Ndërlidhjet

Thaçi: Strukturat paralele do të përballen me ligjin


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

"Do të bisedojmë me të gjithë njerëzit legjitimë, assesi me njerëzit që shkelin ligjin – ata do të kenë ballafaqim me ligjin", thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kryeministër, pas shtrirjes së EULEX-it, Beogradi kërkon implementimin e planit 6-pikësh. Cila është përgjigjja juaj ndaj pretendimeve të Beogradit që të jetë faktor në zbatimin e këtij plani në Kosovë?

HASHIM THAÇI
Gjashtëpikëshi nuk ekziston; nuk ekziston në asnjë dokument, nuk ekziston në asnjë tryezë, nuk ekziston as në vokabularin e asnjë politikani dhe në asnjë rrethanë si prioritet i yni dhe as i ndërkombëtarëve.

Është i përfshirë në raportin e dokumentit të presidentit Ban Ki Moon, siç është i përfshirë edhe dokumenti i institucioneve të Republikës së Kosovës. Në kuptimin obligativ, do të thotë nuk ekziston.

Ndërsa, kemi edhe deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit, që është një deklaratë shumë e përgjithshme, prandaj kjo çështje e gjashtëpikështit është çështje e mbyllur, është çështje që nuk do të jetë në rend të ditës në të ardhmen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash kur EULEX-i është shtrirë në Kosovë, sa konsideroni se e ndihmon ky mision kthimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e saj, përfshirë edhe pjesën veriore?

HASHIM THAÇI
Pas nëntë vjetësh të pritjeve, autoriteti civil ndërkombëtar ka filluar ushtrimin e autoritetit në veri të Mitrovicës. Së shpejti do të ushtrojnë autoritetin edhe institucionet legjitime të Republikës së Kosovës.

Nuk do të ketë më tutje struktura paralele dhe jolegjitime. Do të ketë integrim të komunitetit serb gjithashtu në shoqëri dhe në institucionet kosovare dhe ky është një kontribut i madh që po ndodh në këtë fundvit.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se pas nëntë vjetësh po kthehet rendi dhe ligji edhe në veriun e Kosovës. Besoni se misioni i BE-së do të arrijë që të kthejë kushtetutshmërinë në këtë pjesë të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Misioni ndërkombëtar ka qenë i ftuar prej institucioneve të Republikës së Kosovës, është i mirëpritur prej nesh dhe të gjithë qytetarëve; do ta kryejë rolin e vet në përputhshmëri me mandatin që e ka. Është një mision këshillues dhe ndihmues dhe assesi paralel me institucionet legjitime. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në pakon e presidentit Ahtisaari parashihen zgjidhje edhe për komunitetin serb dhe veriun e Kosovës. A mjafton kjo ofertë, kushtimisht thënë, apo institucionet do të kenë edhe plane të tjera për veriun?

HASHIM THAÇI
Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të ofrojnë asgjë, as plus, as minus; do ta respektojnë në përpikëri dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e komunitetit serb merr pjesë në institucione, por ka edhe subjekte serbe që bojkotojnë institucionet. Si do të veproni që ta përfitoni edhe pjesën që është jashtë institucioneve?

HASHIM THAÇI
Do të punojmë që të jetë sa më gjithëpërfshirës ky integrim – një integrim që do të rezultojë për të mirën e gjithë vendit dhe të gjithë qytetarëve.

Ne po ndërtojmë një vend demokratik, atdhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe serbët janë qytetarë shtetas të Republikës sonë, janë pjesë e Qeverisë, janë pjesë e Parlamentit, janë pjesë edhe e disa institucioneve lokale, por ende nuk është një integrim i mjaftueshëm – do të punojmë edhe më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të bisedoni edhe me strukturat paralele?

HASHIM THAÇI
Do të bisedojmë me të gjithë njerëzit legjitimë, assesi me njerëzit që shkelin ligjin – ata do të kenë ballafaqim me ligjin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjeve që pasuan, si prioritet keni përmendur shpesh integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ku do të fokusoheni më tepër lidhur me këto integrime në fazën vijuese?

HASHIM THAÇI
Nuk mund të ndodhin të gjitha zhvillimet në të njëjtën kohë. Nuk mund të ndodhë në të njëjtin vit pavarësia, të përfundojnë të gjitha njohjet dhe Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe pjesë e OKB-së, apo e Fondit Monetar Ndërkombëtar, apo e Bankës Botërore.

Në vitin 2008, Kosova është shpallur shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ka nxjerrë Kushtetutën e vet, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Konferencën e Donatorëve, ka fituar një njohje shumë të fuqishme ndërkombëtare prej vendeve më të fuqishme në botë, në kuptimin edhe politik, edhe ushtarak, edhe ekonomik; ka fituar mandatin e EULEX-it për t’u shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Pra, po bëhemi zot të vetvetes me mbështetje ndërkombëtare.

Shumë shpejt Kosova do të jetë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Po e ndërtojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës në parametrat e plotë të NATO-s.

Viti i ardhshëm do të jetë viti i studimeve dhe fizibilitetit për Kosovën, që do të jetë, dua të besoj fuqishëm, me notë kaluese për institucionet, popullin dhe vendin tonë. Dhe, Kosova definitivisht do të pranohet edhe në NATO, edhe në OKB, edhe në Bashkimin Evropian në të ardhmen e afërt.

Kosova nuk do të mbetet mbrapa vendeve të tjera të rajonit. Por, sfidë do të jetë zhvillimi dhe integrimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, një prej problemeve më të mëdha të Kosovës është edhe ai i papunësisë. Çfarë perspektive u ofron qeveria juaj të rinjve dhe atyre që kërkojnë punë?

HASHIM THAÇI
Ne do të bëjmë punën më të mirë të mundshme; mrekulli nuk do të mund të bëjmë. Por, do të hapim një perspektivë të gjithanshme për qytetarët e Kosovës. Pse? Do të kemi fillimin e projektit madhor të Termocentralit “Kosova e Re”, me një investim prej 3.5 miliardë eurosh. Do të jetë një potencial i madh për zhvillim, modernizim, punësim.

Gjithashtu do të fillojmë me projektin madhor të Termocentralit të Zhurit, me një investim prej 300 milionë eurosh dhe me një kapacitet prej 300 megavatesh energji elektrike – një potencial edhe për rajonin.

Do të vazhdojmë me privatizimin e distribuimit të KEK-ut, do të vazhdojmë me projektin e privatizimit të Postës dhe koncesionet e Aeroportit. Kemi vendime të mëdha, prandaj viti 2009 do të jetë viti i sfidave për zhvillim, për punësim, për mirëqenie sociale dhe për integrim. I kam parasysh dhe do të punoj.

XS
SM
MD
LG