Ndërlidhjet

Thaçi: Ata që pengojnë kthimin janë të dështuar


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi nga kryetarët e komunave që të angazhohen për kthimin e të gjithë personave të zhvendosur në shtëpitë dhe pronat e tyre. Ata që i kundërvihen kthimit, Thaçi i quajti të dështuar.


Qeveria e Kosovës mbështet kthimin e të gjithë personave të zhvendosur nëpër shtëpitë dhe pronat e tyre, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, duhet të lejohet të kthehen nëpër shtëpitë dhe pronat e tyre, tha Thaçi. Kryeministri ka thirrur sot një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, të cilëve u ka kërkuar angazhim në kthimin dhe garantimin e sigurisë për të gjithë të kthyerit.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do t’i kundërshtojë të gjithë ata që përpiqen të pengojnë kthimin. Kundërshtimi i kthimit të njerëzve nëpër shtëpitë e tyre do të ishte dështim, nënvizoi Thaçi.

“Dëshiroj të theksoj se ata që përpiqen ta pengojnë këtë kthim, të çfarëdo etnie qofshin, apo që janë të interesuar që në Kosovë të mos ketë qetësi, integrim dhe jetë dinjitoze, janë të dështuar”.

“Vendosmëria e Qeverisë së Kosovës, e të gjitha institucioneve, autoriteteve lokale, por edhe vullneti i qytetarëve, është për ecje përpara, është për implementimin e prioriteteve tona dhe vazhdimin e krijimit të hapësirës, klimës dhe vendit tonë demokratik”,
tha Thaçi.

Duke u ndërlidhur me problemet aktuale në Mitrovicë, ku tashmë ka filluar procesi i parë i kthimit të banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të qytetit, kryeministri Thaçi tha se ky është vetëm një projekt dhe se shumë shpejt do të kthehen edhe të zhvendosurit tjerë në jug apo veri.

Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë

"Ne, si Qeveri e Kosovës, i mbështesim përpjekjet e autoriteteve vendore e ndërkombëtare të sigurisë, të policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, për të garantuar sigurinë dhe kthimin si në veri, ashtu edhe në jug dhe në gjithë Mitrovicën”,
theksoi kryeministri Thaçi.


Në emër të kryetarëve të komunave, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se pavarësisht problemeve aktuale në veri, gjendja e sigurisë, sipas tij, sot është shumë më e mirë se në të kaluarën.

Ai tha se autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk do të lejojnë që dikush tjetër të vendosë nëse njerëzit duhet apo nuk duhet të kthehen nëpër shtëpitë dhe pronat e tyre.

“Është një situatë shumë më e mirë e sigurisë, është një lëvizje e lirë për të gjitha komunitetet dhe ta largojmë politikën dhe ta shikojmë këtë si të drejtë legjitime dhe humanitare të njerëzve që të kthehen nëpër shtëpitë, pronat e tyre”.

“Ka individë të caktuar... ne po ballafaqohemi në Mitrovicë, ku grupe të caktuara dëshirojnë të vendosin për fatin e të tjerëve, që ne nuk do ta lejojmë. Është mirë që edhe faktori ndërkombëtar është i përkushtuar që këto parime t’i realizojë dhe të krijojë një ambient të sigurt për të gjithë ata që duan të kthehen në pronat e veta”, tha Bajram Rexhepi.

Gjatë takimit, kryeministri si dhe kryetarët e komunave janë angazhuar edhe për garantimin e një sigurie më të lartë për qytetarët që duan të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, në mënyrë që kushtet e sigurisë të mos jenë përcaktuese në rastet kur njerëzit duan të kthehen dhe të jetojnë në pronat e tyre.
XS
SM
MD
LG