Ndërlidhjet

Thirrje serbëve të jenë pjesë e decentralizimit


Gjatë takimit të Grupit ndërministror për decentralizim, Qeveria e Kosovës si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje të gjitha komuniteteve që t’i bashkohen procesit të decentralizmit.


Decentralizimi i pushtetit në Kosovë dhe formimi i komunave të reja është i ndërlidhur ngushtë me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, është thënë sot pas takimit të Grupit Ndërministror për Decentralizimin, ku morën pjesë edhe ICO, instancat ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, si dhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanov.

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me ICO-në, ka shpallur kushtet e konkurrimit për pesë komunat e reja që parashihet të formohen, të cilat kryesisht do të jenë me shumicë serbe, si Graçanica, Ranilluku, Parteshi, Kllokoti dhe pjesa veriore e Mitrovicës. Po ashtu, ky proces përfshin edhe zgjerimin e Komunës së Novobërdës.

Duke e parë procesin e decentralizimit dhe formimit të komunave të reja në interesin e komuniteteve, sidomos atij serb, kryeministri Hashim Thaçi i bëri thirrje këtij komuniteti që t’i bashkohet procesit dhe t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë qytetarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, t’i bashkohen këtij udhëtimi të përbashkët që shpie drejt të ardhmes së Kosovës në integrimin evropian dhe atë euroatlantik”.


“Decentralizimi nënkupton të drejtat e qytetarëve që të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje për çështjet praktike, si ato të kujdesit shëndetësor, arsimimit, shërbimet komunale, ndërtimit të infrastrukturës rrugore e tjera. Por, që kjo të jetë e mundur, anëtarët e komuniteteve duhet të marrin pjesë dhe t’i marrin përgjegjësitë e tyre”, tha Thaçi.

Ndërkohë, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, njëherësh dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, tha se decentralizimin duhet kuptuar si një nevojë për shoqërinë kosovare.

Ai është ndalur sidomos në kompleksivitetin që ka çështja e Mitrovicës, ku vazhdon funksionimi i strukturave paralele. Feith tha se për këtë komunë, parashihet zgjidhja me planin e Ahtisaarit.

Ne do të kemi parasysh gjendjen specifike në Mitrovicë, si parashihet edhe me Planin e Ahtisaarit”, tha Feith.

Sipas tij, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare do të jenë të përkushtuara që Mitrovica të mos mbetet jashtë procesit të reformave dhe decentralizimit.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se strukturat aktuale paralele nuk mund të shpresojnë se do të legjitimojnë pushtetin e tyre në komunat e reja.

Ai tha se vetëm përmes zgjedhjeve komunale do të legjitimohen udhëheqjet e ardhshme të komunave të Kosovës. Kështu që zgjedhjet komunale dhe decentralizimi, sipas Feratit, mbeten procese të ndërlidhura shumë ngushtë njëra me tjetrën.

“Vetëm me zgjedhjet lokale që do të shpallen nga institucionet e Kosovës dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës, do të jetë i mundshëm instalimi i strukturave komunale dhe themelimi i komunave të reja”.


Gjithë kjo që tani ndodh, është një përgatitje dhe një ndihmesë dhe duhet të jetë e qartë se komunat e reja dhe projekti i decentralizimit është një e drejtë dhe një mundësi. Ne do të ndihmojmë mundësinë që ajo të ndodhë, kurse do ta shprehim keqardhjen aty ku nuk do të ndodhë”, tha Ferati.

Brenda tre vjetësh, Kosova parashihet t’i ketë 38 komuna; prej tyre - dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare. Qeveria ka ndarë rreth 3.3 milionë euro vetëm për objektet e infrastrukturës për komunat e reja.

Sidoqoftë, procesi mbetet i ndërlidhur me pjesëmarrjen e serbëve, sidomos në veri të Kosovës, ku strukturat paralele janë më të theksuara. Ndërkaq, në pjesët tjera, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk parashohin se do të ketë komplikime serioze, siç mund të paraqiten në veri.
XS
SM
MD
LG