Ndërlidhjet

Autostrada Vërmicë-Merdare


Pas përurimit të njërit krah të tunelit të Kalimashit përgjatë autostradës Morinë-Kukës-Durrës, autoritetet kosovare zotohen se gjatë kësaj vere do të fillojë edhe ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare. Këtë e konfirmon dhe Adem Grabovci, zëvendësministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Ai pohon se autostrada pritet të fillojë nga Vërmica në kufi me Shqipërinë dhe të përfundojë në Merdare në kufi me Serbinë. Grabovci thotë se ministria i ka skicuar tashmë të gjitha detajet për urat, tunelet, pronat, përfshirë edhe emrat dhe sipërfaqen e secilit banor, që do të përfitojë nga kompensimi.

“Ne, deri më tash, kemi kompletuar projektin zbatues për këtë rrugë, kemi formuar komisionet e nevojshme, siç është komisioni për shpronësim. Do të fillojmë nga Vërmica, aty pra ku përfundon autostrada e Shqipërisë. Janë bërë të gjitha matjet dhe bisedat edhe me Shqipërinë, janë harmonizuar qëndrimet tona, dalja do të jetë e njëjtë dhe do të vazhdojmë në drejtim të Prizrenit, për të vazhduar pastaj më tutje”, shpjegon Grabovci.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike shprehen skeptikë se ndërtimi i autostradës mund të ndodhë gjatë këtij viti. Ibrahim Rexhepi thotë se Qeveria e Kosovës, premtime të ngjashme ka dhënë edhe viteve të kaluara, por, sipas tij, ende nuk vërehet të kenë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e autostradës.

“Janë të gatshëm vetëm në aspektin deklarativ, mirëpo nëse marrim parasysh procedurat, nëse marrim parasysh se është shpallur tenderi vetëm për shprehjen e interesit dhe jo tenderi për ekzekutimin e punëve, se ende nuk ka filluar të bëhet shpronësimi i pronave, se ende nuk dihen format e financimit të këtij projekti, i cili do të ketë kosto shumë të lartë, atëherë unë jam skeptik se ndërtimi i saj do të fillojë kësaj vere”, thotë Rexhepi.

Tuneli i Kalimashit
Por, Adem Grabovci, nga Ministria e Transportit, bën të ditur se për kryerjen e punëve kanë konkurruar 33 kompani të huaja, ndërsa shifrat e para për koston e projektit, siç thotë ai, shkojnë në 659 milionë euro. Megjithatë, sipas Grabovcit, ky është vlerësim i vitit 2006, kështu që shifra mund të jetë edhe më e lartë.

Sa i përket shpronësimit të pronave, zoti Grabovci këtë e konsideron problem të zgjidhur, pasi qeveria për këtë çështje ka ndarë 13 milionë euro. Dhe, si rrjedhojë, ai thotë se ndërtimi i autostradës do të fillojë gjatë këtij viti, porse kur do të përfundojë, sipas tij, nuk dihet.

“Deri më tash, ne kemi identifikuar të gjithë pronarët, kemi identifikuar se sa ka pronë shoqërore dhe private. Kemi filluar për ‘Sektorin A’, ku synojmë, sa më shpejt që është e mundur, të fillojmë me punime. Me Komunën e Prizrenit i kemi harmonizuar të gjitha qëndrimet dhe jemi në bashkëpunim shumë të afërt dhe deri më tash nuk kemi asnjë pengesë me pronarët. Jam shumë i sigurt se qytetarët e kanë parasysh rëndësinë e këtij projekti dhe ne presim mbështetjen e tyre pa përjashtim”, deklaroi Grabovci.

Por, lidhur me këtë, eksperti Ibrahim Rexhepi thotë:

“Mund të fillojë vetëm në një mënyrë simbolike, vetëm në mënyrë që të ketë një foto në gazeta apo një pamje në televizor, e jo të fillojë ekzekutimi i tij, në bazë të një projekti të qëndrueshëm dhe një projekti komplet”.

Sido që të jetë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna, në gjatësi prej 118 kilometrash, dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë. Korridori, në të cilin parashikohet të kalojë autostrada Merdare-Vërmicë, është shpallur zonë e interesit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo autostradë do të lidhet me autostradën Durrës-Morinë dhe do të jetë arteria kryesore e vendit për lidhje me Adriatikun.
XS
SM
MD
LG