Ndërlidhjet

Thaçi siguron llogaridhënie për mjetet e donatorëve


Bruksel, 2008 - Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën
Bruksel, 2008 - Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën

Në Prishtinë i ka zhvilluar punimet Forumi i Nivelit të Lartë të Qeverisë së Kosovës dhe Komunitetit të Donatorëve, ku u diskutua realizimi i donacioneve të zotuara në Konferencën e Donatorëve për Kosovën.



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka siguruar donatorët se Qeveria dhe institucionet tjera vendore do të jenë përgjegjëse dhe do të japin llogari për të gjitha mjetet e dhëna nga donatorët për zhvillimin e Kosovës.

Ai tha se nevojat që i ka Kosova i tejkalojnë kapacitetet e buxhetit të saj, prandaj ai kërkoi mbështetje dhe ndihmë si në çështjet teknike e profesionale, ashtu edhe në ato financiare.

Kryeministri kosovar tha se pa asistencën e komunitetit ndërkombëtar, Kosova nuk do të mund të arrinte këtë shkallë përparimi që e ka sot, që nga shpallja e pavarësisë e këndej.

“Kemi përgjegjësi para popullit të Kosovës për të ndërtuar një vend dhe ekonomi që do të ofrojë shpresë, siguri dhe stabilitet për fëmijët dhe nipërit tanë. Jemi gjithashtu përgjegjës që t’u tregojmë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të fitojmë lirinë tonë dhe që vazhdojnë të investojnë në të ardhmen tonë, që ne vërtet e meritojmë besimin dhe asistencën e vazhdueshme të tyre”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se kriza financiare globale nuk ka shkaktuar barrë për Kosovën deri tani, por pranoi se për shkak të recesionit global, do të ngadalësohet rritja ekonomike.

Ai tha se bruto-produkti vendor në Kosovë është më i ulëti në rajon, ndërsa papunësia më e madhe. Thaçi tha se pret anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, duke shprehur bindjen se kjo do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike.
Do t’i japim një sinjal të qartë tërë botës se Kosova është një mjedis i sigurt e mikpritës për investuesit. Gjithashtu, ne garantojmë se për çdo cent do të ketë llogaridhënie.

Me gjithë vështirësitë me të cilat po përballet Kosova, Thaçi tha se reformat ekonomike nuk do të ndalen.

“Duhet t’i ndjekim këto reforma me shpejtësi. Garanci për këto reforma është instalimi i qeverisjes së mirë, transparente e efikase, sundimi i ligjit, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Do t’i japim një sinjal të qartë tërë botës se Kosova është një mjedis i sigurt e mikpritës për investuesit. Gjithashtu, ne garantojmë se për çdo cent do të ketë llogaridhënie”,
u shpreh Thaçi.

Ndërkohë, Lawrence Meredith, përfaqësues nga Komisioni Evropian, dega për investime, tha se e përshëndeste përparimin e bërë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Ai tha se i kupton shqetësimet e Kosovës se kriza globale financiare mund ta atakojë edhe ekonominë kosovare.

Por, ai premtoi se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Kosovën që të gjejë mënyra për t’u ballafaquar me krizën.

“Ne e kemi mundësinë sot që të bisedojmë për përparimet e bëra që nga korriku i vitit të kaluar dhe po ashtu të shqyrtojmë edhe sfidat që na presin përpara”, tha Meredith.

Ndërkaq, Patricia Rader, nga USAID, premtoi ndihmën e vazhdueshme të Qeverisë amerikane për Kosovën.

“Qeveria amerikane është mbështetëse e fuqishme e Kosovës dhe si një prej donatorëve më të mëdhenj, ka premtuar rreth 400 milionë dollarë për zhvillimin e Kosovës”, tha ajo.

Nga Konferenca e Donatorëve, e mbajtur në Bruksel në korrik të vitit të kaluar, është premtuar ndihma prej 1.2 miliard eurosh për zhvillimin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj. Ndihma më e madhe u zotua nga Bashkimi Evropian, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët e Qeverisë thanë se deri më tani, rreth një e treta e këtyre fondeve janë realizuar. Kurse, gjatë dy vjetëve të ardhshëm pritet të realizohet edhe pjesa më e madhe e mjeteve të premtuara. Këto donacione u tha se dedikohen kryesisht për infrastrukturën e rrugëve, arsim, shëndetësi, drejtësi, si dhe çështje të tjera.
XS
SM
MD
LG