Ndërlidhjet

Kermabon: EULEX-i funksional deri në fund të dimrit


Yves de Kermabon
Yves de Kermabon

Misioni i EULEX-it do të jetë tërësisht funksional deri në fund të dimrit, tha shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon. Por, ai veçoi si sfidë më vete Mitrovicën dhe veriun e Kosovës.



Funksionalizimi i EULEX-it po ndihmon edhe strukturat vendore që të jenë më efikase në çështjet e sigurisë dhe sundimit të ligjit, thonë në Qeverinë e Kosovës. Ndërkohë që sfidat kryesore, jo vetëm për Qeverinë vendore, por edhe misionin ndërkombëtar, mbeten në pjesën veriore.

Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, tha sot se EULEX-i po e shtrin misionin e vet dhe se do të jetë tërësisht funksional deri në fund të dimrit. Por, në këtë aspekt, ai veçoi Mitrovicën dhe pjesën veriore, ku ky mision ende nuk ka arritur të jetë tërësisht i gatshëm për punë.

“Kemi ngritur veprimtarinë tonë gjyqësore në çdo rajon, me përjashtim të Mitrovicës veriore. Kurse, në fillim të shkurtit ka filluar edhe regjistrimi i mallrave në portat 1 dhe 31 në veri të Kosovës”, tha Kermabon.

Ai tha se në këtë mision, tashmë ka 1600 pjesëtarë ndërkombëtarë dhe 800 vendorë.

“Procesi i shtrirjes së autoritetit dhe sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës po zhvillohet sipas parashikimeve”,
tha Kermabon, duke u zotuar se policët evropianë do ta ndihmojnë në vazhdimësi Policinë e Kosovës.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në fazën e mbikëqyrjes, dhe rrjedhimisht nuk i ka në përgjegjësi të plotë kompetencat në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe doganave.

Sipas shefit të EULEX-it, gjyqtarët e këtij misioni kanë filluar seancat dëgjimore dhe marrjen e vendimeve dhe njëkohësisht janë të angazhuar në veprimtari monitoruese dhe këshillëdhënëse. Kurse, është në finalizim e sipër bartja e rasteve të UNMIK-ut tek gjyqtarët e EULEX-it.

Ndërsa, EULEX-i pret të jetë funksional deri në fund të dimrit, institucionet vendore përgatiten që të jenë partnere të plota të këtij misioni në fushën e sigurisë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha sot se EULEX-i në muajt e parë të funksionimit ka shënuar rezultate të dukshme. Ai fokusoi sidomos fillimin e regjistrimit të mallrave në portat 1 dhe 31 që lidhin shtetin e Kosovës me Serbinë.

Hajredin Kuçi
“Ne kemi marrë hapa konkretë dhe në veçanti dua ta përgëzoj EULEX-in për vendosjen e regjistrimit të mallrave në veri të Mitrovicës, në pikat 1 dhe 31, dhe presim që shumë shpejt këto dogana të jenë funksionale në plotësi, duke vendosur përfaqësuesit e doganave të Kosovës dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mbizotërojë rendi dhe ligji edhe në atë pjesë të Kosovës”,
tha Kuçi.

Vendosja e kontrollit doganor dhe kufijve, sipas autoriteteve qeveritare në Prishtinë, do ta ndihmonte luftimin e krimit dhe kontrabandës, që zhvillohet në atë pjesë të Kosovës. Kjo besohet se do ta lehtësonte kthimin gradual të normalitetit në veri të Kosovës.

Përderisa angazhimet për kthimin e normalitetit në veri vazhdojnë, institucionet vendore thonë se po i shtojnë dhe përpjekjet për funksionalizimin sa më të shpejtë të strukturave shtetërore të sigurisë, ku përfshihen Këshilli i Sigurisë, Shërbimi Inteligjent, si dhe Forca e Sigurisë.

Të trija organet janë në formim e sipër, por veprimtaria e tyre mbetet e ndërlidhur ngushtë me praninë ndërkombëtare, marrë parasysh kompetencat e përziera që kanë të dyja autoritetet në Kosovë.
XS
SM
MD
LG