Ndërlidhjet

Kosova i merr seriozisht vërejtjet e KE-së


Prishtinë - Ndërtesa e Qeverisë
Prishtinë - Ndërtesa e Qeverisë

Zyrtarët kosovarë thonë se janë të njoftuar me shqetësimet e Këshillit të Evropës lidhur me disa raste të evidentuara si shkelje e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ata thonë se prioritet do kenë sidomos zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

Institucionet e Kosovës i marrin seriozisht vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionarit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hammarberg, i cili ka veçuar disa raste të shkeljeve serioze në fushat e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ndër shqetësimet që zyrtari evropian kishte përmendur në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut, ishte edhe gjendja e refugjatëve romë në kampet në veri të Mitrovicës. Jeta dhe shëndeti i këtyre banorëve, u tha se kërcënohet nga sasia e lartë e plumbit në gjak, për shkak të zonës së kontaminuar.

Lidhur me këto shqetësime, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se problemi është edhe i natyrës politike, pasi që këta refugjatë, sipas tij, janë të manipuluar nga strukturat paralele serbe dhe nuk duan që të largohen nga dy kampet ku janë vendosur, duke shpresuar se kështu, ata do të sigurojnë që të dalin dhe jetojnë jashtë Kosovës.

Kampi i romëve në Mitrovicë
“Së pari, ata nuk mund të binden që të kthehen në vendin e origjinës, sepse kanë ambicie që të shkojnë në një vend të tretë. E dyta, një pjesë e tyre janë të manipuluar nga strukturat paralele në veri, ndërsa komuna, bashkë me donatorë, i kryen të gjitha obligimet që dalin, që t’u mundësohet kthimi në vendin e origjinës”,
thotë Rexhepi.

Një nga shqetësimet tjera të Komisionarit për të Drejtat e Njeriut nga Këshilli i Evropës ishte edhe moszbatimi i ligjeve tashmë të miratuara dhe mosemërimi i Avokatit të Popullit.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, deputeti Ismet Beqiri, thotë se për këto çështje ka biseduar me zyrtarin evropian dhe se Kuvendi do të angazhohet që t’i adresojë në mënyrën e duhur këto probleme, të cilat edhe ai pajtohet se janë reale dhe ekzistuese.

“Ne, ligjet në Kosovë i nxjerrim kryesisht në përputhje me standardet dhe konventat ndërkombëtare, por, megjithatë, nuk do të thotë se në realitetin tonë mes nxjerrjes dhe implementimit nuk ka probleme të caktuara, gjë që do të ndikonte dhe sigurisht ndikon në sfera të caktuara, edhe në shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

“Sikundër që e ngrita edhe unë personalisht çështjen e Avokatit të Popullit, më mirë thënë moszgjedhjen e tij - e kam thënë dhe po e përsëris, se kjo nuk është mirë për institucionet tona, e në këtë rast edhe për Kuvendin”, thotë Beqiri.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, sipas deputetit Beqiri, pritet që shumë shpejt të rregullojë me ligj çështjen e familjeve të personave të pagjetur të luftës, që ishte edhe një nga shqetësimet e Këshillit të Evropës nga aspekti i të drejtave të njeriut.

Beqiri thotë se ka vonesa dhe kjo është evidente, por ai beson se kjo çështje e ndjeshme do të adresohet sërish nga institucionet, përfshirë edhe Kuvendin.

“Të gjitha institucionet tona duhet ta ngrenë këtë çështje, sepse është një numër i madh i atyre që nuk dihet ku janë, por fatkeqësisht është edhe një numër i madh i mbetjeve mortore që ndodhen në morgun e Prishtinës dhe sot e kësaj dite nuk është bërë identifikimi i tyre”.


“Kjo kërkon një koordinim të veprimeve të institucioneve tona dhe atyre ndërkombëtare dhe do të duhej edhe më shumë sensibilizim, sepse është çështje e ndjeshme dhe do të duhej të bëhej më tepër në këtë drejtim”, thekson Beqiri.

Ndryshe, Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hammarberg, në përfundim të vizitës së tij katërditore në Kosovë, e pati vlerësuar si të rëndë gjendjen në dy kampet rome në veri të Mitrovicës.

Ai u kishte bërë thirrje autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare të angazhohen më shumë për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur të luftës, ndërkaq një thirrje tjetër ua adresoi edhe vendeve evropiane, që të mos i kthejnë refugjatët kosovarë në këtë fazë, kur Kosova nuk ka kapacitete që t’i punësojë ata.
XS
SM
MD
LG