Ndërlidhjet

Akuzat politike


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarët e AAK-së dhe ata të qeverisë, përkatësisht PDK-së, kanë shkëmbyer prapë kritika e akuza të ndërsjella. AAK thotë se qeveria po sajon skandale për të tërhequr vëmendjen nga problemet e shumta; zyrtarët e qeverisë thonë se deklaratat e AAK-së janë për keqardhje.


Kanë vazhduar edhe sot kritikat, por edhe akuzat e ndërsjella ndërmjet Qeverisë dhe partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ashpërsimi i fjalorit politik mes pozitës e opozitës ka pasuar deklaratat e zëvendësministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci, në Kuvend, se është i kërcënuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, Musa Berisha.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha sot se deklaratat e tilla të zëvendësministrit nuk qëndrojnë dhe janë të sajuara.

Sipas Haradinajt, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës po përpiqen që me shpikjen e skandaleve, të zhvendosin vëmendjen nga keqqeverisja, korrupsioni e krimi i organizuar dhe dukuritë tjera, me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe pamundësia e qeverisë që t’i kthejë gjërat në binarë të duhur.

Ramush Haradinaj
“E tëra kjo është për të tërhequr vëmendjen nga debati, temat jetike në vend. Ju e dini që nuk kanë ndodhur ende investimet në energji, ta zëmë, ju e dini që ne shpenzojmë më shumë se 100 milionë euro në vit për të importuar energji. Pastaj, e dini kush i kontrollon këto procese, kemi një përzierje në këtë vend, e cila po e rrezikon demokracinë, për të cilën jemi deklaruar dhe punojmë të gjithë së bashku”,
tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kryetarit të AAK-së përmes zëdhënësit Memli Krasniqi, duke i vlerësuar akuzat e tij për keqardhje dhe dëshpëruese.

“Ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, me të vërtetë është për keqardhje që kanë rënë në këtë nivel. Janë akuza aq bajate dhe aq të dëshpëruara, saqë nuk ia vlen më as që t’i komentojmë. Nuk i ka hije politikës së Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa po ashpërsohet fjalori politik ndërmjet dy partive, aktualisht me rivalitet më të theksuar, AAK-së dhe PDK-së, që drejton me Qeverinë e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi, i cili është në thumb të kritikave të AAK-së, ka bërë thirrje për një proces të qetë e demokratik zgjedhor.

Thaçi tha se do të angazhohet që zgjedhjet lokale të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe brenda suazave të normales.

Hashim Thaçi

"Do të investojmë që të zhvillohen këto zgjedhje, për herë të parë në Kosovën e pavarur, në një atmosferë fer, demokratike, tolerante, në mënyrë që të vazhdojmë me shembullin e mirë që kemi në rajon sa i përket organizimit të zgjedhjeve”,
tha Thaçi.


Ashpërsimi i fjalorit politik ndërmjet partive rivale, kohët e fundit, është përcjellë në disa raste edhe në seancat e Kuvendit. Sidoqoftë, vetë akterët konsiderojnë se gjithçka është në suaza të debateve politike.
XS
SM
MD
LG