Ndërlidhjet

Pas Panamasë, Kosova pret njohje tjera


Pas njohjes së Kosovës nga Panamaja, zyrtarët në Prishtinë thonë se kanë sinjale pozitive nga vende të ndryshme që do ta njohin Kosovën. Kryeministri Thaçi tha se pret që këtë vit Kosova të ketë njohje të fuqishme, në mënyrë që ta plotësojë numrin e pritur të njohjeve.

Panamaja është shteti i 54-të që ka njohur Republikën e Kosovës. Njohja më e re e Kosovës si shtet i pavarur e sovran është përshëndetur nga autoritetet qeveritare në Prishtinë, të cilat paralajmëruan se kanë edhe sinjale pozitive nga shumë vende për njohje të reja që do t’i vijnë Kosovës gjatë javëve vijuese.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se ai beson që procesi i njohjeve do të jetë në shifrën e kënaqshme dhe të mjaftueshme për Kosovën, që do t’i hapnin rrugën këtij vendi për anëtarësim në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

“Do të kemi njohje edhe më të fuqishme dhe Kosova definitivisht do ta plotësojë numrin e njohjeve, të cilat edhe është pritur që do të ndodhin. Në kuadër të kësaj ishte edhe mbështetja e fuqishme që Kosova fitoi në ditët e kaluara me vizitën e z.Stuart Jones, por edhe të ministrit të Jashtëm të Turqisë”, tha kryeministri Thaçi.

Thaçi tha se Kosova këtë vit pret anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, kurse me shtimin e njohjeve do të aplikojë edhe për anëtarësim në organizata e forume tjera ndërkombëtare.

Ndërkaq, duke iu referuar njohjes së fundit që Kosovës i erdhi nga Panamaja, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se kjo njohje i ka edhe efektet tjera pozitive që pritet të reflektohen tek vende të tjera të Karaibeve në të ardhmen, në dobi të njohjes së Kosovës.

“Kjo njohje ka rëndësi për kohën kur vjen dhe po ashtu ka rëndësi edhe në kontekstin gjeografik, kushtimisht thënë. Panamaja është një vend lider rajonal i rëndësishëm, me ndikim në ishujt Karaibe”, tha Hyseni.

Përderisa përqendrimi i Kosovës mbetet edhe tek pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ka një numër të madh vendesh islamike që po ashtu është paralajmëruar disa herë se do ta njohin Kosovën, por kjo njohje ende nuk ka ndodhur.

Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se zhvillimet në Rripin e Gazës padyshim që mund ta zhvendosin në njëfarë forme vëmendjen e vendeve islamike tek ai problem dhe kjo mund të reflektojë me vonesa të caktuara.

“Gjithsesi se mund të ketë një ndikim të tërthortë. Nuk do të thosha se ka ndikim të drejtpërdrejtë, ka ndikim të tërthortë, sepse vëmendja sidomos e atij rajoni është përqendruar shumë në zhvillimet në Gaza dhe kjo zhvendosje e vëmendjes nga çështjet tjera, siç është çështja e njohjes së Kosovës, mund të jetë zhvendosur - ne shpresojmë qe krejt përkohësisht dhe krejt në afat të shkurtër”,
vlerësoi ministri i Jashtëm, Hyseni.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi paralajmëron angazhime të shtuara në Kosovë në përmbushjen e reformave të domosdoshme në të gjitha fushat, në mënyrë që Kosova menjëherë pas përmbushjes së njohjeve nga vendet e BE-së, të jetë e gatshme për procesin e integrimeve. Ai tha se në këtë rrugë, Kosova e ka edhe mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë.

“Do të kemi përkrahje të plotë edhe prej SHBA-ve, edhe prej vendeve veç e veç, por edhe nga BE-ja edhe nga NATO-ja. Sivjet është viti i studimit të fizibilitetit dhe provimi i kësaj qeverie qëndron aty. Me reformat në ekonomi, legjislacion, politikë, do të kemi sukses për të ndërtuar Kosovën demokratike, të zhvilluar, të sundimit të ligjit dhe një vlerësim pozitiv për hapjen e perspektivës së sigurt për vendin tonë, për strukturat e NATO-s dhe BE-së”, tha Thaçi.

Kosova është njohur deri më tani nga 54 vende. Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian mbeten ende pa e njohur Kosovën. Sipas njoftimeve nga zyrtarët në Prishtinë, këto vende, si dhe shumë tjera, presin interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, para se të vendosin për njohjen e Kosovës.

Andaj, në Prishtinë vlerësohet se interpretimi pro-pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, do të ishte në interesin e drejtpërdrejtë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG