Ndërlidhjet

Partitë politike nisin bisedimet për koalicione


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Derisa po afrohet koha e shpalljes së zgjedhjeve lokale, PDK dhe LDK thonë se koalicionin e tyre e bashkon programi qeverisës, ndërkaq AAK dhe LDD nuk e përjashtojnë mundësinë që të hyjnë në koalicion pas zgjedhjeve.



Partitë politike në Kosovë i kanë nisur tashmë konsultimet mes vete, me qëllim të krijimit të koalicioneve pas zgjedhjeve lokale, që parashihet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Zgjedhjet lokale kanë specifikat e veta, kështu që partitë, aktualisht më të mëdha në Kosovë, thonë se formulat që mund të përdoren nëpër komuna për krijimin e qeverive komunale, nuk do të jenë të njëjtat me formulën qeverisëse, që do të kërkohet pas zgjedhjeve të përgjithshme, parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës beson në fuqinë e saj dhe pret që, e ndihmuar nga partneri aktual, LDK-ja, të zgjerojë shtrirjen e pushtetit nëpër komunat e Kosovës.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se tash për tash është herët të dihen partnerët e saj, por nuk beson se do të ketë ndryshime në koalicionin aktual PDK – LDK.
Ne kemi një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithatë gara për zgjedhjet lokale ka karakter tjetër dhe secila parti ka të drejtë të konkurrojë me programet e veta.

“Ne kemi vizionin tonë, kemi planin dhe programin tonë, që është njëkohësisht edhe pjesë integrale e programit qeverisës. Ne kemi një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithatë gara për zgjedhjet lokale ka karakter tjetër dhe secila parti ka të drejtë të konkurrojë me programet e veta”, thotë Stavileci.

Ndërkaq, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, koalicionet e ardhshme nuk janë aq brengosëse, sa janë reformat dhe strukturimet e brendshme.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraqija, thotë se kjo parti duhet t’i përfundojë fillimisht strukturimet dhe reformat, e më pas të vendosë për partnerë të mundshëm.

Haraqija nuk sheh vija të kuqe e as të jeshile se me cilat parti do të preferonte LDK-ja të qeveriste nëpër komunat e Kosovës apo edhe në nivelin qendror, edhe pse do të preferonte profilin e djathtë.

“Ne jemi duke e riorganizuar partinë dhe pasi jemi parti e djathtë, jemi deklaruar si parti e djathtë, do të punojmë në atë frymë për parti të djathtë. Me siguri që do të jenë edhe vijat e kuqe, edhe vijat e gjelbra, por ende s’e kemi përfunduar. Javën e ardhshme do ta kemi një konferencë, më 11 maj, dhe prej kësaj date do të fillojë një organizim total i LDK-së”, thekson Haraqija.

Ndërkohë, dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e pranojnë se kanë mbajtur kontakte, me qëllim të formimit të koalicionit të mundshëm.

Besa Gaxherri, nga LDD-ja, thotë se profilizimi dhe programi partiak do të duhej të ishin përcaktues për afrimin e partive politike mes vete.
Më afër jemi me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por ende nuk ka asgjë konkrete...

“Më afër jemi me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por ende nuk ka asgjë konkrete. Mund të them se nuk ka as vija të kuqe me subjektet tjera politike, por është koha që të profilizohen partitë e profilit të njëjtë me programe, vizione të përafërta. Mendoj se nuk është gjithçka të jesh në pushtet".

"E rëndësishme është që edhe nëse je opozitë, të jesh e fuqishme; por, në qoftë se je në pushtet, vërtet të jesh i gatshëm t’i marrësh përgjegjësitë për të bërë ndryshime”,
thotë Gaxherri.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, thotë se partitë politike po i nënshtrohen një procesi të strukturimit të brendshëm, andaj, sipas tij, është herët të flitet sidomos për koalicione parazgjedhore.

“Ne jemi më afër me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, sepse kemi synime të njëjta në kuptimin e zhvillimit politik në Kosovë. Por, ka rëndësi shumë procesi, i cili do të kalojë këtë kohë. Më së afërmi do të jemi me partitë, të cilat kanë konceptin e djathtë dhe të cilat janë në zhvillim e sipër, në kuptimin e afrimit me AAK-në”, thotë Isufi.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka paralajmëruar thirrjen e një takimi konsultativ me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Sidoqoftë, para se të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme, partitë garuese kanë obligim ligjor që t’i mbajnë edhe zgjedhjet e brendshme partiake. Vetëm atëherë, thuhet se udhëheqësitë e reja të partive do të mund të vendosin përfundimisht për koalicionet e reja.
XS
SM
MD
LG