Ndërlidhjet

Themelohet Këshilli i Sigurisë së Kosovës


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Institucionet e Kosovës kanë themeluar Këshillin e Sigurisë. Akti i formimit të këtij Këshilli është përcjellë nga udhëheqësit më të lartë kosovarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë në Prishtinë.



Liderët kosovarë vlerësuan se me themelimin e këtij Këshilli, është kompletuar i tërë sistemi i sigurisë që mundëson funksionimin e shtetit.

Këshilli i Sigurisë ka mbajtur dhe takimin e parë nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi. Ai tha se institucionet e Kosovës, përmes Këshillit dhe strukturave të sigurisë publike dhe të inteligjencës, do të kujdesen, mbikëqyrin dhe garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky Këshill, tha Thaçi, do t'i rekomandojë Qeverisë së Kosovës politika dhe strategji, do t'i ofrojë raporte, vlerësime dhe komente për të gjitha çështjet që ndërlidhen me politikat e sigurisë në Republikën e Kosovës.

“Këto institucione të sigurisë do të veprojnë, por edhe po veprojnë në gjithë territorin e Kosovës. Do të jenë edhe me efektive në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm. Edhe siguria e Kosovës është pjesë e sigurisë globale, të një bashkëpunimi të ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare. Prioritetet tona janë edhe prioritete të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, kështu që çdo gjë do të jetë e harmonizuar“, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi u zotua se të gjithë mekanizmat e sigurisë së Kosovës do të jenë funksionale në ditët dhe javët vijuese. Ndërkaq, presidentin Fatmir Sejdiu e vlerësoi konstituivin e Këshillit si dëshmi të zhvillimit të shtetit të Kosovës.

“Me këtë moment dhe me rritjen në zhvillim, Kosova do të jetë akter i rëndësishëm, në radhë të parë i promovimit dhe kultivimit të stabilitetit të qëndrueshëm të vendit dhe i kultivimit të raporteve më të mira të mundshme me fqinjët, por edhe me tjerët“, u shpreh Sejdiu.

Konstituimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës e kanë përshëndetur edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zëvendësshefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Burton Fletcher.

Këshilli për Siguri i Kosovës ka rol thelbësor në krijimin e politikave dhe strategjive për çështjet e sigurisë. Ky Këshill, që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, harton apo shqyrton Strategjinë e Sigurisë, e cila më pas miratohet në Kuvendin e Kosovës. Ky organ ofron informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë, të cilat e ndihmojnë Qeverinë në marrjen e vendimeve përkatëse në këtë fushë.

Paraprakisht, autoritetet në Prishtinë kanë emëruar edhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës. Kurse, Forca e Sigurisë është në formim e sipër. Me funksionalizimin e këtyre organeve, Kosova do të kompletojë tërë sistemin e sigurisë si shtet.
XS
SM
MD
LG