Ndërlidhjet

Në kërkim të ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Para se të shpallet data e zgjedhjeve lokale në vend, gratë deputete të Kuvendit të Kosovës kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, duke dashur që në zgjedhjet lokale të mos votohet një subjekt e një kandidat, por një subjekt e 6 kandidatë.

Gratë parlamentare të Kosovës kanë kërkuar që të bëhet ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, ku kërkohet të mos votohet një subjekt politik dhe një kandidat, por një subjekt politik dhe gjashtë kandidatë.

Ligji për Zgjedhje parasheh pjesëmarrje të grave 30 për qind, ndërsa Ligji për Barazi Gjinore 40 për qind. Flora Brovina, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se Ligji për Zgjedhje edhe pse garanton pjesëmarrje dhe përfaqësim në Parlament, nuk korrespondon me Ligjin për Barazi Gjinore.

“Neni 27 i Ligjit thotë se çdo e treta është grua. Ne nuk mund të imponojmë votuesin që gjithsesi të votojë për gratë, por ia japim sugjerimin dhe në bazë të ligjit dhe fushatës që do të bëjmë, që ata mund të zgjedhin edhe ndonjë grua. Këtu është në pyetje edhe motivi për të dalë në zgjedhje, për t’u kandiduar; nëse ne marrim vota, marrim edhe obligime”, thotë Brovina.

Sanije Aliaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pohon se gratë në Kosovë kanë mbetur në hijen e një përkufizimi të padrejtë dhe, sipas saj, u nevojitet më tepër mbështetje dhe hapësirë.

Në mënyrë që Ligji për Zgjedhjet në Kosovë të bëhet më funksional dhe demokratik, ajo thotë se duhet të ndryshohet pjesa ku drejtpërdrejt atakon pjesëmarrjen e grave.

“Së paku t’u jepet mundësia që me votën e merituar, të shkojnë femrat në Parlament, e jo vetëm të plotësojnë kriterin e kuotës. Pra, është një shans shumë i mirë që përveç politikës së orientuar, sepse ne zakonisht jemi të bindur që prijësit të listës t’i jepet vota, elektorati të ketë mundësi të zgjedhë edhe femra, të cilat e meritojnë
”, shprehet Aliaj.

Edhe Donika Kadaj Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se është koha e fundit që gratë të mos jenë vetëm pjesë e kuotave, kur, siç thotë ajo, ato kanë mundësi të marrin vota të drejtpërdrejta dhe të jenë të përfaqësuara në Kuvend.

Ajo çfarë kërkojmë, është që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të hapur për të bërë përzgjedhjen e tyre, qoftë meshkuj, qoftë femra. Mirëpo, konsiderojmë se duke iu dhënë mundësia që të mos përkufizohen në një, por të kenë hapësirë për gjashtë persona dhe duke konsideruar se shoqëria jonë përbën 50 për qind të popullsisë femra, do të kemi shanse të barabarta në garë dhe do të votohen edhe femrat në mesin e gjashtë kandidatëve”, thotë Kadaj Bujupi.

Ndryshe, Flora Macula, nga UNIFEM-i, pohon se iniciativa e grave deputete është shumë e rëndësishme dhe indikator për vetëbesimin më të lartë të tyre, sa i përket demokratizimit. Ajo po ashtu e vlerëson kërkesën si të qëlluar për momentin dhe situatën politike në vend.

“Vendimi që të votohet vetëm për një kandidat do të ndikojë si te gratë, edhe te burrat njësoj, sepse njeriu afër liderit do të ketë mundësi më shumë të votohet, buxheti i partisë për kampanjë do të fokusohet në atë njëri. Ne e dimë se gratë në parti nuk kanë pozitë shumë të lartë, nuk ka buxhet për to. Dhe, prapë do të humbin rastin që të votohen direkt nga popullata jo vetëm gratë, por edhe shumë burra tjerë”, deklaron Macula.

Ndryshe, Ligji për Zgjedhjet ka qenë në mesin e ligjeve që burojnë nga dokumenti i Martti Ahtisaarit. Miratimi i tyre në Kuvend, pa shqyrtim, ka anashkaluar të gjitha procedurat, me të cilat punon Kuvendi, por kjo ishte bërë me pajtueshmëri të plotë nga i gjithë spektri politik i Kosovës.
XS
SM
MD
LG