Ndërlidhjet

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare


Mitrovicë
Mitrovicë
Me qëllim të parandalimit të veprimeve kriminale, organet e rendit në Kosovë pohojnë se janë të përkushtuara në mbrojtjen e të gjitha objekteve të trashëgimisë kulture dhe fetare. Naim Rexha, nga Policia e Kosovës, thotë se në kuadër të këtyre përgjegjësive, hyn edhe mbrojtja e monumenteve fetare dhe të kultit, e me theks të veçantë kishat ortodokse.

“Si rrjedhojë e Pakos së Ahtisaarit, Policia e Kosovës e ka obligim ruajtjen e trashëgimisë kulture dhe fetare në Kosovë. Për të bërë një gjë të tillë, ne kemi një urdhër operativ, i cili i përfshin edhe instancat më të ulëta organizative të Policisë së Kosovës, urdhër i cili është mjaft fleksibil dhe varet edhe prej aktorëve tjerë për çështjen në fjalë”, tha Rexha.

Nënkoloneli Rexha pohon se me një vendim të Qeverisë së Kosovës, 17 objekte fetare serbe sigurohen 24 orë pa ndërprerë nga Policia e Kosovës, por asnjë objekt kulturor mysliman.

Megjithatë, nënkoloneli Rexha thotë se ka pasur disa raste të arrestimit të personave që kanë kryer vepra penale ndaj trashëgimisë kulturore, mirëpo jo raste që ndërlidhen me çështje etnike e fetare, por, siç thotë ai, për përfitime materiale. Vetëm gjatë këtij viti, shtatë raste janë identifikuar që kanë kryer vepra penale ndaj trashëgimisë kulturore, tha Rexha.

”Kryesisht kemi të bëjmë me interesimin e tyre për të ardhur tek legurat e ndryshme, prej të cilave përbëhen këto objekte. Zakonisht kemi legura të plumbit dhe zinkut; këto legura në treg shkojnë shtrenjtë. Ky është argumentacion i asaj që motivi nuk ka qenë i ndonjë urrejtjeje ndërfetare, por për përfitime materiale”, shprehet Rexha.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se i kushtojnë vëmendje të veçantë trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë. Burbuqe Deva, udhëheqëse e Departamentit për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës, thotë se kanë arritur rezultate të caktuara në fushën e sigurisë, edhe pse, sipas saj, rrezikshmëria e trashëgimisë kulturore ekziston në të gjitha objektet kulture.

Ajo, ndërkaq, thotë se vendimi për sigurimin e objekteve fetare është marrë pas trazirave të marsit të vitit 2004.

“Një kohë, edhe Ministria e Kulturës, përmes një kompanie të sigurimeve, ka bërë ruajtjen e këtyre monumenteve. Mirëpo, nga 13 shkurti i vitit 2009, sigurimi i këtyre monumenteve ka kaluar në duar të Policisë së Kosovës. Por, jo të gjitha monumentet ortodokse serbe mbrohen nga Policia e Kosovës. Është bërë një listë e ngushtë se cilat objekte është menduar se janë më të rrezikuara...”, tha Deva.

Por, arkeologia Edi Shukriu pohon se trashëgimia kulturore dhe fetare duhet të jetë përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe nuk është e nevojshme, siç thotë ajo, që në hapësirat e tyre të ngrihen mure artificiale. Ajo madje thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijesohen se këto objekte janë pasuri kulturore e Kosovës dhe nuk i përkasin një subjekti të caktuar fetar.

“Faktikisht, të gjitha objektet me vlera kulturore duhet të jenë nën përkujdesje, por jo rreth tyre të ngrihen mure artificiale apo të jetë e ndaluar hyrja e vizitorëve”, tha Shukriu.

Lidhur me këtë nuk pajtohet as Burbuqe Deva, nga Ministria e Kulturës, por ajo thotë se kjo është çështje politike.

“Zakonisht, trashëgimia kulturore përdoret si mjet për promovimin e vlerave dhe gjithmonë duhet të jetë e hapur. Mirëpo, kemi raste që kisha të caktuara, që janë me vlera të larta botërore, janë të rrethuara me gjemba. Kjo rrethojë është e papranueshme edhe për të gjithë organizmat ndërkombëtarë që merren me trajtimin e fushës se trashëgimisë kulture. Mirëpo, për momentin nuk kemi mundur të ndikojmë që të largohen ato gjemba, por, me kohë, ato do të largohen”, pohoi Deva.

Sidoqoftë, Burbuqe Deva thekson se për investime në fushën e trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka ndarë një shumë mbi 1 milion euro.
XS
SM
MD
LG