Ndërlidhjet

Opozita dhe analistët dyshojnë në përgatitjet për GJND


Prishtina
Prishtina

Opozita dhe analistët vënë dyshime nëse institucionet kanë arritur t’i artikulojnë të gjitha argumentet për pavarësinë e Kosovës në deklaratën tashmë të deponuar tek GJND-ja në Hagë.


Me kritikat për Qeverinë e Kosovës për mungesë transparence gjatë përgatitjes së deklaratës për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, partitë opozitare si dhe analistët shpresojnë se mendimi këshillëdhënës i kësaj Gjykate, do të jetë në favor të Kosovës.

Partitë opozitare nuk e mohojnë se kanë qenë tërësisht të injoruara gjatë përgatitjeve të Kosovës për procesin në Hagë. Sidoqoftë, ato besojnë në drejtësinë ndërkombëtare dhe vendet mike se do ta ndihmojnë Kosovën.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se institucionet nuk i kanë bërë përgatitjet e duhura për këtë proces. Jotransparenca, sipas tij, tregon qartë se Qeveria nuk është e përgatitur për procesin në Hagë.

Sidoqoftë, Ahmet Isufi beson në drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësisht, siç thotë ai, dobësive në përgatitjet e Prishtinës, ai pret që procesi të përfundojë pozitivisht për Kosovën.

“Dobësia qëndron në anën e institucioneve tona, të cilat nuk i kanë bërë veprimet e duhura, në mënyrë që të kemi një mbrojtje më të fuqishme. Besimi është më shumë në drejtësinë ndërkombëtare. Prandaj, ne konsiderojmë se do të jetë në anën e Kosovës e drejta, sepse të gjitha parametrat e deritashëm kanë treguar që Kosova meriton pavarësinë e saj”, thotë Isufi.

Ndërkohë, analisti Ramush Tahiri thotë se Kosova ka argumente që dëshmojnë se shpallja e pavarësisë ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ai e sheh si shumë të rëndësishëm faktin që shpallja e pavarësisë nuk ishte kundërshtuar nga UNMIK-u dhe se ajo ishte shpallur në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesën dërrmuese të vendeve të BE-së.

“Ajo që për ne në këtë rast është e rëndësishme, është se edhe pse ky fakt është bërë publik (shpallja e deklaratës së pavarësisë), nuk është kundërshtuar nga zyra e UNMIK-ut dhe nuk është hedhur poshtë si ka ndodhur në raste tjera dhe nuk është kundërshtuar as nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së”, thekson Tahiri.

Analisti Ramush Tahiri, megjithatë, kritikon institucionet se nuk kanë arritur t’i bëjnë përgatitjet e duhura për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pavarësisht se shpallja e pavarësisë, sipas tij, ishte e drejtë, megjithatë ai kritikon Qeverinë se është mbështetur vetëm në mbrojtjen ndërkombëtare.
Ashtu siç qëndrojnë gjërat në procesin e Hagës, Tahiri pret që mendimi këshillëdhënës i GJND-së lidhur me pavarësinë e Kosovës, të mos merret, siç pret Prishtina, brenda 1 viti, por pret që procesi të zgjasë për 3 - 4 vjetët e ardhshëm.

“Mendoj se mbrojtja e Kosovës do të jetë e mangët, por duhet pasur shpresë në mbrojtjen që do ta bëjnë shtetet tjera, Shqipëria, SHBA dhe vendet tjera, sepse kthim prapa nuk ka. Dhe, pavarësisht se argumentet e Kosovës do të jenë shumë të vakta dhe shumë të dobëta, unë shpresoj që gjendja do të zgjasë 3 – 4 vjet dhe në ndërkohë pavarësia e Kosovës do të jetë akt i kryer dhe Gjykata do ta pranojë realitetin”,
thotë Tahiri.

Ndërkaq, Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, përveç se konfirmon se nuk e di përmbajtjen e dokumentit të prezantuar tashmë nga Kosova në Hagë, kritikon Qeverinë se e ka lënë anash edhe botën akademike e intelektuale. Ndërsa beson se argumentet janë në anën e Kosovës, ai dyshon nëse ato janë përmbledhur në deklaratën e prezantuar në Hagë.

“Kosova ka shumë argumente, ka me mijëra argumente, të cilat e dëshmojnë të drejtën historike, politike e juridike të popullit të Kosovës për shtet, por se sa do të jenë në gjendje që këto t’i artikulojnë, t’i paraqesin drejt, është pikëpyetje për mua, sepse nuk jemi përbrenda procesit dhe nuk mund ta dimë. Por, Kosova ka me mijëra argumente, të cilat janë në favor të saj”,
deklaron Makolli.

Nga 17 prilli, Kosova dhe Serbia i kanë deponuar deklaratat e tyre në lidhje me pavarësinë e Kosovës tek GJND-ja. Deri më 17 korrik, palët do t’i kundërshtojnë argumentet e njëra-tjetrës, para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vendosë nëse do të thërrasë edhe seanca dëgjimore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG