Ndërlidhjet

Bakoyannis: Greqia s’e ka ndryshuar pozicionin për Kosovën


Dora Bakoyannis
Dora Bakoyannis

“Çdo shtet merr vendime në përputhje me interesin e vet kombëtar, duke marrë parasysh edhe sigurinë rajonale", tha sot në Prishtinë, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis, lidhur me vendimin e Athinës për pavarësinë e Kosovës.


Athina nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj, tha sot në Prishtinë, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakoyannis.

Ajo tha se vendimi i Greqisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës do të marrë për bazë interesin nacional të këtij vendi dhe sigurinë rajonale. Ndërkohë që u ka premtuar udhëheqësve të Kosovës, presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, se Athina do të angazhohet aktivisht në misionin e EULEX-it si dhe në kuadër të KFOR-it.

“Çdo shtet merr vendime në përputhje me interesin e vet kombëtar dhe natyrisht edhe duke marrë parasysh sigurinë rajonale”,
tha Dora Bakoyannis.

Ajo rikujtoi vendimin e Athinës që përkundër mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, t’i njohë pasaportat kosovare.

“Një hap i tillë mundëson kontaktet mes njerëzve dhe lirinë e qarkullimit
”, tha diplomatja greke.

“Para nisjes, disa kolegë nga Athina më kanë pyetur se si do të përballesh me liderët kosovarë në lidhje me kontradiktën që Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kurse përgjigjja ime ka qenë e qartë, si fqinj, si mik dhe si vend që kryesoj OSBE-në”, tha Bakoyannis.

“Ne e mbështesim dëshirën për të ndihmuar popullin e Kosovës, pavarësisht nga raca, besimi, për të realizuar ëndrrat e tyre për të ardhmen e këtij vendi në Evropë”, u shpreh Bakoyannis.

Ndërkaq, liderët kosovarë e kanë përshëndetur rolin e Greqisë si në kuadër të politikave rajonale, ashtu edhe atyre evropiane. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se i kishte rikonfirmuar diplomates greke pozicionin e Prishtinës në lidhje me integrimet euroatlantike.

“Mbesim të zotuar në politikat tona që të kemi qasje më të mira të mundshme të bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë, në këtë rast me OSBE-në, dhe mbesim të përkushtuar me vizionin tonë esencial të lëvizjes së shpejtë të Kosovës në integrimet euroatlantike”,
tha Sejdiu.

Roli i Greqisë në politikat rajonale është cilësuar si shumë i dobishëm nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se e kupton Athinën dhe ndonjë vend tjetër që ende nuk e ka njohur Kosovën, duke pasur parasysh edhe interesat shtetërore të këtyre vendeve.

“Raportet e Greqisë me Kosovën janë shumë të mira, raporte bashkëpunimi shumë të afërt. Greqia ka pranuar pasaportat e Kosovës që të mund të lëvizim në Greqi. Gjithashtu edhe vetë vizita e ministres Bakoyannis është për të përshëndetur progresin në Kosovë dhe vetë Greqia është pjesë e këtij progresi në gjithë këtë periudhë tranzicioni”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Ministrja e Jashtme e Greqisë po viziton rajonin në cilësinë e kryesues së radhës së OSBE-së. Para Prishtinës ajo ka qëndruar edhe në Beograd.

Bakoyannis tha se përfaqësonte 56 vendet anëtare të OSBE-së, të cilat ende nuk e kanë arritur konsensusin për pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, ajo tha se OSBE-ja ka adoptuar qasjen përmes së cilës ka vazhduar mandatin e saj në Kosovë.

Po ashtu, Bakoyannis tha se pritet që një delegacion i komunitetit të biznesit nga Greqia ta vizitojë Kosovën, për të parë mundësitë për investime në Kosovë dhe fushat që atyre mund t’u interesojnë.


XS
SM
MD
LG