Ndërlidhjet

Zotimet për ndërtimin e një shoqërie demokratike


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Në përmbyllje të vizitës dyditore në Prishtinë, grupi i deputetëve të Parlamentit Evropian dhe Kuvendi i Kosovës nxorën një deklaratë të përbashkët, me të cilën njihen përparimet në Kosovë dhe paraqiten vizione për kalimin e shumë sfidave që presin shtetin më të ri.


Kuvendi i Kosovës dhe një grup i deputetëve nga Parlamenti Evropian për Evropën Juglindore kanë nxjerrë sot një deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehet mirënjohje për zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë, një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës.

”Megjithatë, incidente të raportuara dhe ngjarjet tjera që në raste të caktuara e bëjnë situatën të brishtë, nuk duhet të nënvlerësohen”, thuhet në deklaratë.

Deputetët kosovarë dhe ata evropianë pajtohen që institucionet e Kosovës duhet t’i marrin përgjegjësitë politike për ndërtimin e një shoqërie shumetnike e me vlera demokratike evropiane.

Pas takimit të përbashkët, ku edhe u miratua kjo deklaratë, eurodeputetja Doris Pack, kryesuese e këtij delegacioni, tha se këto dy ditë ka parë shumë përparime në Kosovë.

Por, ajo tha se kishte edhe disa shqetësime për nivelin e shkollimit të kuadrove kosovare, për luftimin jo të mjaftueshëm të korrupsionit dhe për gjendjen jo të mirë të pakicës serbe. Te kjo e fundit, Doris Pack tha se faji kryesor mbetet tek Beogradi, i cili nuk e lejon këtë komunitet të integrohet.
Integrimi është i mundur, nëse të tjerët e lejojnë këtë. Serbët që nuk jetojnë në Kosovë, nuk duhet të lejohet që të ndërhyjnë në jetën e atyre që jetojnë në Kosovë.

“Mendoj se Beogradi duhet ta kuptojë se serbët që jetojnë në Kosovë, në atdheun e tyre, duhet të angazhohen në politikë, në ndërtimin e strukturave demokratike. Integrimi është i mundur, nëse të tjerët e lejojnë këtë. Serbët që nuk jetojnë në Kosovë, nuk duhet të lejohet që të ndërhyjnë në jetën e atyre që jetojnë në Kosovë”, tha Doris Pack.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se gjatë dy ditëve të takimeve me eurodeputetët, grupi i deputetëve kosovarë paraqiti gjendjen aktuale në Kosovë dhe perspektivën e saj. Krasniqi tha se Kosova pret rastin që të përfshihet në bisedime me strukturat evropiane në kuadër të proceseve integruese.

“Për të siguruar një perspektivë të qartë dhe të sigurt evropiane për Kosovën, ne presim që kjo të bëhet e mundur sidomos pas studimit të fizibilitetit, që do të bëhet këtë vjeshtë, duke ndërtuar raporte kontraktuale midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kuvendi ynë përbën institucionin kyç për mbarëvajtjen e proceseve të integrimeve evropiane të Kosovës”, tha Krasniqi.

Në përmbyllje të këtyre takimeve, Doris Pack u tha ligjvënësve kosovarë se Kosova edhe më tutje mund të llogarisë në mbështetjen e Parlamentit Evropian, që ky vend të jetë më afër integrimeve.

Ndërkaq, ka porositur institucionet që t’i vazhdojnë reformat dhe decentralizimin, si dhe është përshëndetur puna e EULEX-it në drejtim të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG