Ndërlidhjet

Disa pjesë më sfiduese për EULEX-in


“Disa pjesë të Kosovës janë më sfiduese sesa tjerat dhe ky fakt nuk është sekret”, thonë zyrtarë të EULEX-it. Sipas tyre, në pjesën veriore të Kosovës ka nevojë për një sqarim më të madh për punën e misionit të EULEX-it.

Ka pjesë të Kosovës në të cilat misioni i EULEX-it ballafaqohet me më shumë sfida, thonë zyrtarët e Bashkimit Evropian, duke iu referuar funksionimit të këtij misioni nëpër lokalitetet e banuara me shumicë serbe.

Karin Limdal, zëdhënëse e EULEX-it në Prishtinë, thotë se Kosova në përgjithësi ballafaqohet me sfida të shumta të zbatimit të rendit dhe ligjit. Për këtë arsye, EULEX-i është i pranishëm në Kosovë, pohon ajo.

Sa u përket enklavave serbe, Limdal thotë se ka një bashkëpunim të kënaqshëm me serbët lokalë, por, sipas saj, sfidat e funksionimit të këtij misioni dallojnë kur janë në pyetje viset e ndryshme të Kosovës.

“Disa pjesë të Kosovës janë më sfiduese sesa tjerat dhe ky fakt nuk është sekret. Në pjesën veriore të Kosovës ka nevojë për një sqarim më të madh për punën e EULEX-it, për çka ne jemi këtu. Por, sidoqoftë, mandati i misionit të EULEX-it është që të kontribuojë për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe konsiderojmë se ky është një kontribut i madh që BE-ja po i bën Kosovës”, thotë Limdal.

Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se nuk janë të kënaqur me dinamikën e dislokimit të misionit të EULEX-it dhe marrjen e përgjegjësive që ka ky mision. Zvonimir Steviq, kryetar i qendrës koordinuese serbe, kritikon EULEX-in se ende nuk ka filluar të funksionojë në mjediset e banuara me serbë.

“Për fat të keq, më duhet të konstatoj se ajo që kanë pritur serbët dhe të tjerë nga komunitetet joshqiptare në Kosovë, lidhur me vendosjen e EULEX-it, nuk po shkon me dinamikën e dëshiruar dhe ky mision nuk po funksionon me kapacitete të plota”, thotë Steviq.

Sipas tij, përkundër faktit se EULEX-i ka shpallur zyrtarisht funksionimin me kapacitete të plota në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur nëpër mjediset e banuara me serbë.

Mirëpo, zëdhënësja e EULEX-it rikujton se ky mision ka dislokuar personelin e vet edhe nëpër enklavat serbe.

“Kemi policë të EULEX-it të vendosur në stacionet policore në Graçanicë, në Shtërpcë apo vise tjera të banuara me serbë. Kurse, në veri kemi doganierët e vendosur në portat 1 dhe 31, ku ende po presim që t’i kthejmë edhe doganierët e Kosovës”, tha Limdal.

Po ashtu, edhe në veri, thekson ajo, ka gjykatës, prokurorë dhe policë të EULEX-it, të cilët pritet të ndihmohen në të ardhmen edhe nga stafi vendor, i cili për shkak të rrethanave ekzistuese në këtë pjesë të Kosovës, ende nuk është funksional.

Misioni i EULEX-it ka filluar mandatin në Kosovë më 9 dhjetor, ndërkaq ka shpallur fillimin e punës me kapacitete të plota, këtë javë, më 6 prill. Ky mision ka pranuar tashmë dosjet e UNMIK-ut dhe ka për qëllim që të ndihmojë Kosovën në fushat e sundimit të rendit dhe ligjit.
XS
SM
MD
LG