Ndërlidhjet

Kosova me dy realitete


Shefi i Zyrës së ICO-së në Mitrovicë, David Slin, në një debat të mbajtur në Çagllavicë, tha se gjendja e krijuar në veri të Kosovës vjen si pasojë e mosnjohjes së shtetit të pavarur nga ana e serbëve. “Kosova është vetëm një vit pas pavarësisë. Ajo po lëviz përpara dhe secili mund ta shohë këtë", tha ai.


Edhe një vit pas pavarësimit të saj, në Kosovë ka dy realitete - një në veri dhe një realitet tjetër poshtë lumit Ibër, është thënë sot në një debat të mbajtur në Çagllavicë, me temën “Kosova në jug dhe veri të lumit Ibër”.

Aty kanë marrë pjesë ambasadori britanik, Andrew Sparks, shefi i Zyrës së ICO-së në Mitrovicë, David Slin, analisti Belul Beqaj nga Lëvizja Evropiane në Kosovë, si dhe dy përfaqësues të serbëve, Rangjel Nojkiq dhe Nebojsha Joviq.

Shefi i Zyrës së ICO-së në Mitrovicë, David Slin, tha se gjendja e krijuar në veri të Kosovës vjen si pasojë e mosnjohjes së shtetit të pavarur nga ana e serbëve.

“Kosova është vetëm një vit pas pavarësisë. Ajo po lëviz përpara dhe secili mund ta shohë këtë. I tërë Ballkani perëndimor ka ecur përpara për një vit. I tërë rajoni po afrohet më afër institucioneve evropiane”, tha Slin.

Kështu që, sipas tij, askush më në Kosovë nuk mund të shpresojë se gjërat do të kthehen pas.

“Kosova është shtet i pavarur, kurse ICO beson fuqishëm se serbët kanë një të ardhme shumë të mirë në Kosovën e pavarur, si në veri, ashtu edhe poshtë Ibrit”, tha Slin.

Mirëpo, konstatime tjera kanë paraqitur përfaqësuesit e serbëve në këtë debat.

Rangjel Nojkiq, nga Lëvizja e Rezistencës Serbe, tha se aktualisht mund të shihen dy realitete kur flitet për jetën në veri të lumit Ibër dhe poshtë tij. Ai tha se mospjesëmarrja e serbëve në jetën institucionale ka pasuar mungesën e një oferte serioze. Sipas tij, plani i Ahtisaarit nuk i plotëson kërkesat e këtij komuniteti.

“Kur flitet për mbrojtjen e komuniteteve, përderisa të mos ridefinohet qartë Plani i Ahtisaarit, ai nuk do të zbatohet e as nuk do të respektohet, pasi që nuk sjell zgjidhje për komunitetin serb”, tha Nojkiq.

Kurse Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb i Mitrovicës, tha se ka dallime kur flitet për kushtet e jetesës për serbët në veri me ato në enklavat tjera në brendësi të Kosovës.

Duke mos e vënë fare në pyetje njohjen e Kosovës së pavarur, Joviq kërkoi që palët të ulen për të gjetur një zgjidhje tjetër, që nuk ka të bëjë fare me Planin e Ahtisaarit.

“Shumë po harxhojmë kohë me Planin e Ahtisaarit. Ky është një plan që nuk është miratuar askund zyrtarisht. Planet që nuk miratohen në Këshillin e Sigurimit janë vetëm plane të individëve dhe plane të tilla tash mund të prodhojnë edhe Ishinger, Putin apo edhe presidenti Obama”,
tha Joviq.

Ndërkohë, ambasadori britanik në Prishtinë, Andrew Sparks, tha se Qeveria e vendit të tij po bën çmos që ta ndihmojë procesin në Kosovë.

”Si një territor autonom, kurse tani si shtet i pavarur, ky vend do të lëvizë drejt integrimit në Evropë dhe kjo rrugë besojmë se do të jetë në interesin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”,
tha ambasadori Sparks, duke mos u pajtuar me konstatimet e serbëve se Plani i Ahtisaarit nuk garanton asgjë për pakicën serbe.

“Plani i Ahtisaarit në përmbajtje është i dizajnuar që të sigurojë dhe mbrojë interesat e komunitetit serb dhe t’u mundësojë atyre të jetojnë sipas kulturës dhe traditës së tyre në një autonomi brenda Kosovës, ku edhe kanë jetuar familjet e tyre”,
tha ambasadori britanik.

Situata e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, sipas analistit Belul Beqaj, është pasojë e, siç tha ai, hipokrizisë politike si nga ana e Prishtinës, ashtu edhe nga ana e Beogradit, por edhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai tha se Prishtina zyrtare vazhdimisht thotë se e ka shtrirë pushtetin edhe në veri, kurse Beogradi pretendon se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë dhe kjo, sipas tij, është një hipokrizi.

Andaj, Beqaj propozoi që i tërë sovraniteti mbi pjesën veriore të kalojë në duart e Bashkimin Evropian.

“Shqiptarët dhe serbët kanë synime të përbashkëta drejt integrimeve evropiane. Prandaj, dalja nga kjo duhet kërkuar në bartjen mandatore të sovranitetit të pjesës veriore të Kosovës nën administrimin juridik, politik, të sigurisë në udhëheqje të BE-së, përkatësisht EULEX-it”,
tha analisti Beqaj.

Sidoqoftë, ky debat ka dëshmuar edhe njëherë ndasitë ekzistuese ndërmjet serbëve që nuk e njohin shtetin e Kosovës në njërën anë dhe shqiptarëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në anën tjetër, kur është në pyetje çështja e shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore.
XS
SM
MD
LG