Ndërlidhjet

Ligjvënësit debatojnë punën e qeverisë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Pozita dhe opozita kanë vlerësime të kundërta në Kuvend, në lidhje me punën njëvjeçare të qeverisë së Kosovës. Debati për këtë raport, i ka ndarë në dysh deputetët e pozitës të cilët thanë se i njohin rezultatet e kësaj qeverisjeje dhe ata të opozitës të cilët e quajtën raportin si një koleksion dëshirash.


Kryeministri Hashim Thaçi tha se për një vit të qeverisjes së tij, Kosova ka shënuar përparime të dukshme.

Ai tha se e kishte gjetur Kosovën në një gjendje shumë të rëndë, por qeveria e tij, kishte ndryshuar gjërat, që nga energjetika e deri te siguria, përfshirë, siç tha ai, edhe gjendjen në Mitrovicë.

“Kosovën e gjetëm në terr, rrugët me baltë, nxënësit në kontejner, biznesin të pambrojtur e të ndëshkuar. Kosova ishte në nivelin më të lartë për shkallën e korrupsionit në rajon, Mitrovica e lënë pas dore dhe fare pak interesim apo përgjegjësi shtetërore. Uniteti qytetar dhe politik duhej të avansohej”.
Hashim Thaçi


“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kërkesave dhe nevojave të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto politika e qojnë Kosovën drejt një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike, krijimin vendeve të lira të punës, krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët”, u shpreh Thaçi.

Thaçi tha se gjatë një viti të qeverisjes së tij, Kosova ka shënuar rritje në buxhet, rritje ekonomike në shifrën 6 për qind, ka garantuar investimet nga jashtë, si dhe ka shënuar përparime në infrastrukturën rrugore dhe në arsim.

Mirëpo Thaçi është kundërshtuar në masë të madhe nga tabori opozitar. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci tha se ky raport është voluminoz në faqe, por nuk përmban asgjë nga të arriturat gjatë qeverisjes.

“LDD nxjerr këto vlerësime për raportin. Një vit i shpresave të mëdha, shpresave falso të krijuara nga premtimet për dritë, ujë, shërbime shëndetësore, zvogëlim të varfërisë e papunësisë, pensione dhe paga të dinjitetshme. Një vit i shanseve të mëdha për shtetin e ri të Kosovës dhe dështimeve në pjesën më të madhe të objektivave që i ka premtuar me bollëk dhe i ka synuar qeveria”, vlerësoi Daci.

Ndërkohë, Lutfi Haziri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere e PDK-së në qeverinë aktuale, i dha mbështetje raportit duke konstatuar se kjo qeveri arriti te ruaj stabilitetin dhe paqen në shtetin e pavarur.

“Menaxhimi pas statusit me kërcënimet për ndarje të brendshme, menaxhimi për ikje kolektive të komuniteteve etnike në veçanti të atij serb, menaxhimi në parandalimin e problemeve tjera që Kosovën e kanë përcjellë me nervozizëm me veprimin institucional ka treguar qartë që është arritur të ruhet uniteti, është arritur që ky angazhim të prodhoj atë që e kemi kërkuar – stabilitet institucional e siguri në Kosovë”, theksoi Haziri.

Ndryshe nga pozita, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli tha se prioritetet dhe raporti i qeverisë më shumë u ngjajnë dëshirave sesa realitetit.

Ai e kritikoi qeverinë Thaçi jo vetëm për mungesë të rezultateve, por edhe për vonesa në konstituimin e institucioneve shtetërore nga fusha e sigurisë.

“Kjo qeveri është qeveri e vonesave, sepse edhe tash që po flasim nuk janë bërë realitet ndërtimi i institucioneve si Inteligjenca e Kosovës, Këshilli për Siguri Kombëtare, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një mori institucionesh të tjera”, deklaroi Makolli.

Ai tha se Kosova ka dështuar plotësisht në politikën e jashtme. Ka dështuar në luftimin e korrupsionit, si dhe në joshjen e investimeve nga jashtë.

Me kritikat e opozitës nuk pajtohet partia më e madhe në Kuvend që udhëheqë me qeverinë e koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ramë Buja tha se opozita po kritikon vetëm sa për të përmbushë qëndrimin kundër si opozitë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se pavarësisht, edhe po ta kishte bërë qeveria Kosovën Zvicër për këtë vit, përsëri me respekt të opozitës, opozita do të kishte folur përsëri se nuk e ka bërë aq mirë. Respektojmë mendimin”, tha Buja.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se kjo qeveri po lë një gjurmë të keqe për të ardhmen e Kosovës. Deputeti Gjini e ka kundërshtuar Thaçin në lidhje me luftimin e korrupsionit, duke e pohuar të kundërtën.

“Lufta kundër korrupsionit po shndërrohet në retorikë, po e humb vlerën. Nuk ka luftë kundër korrupsionit. Absolutisht askush në këtë qeveri nuk është i interesuar ta luftoj korrupsionin por ka interesim me shit dushk që dikush po e lufton korrupsionin e në fund të fundit sipas të gjitha parametrave korrupsioni është rritur”, deklaroi Gjini.

Raporti i punës së qeverisë, përmban edhe prioritetet e qeverisjes për vitin 2009. Ndër tjera, aty përmenden synimet afatgjata për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kurse për sivjet parashihet anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
XS
SM
MD
LG