Ndërlidhjet

Prishtina e bindur se do të fitojë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Nga 17 prilli, në GJND fillon procesi i interpretimit legal të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prishtina zyrtare pret interpretim pozitiv nga ky institucion. Por, opozita shprehet e pakënaqur me transparencën e institucioneve gjatë përgatitjeve për këtë proces gjyqësor.


Kosova pret interpretim pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e saj.

Udhëheqësit e institucioneve thonë se përgjigjet me shkrim të Kosovës do të deponohen me shkrim te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 17 prill, ku jepen faktet dhe argumentet e shpalljes së Kosovës së pavarur në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Vlerësim pozitiv pret edhe opozita, por duke kritikuar institucionet për jotransparencë gjatë përgatitjeve të bëra për këtë proces gjyqësor.

Sidoqoftë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se Kosova ka argumente të mjaftueshme që të paraqitet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto argumente do të prezantohen nga përfaqësuesi i Kosovës, britaniku Michael Wood. Presidenti Sejdiu thotë se pret që Wood ta prezantojë Kosovën ashtu si edhe e meriton.
Mendoj se është një dokument i shkëlqyeshëm dhe dokument që sjell argumentet më të rëndësishme të mundshme për të gjitha zhvillimet tona.

“Ne jemi konsultuar mirë dhe gjithçka që është kërkuar nga institucionet e Kosovës, ato i kanë ofruar dhe natyrisht që kemi bashkëpunuar edhe me z.Wood si udhëheqës. Mendoj edhe një herë se është një dokument i shkëlqyeshëm dhe dokument që sjell argumentet më të rëndësishme të mundshme për të gjitha zhvillimet tona. Kosova është e lirë, e pavarur dhe ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare”, deklaroi Sejdiu.

Ndërkohë, lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka besim të plotë se pavarësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe këtë realitet e pranon edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Por, ai shprehet mjaft i zhgënjyer me transparencën e institucioneve dhe me përfshirjen e opozitës në këtë proces përgatitor. Haradinaj thotë se në mungesë të informacioneve nga vendorët, ai është informuar nga ndërkombëtarët për këtë proces.

“Ne u kemi dhënë përkrahje të plotë ekspertëve që u është besuar kjo përgjegjësi nga institucionet e vendit dhe mendojmë se e kanë nivelin ta përfaqësojnë Kosovën, por jemi të shqetësuar me nivelin e përgatitjeve të brendshme”.

“Ta zëmë, me siguri dikush i ngarkuar nga institucionet e vendit i di të gjitha temat, por ne nuk kemi pasur asnjë konsultë me këta njerëz të ngarkuar nga institucionet e vendit për këtë temë. Do të thotë, ndërkombëtarët na kanë konsultuar, por nga pala vendore kush nuk ka ardhur të marrë qoftë një mendim, shpjegim, një këshillë apo një ndihmesë nga ana jonë”, thotë Haradinaj.

Edhe subjekti tjetër opozitar, Aleanca Kosova e Re, shprehet e pakënaqur me transparencën gjatë përgatitjes së fakteve të Kosovës për GJND. Ibrahim Gashi, nënkryetar i AKR-së, thotë se megjithatë pret që Kosova, e mbështetur nga miqtë e saj ndërkombëtarë, ta fitojë këtë betejë të drejtësisë para GJND-së.

GJND
“Unë konsideroj se Kosova, në këtë interval prej shpalljes së pavarësisë, ka qenë e rrethuar, e mbështetur prej diplomacive mike dhe konsideroj se zëri i tyre mbrojtës, në njëfarë mënyre argumentues për Kosovën dhe aktin e shpalljes së pavarësisë së saj, nuk do të mungojë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”,
tha Gashi.

Nga 17 prilli, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t’i ketë në shqyrtim qindra faqe me argumente për pavarësinë e Kosovës nga pala kosovare dhe po ashtu edhe qindra faqe që e kundërshtojnë këtë të drejtë, që paraqiten nga ana e Serbisë.

Po ashtu, edhe vendet anëtare të OKB-së kanë të drejtë t’i deponojnë me shkrim mendimet e tyre në lidhje me atë se ishte apo nuk ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare shpallja dhe njohja e Kosovës së pavarur.

Prishtina pret mbështetjen nga vendet që e kanë përkrahur pavarësinë e saj, kurse Beogradi nga vendet që e kanë kundërshtuar këtë pavarësi.

Sidoqoftë, GJND-ja do të japë një mendim këshillëdhënës, i cili nuk besohet se do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës. Por, efektet thuhet se mund të jenë politike, si në rast të mendimit pozitiv, ashtu edhe negativ, të cilat mund të ndikojnë në dinamikën e njohjes së Kosovës si shtet nga vendet tjera.
XS
SM
MD
LG