se Parlamenti ta mbikëqyrë dhe kontrollojë ekzekutivin.
XS
SM
MD
LG