Ndërlidhjet

Shtim i forcave të rendit në veri


Mitrovicë - Lagjja e Boshnjakëve, 3 janar '09.
Mitrovicë - Lagjja e Boshnjakëve, 3 janar '09.

Policia raporton se edhe mbrëmë në veri të Mitrovicës ka ndodhur një incident, me ç'rast një grup personash të paidentifikuar thuhet se kishte sulmuar dy pjesëtarë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, autoritetet në Prishtinë thonë se po e mbajnë gjendjen nën kontroll dhe paralajmërojnë shtim të forcave atje.


Në pjesën veriore të Mitrovicës, mbrëmë janë shënuar sërish incidente, përderisa autoritetet në Prishtinë paralajmërojnë shtimin e forcave të rendit në këtë pjesë të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se angazhimet e Qeverisë së Kosovës janë të orientuara në tri drejtime, që, sipas tij, kanë për qëllim ruajtjen e qetësisë dhe kthimin e normalitetit në këtë pjesë të Kosovës.

“Angazhimet tona janë në tri drejtime. I pari - me mekanizmat e rendit dhe sigurisë së Kosovës, por edhe me ato të KFOR-it dhe EULEX-it; organizimi apo drejtimi i dytë është në raport me opinionin publik, me qytetarët, duke tentuar ta ruajmë qetësinë, dhe angazhimi i tretë me faktorin ndërkombëtar, duke kërkuar që të bëhet presion në Qeverinë e Beogradit që të mos nxitë apo stimulojë incidente në Kosovë”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media të organizuar pikërisht rreth zhvillimeve në Mitrovicë, tha se gjendja në këtë pjesë të Kosovës nuk mund të përmirësohet me apelet e vazhdueshme të krerëve të institucioneve dhe propozoi që atje të ndërmerren hapa konkretë, duke filluar me hapjen e nënstacioneve policore në pjesët e banuara me popullatë të përzier.

“Këto nënstacione mund të vendosen në Lagjen e Boshnjakëve, ku qytetarët i mirëpresin. Njëkohësisht mund të vendoset një nënstacion i Policisë së Kosovës në Suhodoll, ku në disa raste ka pasur, të them ashtu, konflikte mes qytetarëve të nacionalitetit serb dhe shqiptar, dhe mund të vendosen nënstacione të policisë edhe në vendbanime tjera që shtrihen përgjatë rrugës për Leposaviq”, theksoi Haradinaj.

Lidhur me praninë e forcave të rendit në Mitrovicë dhe pjesën veriore, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria tashmë ka kërkuar që të ketë një shtim të numrit të policëve, por edhe të ushtarëve të KFOR-it atje.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Rendit e po ashtu edhe nga KFOR-i e EULEX-i që ta rrisë prezencën atje dhe të bëjë çdo gjë që është e mundur në kuadër të ligjit për ruajtjen e rendit dhe qetësisë dhe mund të them se deri më tash jemi të kënaqur me angazhimin e tyre”, deklaroi Kuçi.

Incidentet në Mitrovicë shkaktohen nga strukturat e Beogradit, tha në anën tjetër lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar dhe kërkoi nga autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare që t’i kenë parasysh këto provokime dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë kushtetuese në mënyrë që të mos i lejojnë strukturat paralele që të vijnë në shprehje.

“Serbia ka një politikë armike ndaj Kosovës, e ka zyrtare këtë politikë armike. Ata ndërmarrin veprime të shumta si Beograd zyrtar që ta pengojnë Kosovën, dhe një prej kartave i kanë ekstremistët e vet në Kosovë për ta destabilizuar Kosovën”, tha Haradinaj.

Po në lidhje me zhvillimet e fundit në Mitrovicë, sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, thotë se gjendja në Mitrovicë, edhe përkundër incidenteve të vazhdueshme këto ditët e fundit, mund të stabilizohet, duke shpresuar sidomos në reagimin e KFOR-it.

“Fakti se KFOR-i i ka dislokuar ushtarët, është shenjë inkurajuese se atje mund të ketë një qetësi dhe se vetëm prania e KFOR-it mund të garantojë një lloj stabiliteti dhe qetësie si te shqiptarët, ashtu edhe serbët”, thotë Ivanoviq.

Por, ai nënvizon se KFOR-i nuk mund të gjejë zgjidhje politike, kështu që këto masa i sheh si të përkohshme.

Pas një incidenti të mbrëmshëm kur dy serbë, sipas policisë, ishin rrahur nga një grup njerëzish dhe kishin pësuar lëndime të lehta trupore, tani gjendja e sigurisë në Mitrovicë përshkruhet e qetë. Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, thotë se përkundër gjendjes së brishtë të sigurisë, policia vendore, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i e kanë aktualisht gjendjen nën kontroll.

“Pavarësisht nga këto incidente sporadike që po ndodhin, policia deri më tash nuk ka arritur të gjejë motivet ose të gjejë arsyet nëse këto raste janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Sidoqoftë, kjo situatë mjaft e tensionuar dhe delikate ndikon më tepër tek banorët kryesisht në zonat e banuara me popullatë të përzier”, thotë Hoti.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, në bazë të autorizimeve të tij kushtetuese, ka vendosur që të ndajë njëqind mijë euro për pronarët shqiptarë të lokaleve të dëmtuara në Mitrovicë, pasi që një grup serbësh ua kishin vënë flakën atyre ditë më parë.

Incidentet e javës së fundit në Mitrovicë kishin si pasojë disa persona të lënduar dhe dëmtime në pronën private të qytetarëve. Gjithashtu, këto incidente kanë ashpërsuar raportet ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës, ku edhe ashtu këto nëntë vjetët e fundit kishte acarime të vazhdueshme.

Ndonëse me incidente të kohëpaskohshme, për sigurinë dhe qetësinë e përgjithshme në këtë pjesë të Kosovës po përkujdesen trupat e KFOR-it, pjesëtarët e policisë së EULEX-it dhe Policia e Kosovës.
XS
SM
MD
LG