Ndërlidhjet

Kuvendi kërkon përgjegjësi për vjedhjen në polici


Kuvendi i Kosovës debatoi në lidhje me incidentin në ndërtesën e policisë, ku nga dhoma e dëshmive ishin vjedhur 47 kg narkotikë dhe shuma të caktuara parash. Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, premtoi ndriçimin e rastit.


Vjedhja e paradokohshme në dhomën e dëshmive dhe provave ka dëmtuar rëndë imazhin dhe besimin tek Policia e Kosovës, është thënë sot në debatin e zhvilluar në Kuvend, në lidhje me incidentin e paradokohshëm që ndodhi në ndërtesën e policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, u ka premtuar deputetëve zbardhjen e rastit, ndërkohë që Komisioni për siguri ka kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Ministri Pajaziti tha se hetimet për ndriçimin e rastit janë duke vazhduar dhe premtoi sjelljen e kryesve të kësaj vepre para drejtësisë.

“Zbardhja e rastit dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë vepër penale, duke mos përjashtuar as zyrtarët policorë, ju siguroj se do të ketë rezultate konkrete në këtë drejtim”, tha Pajaziti.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për siguri, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, kërkoi përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti.

Mustafa u kërcënua me dorëzimin e mandatit të deputetit nëse shefi i policisë nuk jep përgjegjësi dhe dorëheqje në lidhje me këtë dhe raste të tjera gjatë mandatit të tij.

“Zotëri Sheremet Ahmeti duhet të largohet nga posti për mosplotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara edhe si zëvendës-komisar i SHPK-së gjatë mandatit të policisë së UNMIK-ut, ku përherë ka preferuar t’i shmanget përgjegjësisë”, tha Mustafa.

Ndryshe nga deputeti Mustafa, kolegu i tij po nga PDK-ja, Adem Grabovci, u dha mbështetje organeve kompetente për ndriçimin e këtij rasti dhe akuzoi opozitën për politizim të rastit.

“Çdo tentativë për paragjykim dhe presion mbi organet e hetuesisë është edhe tentativë për të shantazhuar dhe për t’i ikur të vërtetës. Policia e Kosovës dhe institucionet e vendit nuk duhet të lejojnë që të tregohen sinjale të dobësimit të shtetit te kriminelët dhe nxitësit e tyre”, theksoi Grabovci.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se me raste të tilla, imazhi i Policisë së Kosovës nga një institucion me besueshmërinë më të madhe, po degradon. Andaj, ai kërkoi përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike e profesionale.

“Qarqet e organizuara kriminale sot shumë saktë mund të besojnë se asgjë në Kosovë nuk është e pamundshme, e aq më tepër se mungon një vullnet politik, të paktën aty e tutje që të rritet përgjegjësia e njerëzve, që të paktën dikush të mendohet dy-tri herë se çka mund të ndodhë nëse diçka e ngjashme ndodh në të ardhmen”, pohoi Gjini.

Me vlerësim tejet kritik për masat e marra nga policia dhe ministria adekuate është paraqitur në fjalimin e tij edhe deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, i cili kërkoi rivlerësimin e gjendjes aktuale në Policinë e Kosovës.

“Sfidë tjetër është edhe spastrimi i radhëve të Policisë së Kosovës dhe eliminimi i individëve me të kaluar të dyshimtë, si dhe personave tjerë brenda saj që janë të involvuar në afera të ndryshme”,
deklaroi Makolli.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulëzim Zeneli, ka kritikuar rolin e Kuvendit në raport me këtë incident, duke kërkuar që Kuvendi të ketë një pozicion shumë më të fuqishëm për të detyruar ministrin e Brendshëm dhe shefin e policisë për të dhënë përgjegjësi.

“Zotëri ministër, ju, këtë Kuvend dhe qytetarët e Kosovës, duhet t’i njoftoni se vjedhja e dëshmive në stacionin policor, a ka implikime politike?! Kjo duhet të sqarohet..., nuk e di se për çfarë sigurie të përgjithshme mund të bëhet fjalë kur vidhen dhe zhduken gjurmët e dëshmive dhe provave materiale në polici”, tha Zeneli.

Duke iu përgjigjur rekomandimeve të deputetëve për përgjegjësi dhe ndriçim të rastit, në emër të qeverisë, zotimin për zbatimin e këtyre rekomandimeve e ka dhënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Qeveria e Kosovës është e gatshme që të gjitha rekomandimet që i bën ky Kuvend, t’i kryejë me besim të lartë. Por, qeveria kërkon nga të gjithë prej nesh që të tregojmë jo vetëm vullnetin politik, por edhe masa konkrete. Jam i bindur që ky rast do të zbulohet”, deklaroi Kuçi.

Në natën mes datës 24 dhe 25 prill të këtij viti, persona të paidentifikuar kanë vjedhur në dhomën e provave, në katin e pestë në ndërtesën e policisë, 47 kilogram drogë të llojit heroinë dhe shuma të caktuara parash. Që nga ajo kohë, rasti vazhdon të jetë nën hetime.
XS
SM
MD
LG