Ndërlidhjet

Zgjerimi i NATO-s, siguri për Kosovën e rajonin


Prishtina ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe ka ritheksuar zotimet se edhe Kosova aspiron të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.



Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është përshëndetur nga instancat më të larta politike të Kosovës, duke besuar se Shqipëria në NATO nënkupton stabilitet për tërë rajonin.

Presidenti Fatmir Sejdiu e ka uruar presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, duke vlerësuar se anëtarësimi në NATO paraqet një akt madhor dhe të shumëpritur, që e shndërron përfundimisht rajonin në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit.

“Padyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike”, ka thënë në këtë telegram Sejdiu, duke besuar se integrimi në NATO nënkupton liri për brezat që do të vijnë.

Qeveria e Kosovës

Po ashtu, edhe Qeveria e Kosovës vlerëson se siguria dhe stabiliteti i rajonit, por edhe i Kosovës, kanë fituar një dimension të ri. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerësoi se përfitues nga anëtarësimi në NATO nuk është vetëm Shqipëria, por edhe Kosova.



“Përkrahim Shqipërinë si anëtare të NATO-s dhe presim e urojmë që së shpejti të jetë edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Për Kosovën, por edhe për rajonin, reflekton drejtpërdrejt në stabilitet, mundësi të progresit të përgjithshëm të Kosovës dhe vendeve të rajonit”,
tha Manaj.

Këto komente, Manaj i bëri pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka. Ky i fundit tha se të gjitha arritjet qe i realizon Shqipëria në këtë fazë, i atribuohen edhe Kosovës.
Kosova tash ka fatin që të kufizohet me një anëtar të NATO-s në kufi. Dhe, ky anëtar i NATO-s nuk është një shtet i huaj për Kosovën, por është Shqipëria.

“Kosova tash ka fatin që të kufizohet me një anëtar të NATO-s në kufi. Dhe, ky anëtar i NATO-s nuk është një shtet i huaj për Kosovën, por është Shqipëria, dhe dihen lidhjet dhe specifika e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën”, u shpreh Lauka.

Hapave të Shqipërisë për anëtarësim në NATO mëton të ecë edhe Kosova. Mirëpo, Kosova aktualisht ka në formim e sipër forcën e vet të sigurisë, e cila ngrihet pikërisht nga Aleanca Veri-atlantike.

Por, sidoqoftë, ish-kryeministri Agim Çeku, kryetar i Bordit të Klubit Euroatlantik të Kosovës, thotë se në këtë fazë, Kosova ka mundur të aplikojë për anëtarësim në kuadër të Partneritetit për Paqe.

“Ne jemi duke u vonuar pak, pasi që menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ne e kemi fituar të drejtën për aplikim për anëtarësim në Partneritetin për Paqe. Çuditem pse institucionet tona nuk e kanë filluar këtë proces”, tha Çeku.

Hyrja e Shqipërisë në NATO vlerësohet si moment i rëndësishëm për tërë rajonin edhe nga profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti. Ai beson se rajoni, por edhe Kosova, ndihen më të sigurta tash kur kanë në brendinë e vet forcën më të fuqishme ushtarake botërore.

“Konsideroj se hyrja e Shqipërisë në NATO paraqet një moment të rëndësishëm së pari për vetë Shqipërinë, sepse përfundimisht bëhet pjesë e kësaj organizate politike e ushtarake, që për momentin paraqet organizmin më të fuqishëm botëror në fushën e sigurisë. Ndërkohë që efektet e saj pozitive natyrisht shtrihen për gjithë rajonin, sepse Ballkani Perëndimor gradualisht po transformohet nga një rajon krize në një rajon që prodhon stabilitet”, tha Hoti.

Ndryshe, Prishtina zyrtare ka përshëndetur zgjerimin e NATO-s me Shqipërinë e Kroacinë, duke rikonfirmuar synimet që edhe Kosova mëton që një ditë të jetë pjesë e kësaj Aleance ushtarake.
XS
SM
MD
LG