Ndërlidhjet

Sejdiu kërkon vazhdim konsultimesh për zgjedhjet


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

Ndonëse ishte paralajmëruar se këtë javë do të caktohet data e zgjedhjeve lokale në Kosovë, presidenti Sejdiu kërkon vazhdimin e konsultimeve me partitë politike dhe institucionet tjera.


Shtyrja e shpalljes së datës së zgjedhjeve nuk nënkupton edhe shtyrje të zgjedhjeve lokale, thonë në Presidencën e Kosovës.

Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se pavarësisht pritjeve që data e zgjedhjeve lokale të shpallej këto ditë, presidentit Fatmir Sejdiu i është dashur edhe pak kohë dhe konsultime para se të marrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale.

Sipas zëdhënësit Beqiri, presidenti i Kosovës do ta shpallë datën brenda afatit ligjor, pa e rrezikuar procesin, siç shpreh dyshime opozita.
Gjithsesi, brenda afatit ligjor, presidenti Sejdiu do të shpallë datën e zgjedhjeve lokale, duke pasur parasysh koordinimin me subjektet politike dhe qëndrimin e tyre për datën e zgjedhjeve.

“Presidentit Sejdiu i nevojiten edhe pak konsultime me subjektet politike dhe me akterë të tjerë të përfshirë në çështjen e organizimit të zgjedhjeve, do të thotë me përfaqësues të institucioneve dhe KQZ-në”.

“Besojmë se shumë shpejt do të përmbyllet edhe ky proces; gjithsesi, brenda afatit ligjor, presidenti Sejdiu do të shpallë datën e zgjedhjeve lokale, duke pasur parasysh koordinimin me subjektet politike dhe qëndrimin e tyre për datën e zgjedhjeve”,
tha Beqiri.

Ndryshe nga zëdhënësi Beqiri, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, thotë se shtyrja e fundit ishte e pakuptimtë dhe kjo, sipas tij, dëshmon për gjendjen aspak të lakmueshme në koalicionin qeverisës dhe institucionet e Kosovës.

“Shtyrjet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur, si për zgjedhjet e përgjithshme, ashtu edhe lokale, e së fundit edhe vendimi për moscaktimin e datës, tregojnë për gjendjen e mjerueshme në të cilën është ky koalicion qeverisës dhe po ashtu është indikator i saktë se edhe pas tri cikleve të konsultimeve që ka pasur presidenti, nuk arrin që të marrë një vendim, i cili është vendim shumë i thjeshtë, vendim kushtetues dhe i cili nuk ka kurrfarë filozofie të vështirë”, deklaroi Tahiri.

Duke iu përgjigjur dyshimeve dhe shqetësimeve të opozitës, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se i kupton ato më shumë si ekzagjerime.

“Në shoqëritë demokratike është krejt normale që pjesë të caktuara të subjekteve politike, sidomos opozita, t’u fryjnë temave të tilla, mirëpo ne theksojmë që është angazhim i përhershëm i presidentit Sejdiu që të respektohen kornizat ligjore dhe respektimi i afatit të mbajtjes së zgjedhjeve”, theksoi Beqiri.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri thotë se shtyrja e publikimit të datës po reflekton negativisht në atmosferën politike në Kosovë.
Pjesë e debatit të partive, të institucioneve, do të ishte dashur të jetë oferta për zgjedhjet lokale, e jo debati se kur do të mbahen zgjedhjet...

“Kjo shtyrje i ka dy efekte të këqija. Efekti i parë është që prodhon debat tensionues, që nuk ishte dashur të jetë pjesë e debatit tonë. Pjesë e debatit të partive, të institucioneve, do të ishte dashur të jetë oferta për zgjedhjet lokale, e jo debati se kur do të mbahen zgjedhjet. Dhe, në anën tjetër, tregon për nivelin dhe përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës”, pohon Tahiri.

Zgjedhjet e ardhshme komunale, të parat në Kosovën e pavarur, sipas afatit kushtetues, pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, përderisa zgjedhjet parlamentare parashihet të mbahen në vitin 2011.

Paraprakisht, presidenti Sejdiu ka konsultuar të gjitha partitë politike, të cilat më pas, në formë të shkruar, i kanë dorëzuar atij preferencat për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në bazë të Kushtetutës, është presidenti i Kosovës ai që e përmbyll procesin e konsultimeve me deklarimin final të datës se kur do të mbahen zgjedhjet e lira në Kosovë.
XS
SM
MD
LG