Ndërlidhjet

Sami Kurteshi zgjidhet Avokat i Popullit


Sami Kurteshi është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në postin e Avokatit të Popullit. Kurteshi fitoi qysh në rrethin e parë, duke siguruar 65 vota të deputetëve. Ai u zotua se në mandatin e tij do të respektojë Kushtetutën.


Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot Sami Kurteshin në postin e Avokatit të Popullit. Me 65 vota të siguruara, Sami Kurteshi, magjistër i shkencave politike, ka fituar qysh në rrethin e parë të votimit ndaj kundërkandidatëve, Veton Vula e Besnik Osmani.

Pas afërsisht katër vjetësh, sa në Kosovë ky post është drejtuar nga një ushtrues detyre, Kuvendi më në fund arriti që të zgjedhë Ombudspersonin.
Menjëherë pas zgjedhjes së tij në këtë post, Sami Kurteshi është zotuar se do të jetë në funksion të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Ai tha se në një vend në tranzicion siç është Kosova, të drejtat e njeriut mund të jenë sfidë, por u zotua se është plotësisht i gatshëm që të ballafaqohet me to.
Kushtetuta është libri i shenjtë mbi të cilin do të bazohet puna ime... Për mua janë të gjithë qytetarë të Kosovës.

“Mendoj se në Kosovë nuk ka së paku përpjekje sistematike, institucionale, për të shkelur të drejtat e njeriut, por të drejtat e njeriut shkelen në shumë aspekte tjera dhe ne do të jemi këtu..., të shohim. Kushtetuta, megjithatë, është libri i shenjtë mbi të cilin do të bazohet puna ime dhe do të mbështetet e gjithë veprimtaria ime. Për mua janë të gjithë qytetarë të Kosovës”, tha Kurteshi.

Për dallim nga praktika e mëparshme, votimi në Kuvend sot dukej të ishte më i koordinuar nga grupet parlamentare.

Deputetët e partive në koalicion thonë se nuk kishin një marrëveshje paraprake për ta mbështetur ndonjërin prej kandidatëve, por kishin një organizim dhe mobilizim më të mirë që votimi kësaj radhe të mos dështonte.

Ismet Beqiri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se partitë e koalicionit nuk kanë zgjedhur me preferenca politike Avokatin e Popullit, por kishin një organizim më të mirë për votim.

Një prej faktorëve për këtë mobilizim, sipas Ismet Beqirit, ishin edhe disa paralajmërime se nëse Kuvendi dështon sërish, atëherë autoritetet ndërkombëtare do të mund ta emëronin një ushtrues detyre nga radhët e komunitetit ndërkombëtar.

“Absolutisht, nuk kemi pasur asnjë indicie që ka pasur ndonjë presion. Por, që ka qarkulluar fjala, që nuk po e them se është dominante ajo se eventualisht mund të zgjidhet ndonjë ndërkombëtar, kjo ka qenë veç publikisht në një mënyrë e thënë. Por, nuk e marr që kjo ka qenë arsyeja kryesore, sepse Kurteshi është zgjedhur dhe deputetët e thanë fjalën e tyre me votën e tyre”, theksoi Beqiri.

Ligjvënësit kosovarë
Ndërkohë, edhe opozita e ka cilësuar zgjedhjen e Ombudspersonit si moment shumë me rëndësi për institucionet vendase.

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se Sami Kurteshi nuk është zgjedhur vetëm me votat e partive në pushtet, por me votat e deputetëve opozitarë.

“Vota është e fshehtë dhe nuk mund të them se është votë e pozitës. Absolutisht, sepse i kemi edhe 37 vota, të cilat janë të dy kandidatëve bashkë, megjithatë e them me përgjegjësi se nuk mund ta deklaroj se votat e kujt janë. E di që janë votat e deputetëve dhe deputetët janë pjesë e grupeve parlamentare, të pozitës dhe opozitës”, tha Makolli.

Afërsisht katër vjet i janë dashur Kuvendit të Kosovës që të zgjedhë Avokatin e Popullit, që kur nga ky post ishte larguar polaku Marek Antoni Novicki.

Që atëherë, ishte Hilmi Jashari ai i cili udhëhoqi postin si ushtrues detyre. Ndërkaq, nga dita e sotme, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, është zotuar se asnjë njeri në Kosovë nuk do të privohet nga mbrojtja e të drejtave të tij.

* * * * * * * * * * * * * *

Reagimi i OSBE-së

Kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, ka mirëpritur zgjedhjen e Sami Kurteshit si Avokat të Popullit, duke plotësuar kështu postin që qëndronte bosh për më se tre vjet.

“E përgëzoj Kuvendin për zgjedhjen. Besoj që Kurteshi do të përmirësojë edhe më tutje punën e institucionit të rëndësishëm të Ombudspersonit dhe do të vazhdojë punën e tij në mënyrë të pavarur – i lirë nga çdo formë e ndikimit politik. Shpresoj që ai, me përpjekjet e tij, do të fitojë besimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha Almhofer.

Që nga largimi i Ombudspersonit ndërkombëtar, në dhjetor të 2005-ës, institucioni i Ombusdepersonit qe kryesuar nga ushtruesi i detyrës, Hilmi Jashari. Kuvendi i Kosovës ka qenë përgjegjës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit që në janar të 2006-ës.

“Angazhimi dhe përkushtimi i Hilmi Jasharit kanë qenë një shtysë e rëndësishme në vitet e fundit. Dhe, Ombudspersoni i zgjedhur nga Kuvendi do të mund të punojë mbi një bazë që tashmë është arritur”, tha Almhofer.

Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë ka mandatin që t’i adresojë çështjet që kanë të bëjnë me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, si dhe keqpërdorimin e autorizimeve nga ana e institucioneve publike. Ai gjithashtu bën hetime, publikon raporte dhe ofron shërbime juridike si dhe mbrojtje publike.
XS
SM
MD
LG