Ndërlidhjet

Feith nuk përfill kërkesën e Haradinajt për zgjedhjet


Pieter Feith
Pieter Feith

Vendimi që zgjedhjet të shtyhen është i dëmshëm për Kosovën, ka thënë Ramush Haradinaj, pas një takimi që zhvilloi me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, pas të cilit nuk u arrit ndonjë ndryshim në lidhje me vendimin e mëhershëm për zgjedhjet.


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, i është përgjigjur negativisht kërkesës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për rishqyrtimin e vendimit të presidentit të Kosovës, sipas të cilit, zgjedhjet parlamentare nuk do të mbahen sivjet, por në vitin 2011.

Haradinaj zhvilloi një takim sot me Pieter Feithin, të cilit ai tha se ia ka transmetuar vlerësimin e tij se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve është i dëmshëm për Kosovën.

Ndërsa Pieter Feith nuk është prononcuar për media, Ramush Haradinaj tha se të gjitha zhvillimet politike çojnë kah krijimi i një klime që do të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit.

Ramush Haradinaj
“Sa i përket vendimit për zgjedhjet, nuk ka ndonjë risi. Mbetet vendimi. Unë dhashë disa argumente dhe shpjegime se ky vendim për t'u shtyrë zgjedhjet është i dëmshëm për Kosovën, për proceset në Kosovë dhe i cili do t'i thellojë trendet negative që po ndodhin në Kosovë, në qeverisje, dhe që me këtë vendim i kanë bërë dëm Kosovës”,
tha Haradinaj.

Takimi mes Haradinajt dhe Pieter Feithit u mbajt në prag të mbledhjes së radhës së Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, i cili përfshin shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ky Grup mblidhet të premten në Vjenë, nën drejtimin e Pieter Feithit, dhe ka për detyrë ta mbikëqyrë performancën e institucioneve të Kosovës në zbatimin e planit të Ahtisaarit.

Qeveria e Kosovës, sipas zëdhënësit Memli Krasniqi, pret që Grupi Ndërkombëtar ta njohë edhe një herë përparimin e arritur në Kosovë këto tre muajt e fundit. Kurse, lidhur me zgjedhjet, zëdhënësi Krasniqi thotë se ajo është një temë e mbyllur dhe se nuk mund të rikthehet sërish, pavarësisht insistimeve që shprehen nga opozita.

Qeveria e Kosovës
“Për zgjedhjet - besoj se kjo është temë e tejkaluar tashmë. Presidenti i vendit, duke u bazuar në Kushtetutë, e ka thënë mendimin dhe vendimin e tij, kështu që mendojmë se është temë e tejkaluar dhe nuk besojmë se ka nevojë që ndokush të merret me këtë temë më”,
thotë Krasniqi.



Ndryshe, Ramush Haradinaj sot edhe një herë konfirmoi gatishmërinë e tij që të kontribuojë në arritjen e paqes në Uganda dhe të angazhohet si ndërmjetës në bisedimet midis Qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në këtë vend.

Ky angazhim, sipas Haradinajt, do të zhvillohej në Evropë, ku ai do ti takonte palët e interesuara, duke ofruar kontributin e tij si ndërmjetës. Haradinaj tha se nuk e sheh veten si palë dhe nuk e di se çfarë do të mendonin Kombet e Bashkuara lidhur me angazhimin e tij, duke sqaruar se ka gjashtë muaj që ai angazhohet rreth paqes në Uganda dhe atë në koordinim me faktorë të caktuar ndërkombëtarë.

“Unë nuk jam palë, jam ndihmesë. Edhe deri tani jam munduar të ndihmoj, por për çështjet vendosin palët, ata që i preokupon kjo temë më shumë. Deri tani, me pjesëmarrjen e mekanizmave ndërkombëtarë është realizuar angazhimi im i deritashëm dhe nuk e di se çfarë statusi tjetër mund t'i jepet kësaj ndihme, por unë deri tash e kam dhënë në mënyrë të caktuar ndihmën time”, theksoi Haradinaj.

Angazhimi në arritjen e paqes në Ugandë, sipas Haradinajt, nuk do ta zhvendosë atë në zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, duke insistuar si në mbajtjen e zgjedhjeve, ashtu edhe në çështjet tjera politike, siç janë problemi i veriut të Kosovës dhe qeverisja në Kosovë.
XS
SM
MD
LG