Ndërlidhjet

Sfidat e Kosovës për integrimin e pakicave


Projekti për Marrëdhënie Etnike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka organizuar në Prishtinë një debat me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe ata të pranisë ndërkombëtare, në lidhje me integrimin e komuniteteve.


Kosova ka shënuar përparime në respektimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, është thënë sot në një debat të organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike, të mbajtur në Prishtinë, me temën “Integrimi i komuniteteve pakicë”.

Livia Plaks, drejtore e Projektit për Marrëdhënie Etnike, tha se mbrojtja dhe respektimi i pakicave në Kosovë është sanksionuar me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndërkaq, ka lavdëruar fillimin e procesit të decentralizimit dhe bartjes së pushtetit nga niveli qendror tek ai i komunave.

Livia Plaks
Plaks u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të mos përqendrohen vetëm në pakicën serbe, por edhe në komunitetet tjera. Krijimi i një shoqërie të zhvilluar e demokratike, që synon integrimet në familjen evropiane, kërkon respektimin e pakicave, tha me këtë rast Plaks.

“Kosova synon ndërtimin e një shoqërie shumetnike dhe një ditë t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe e ka shumë të qartë se duke u dhënë më shumë të drejta minoriteteve, do të ndërtojë një shkallë më të lartë të demokracisë”, tha Plaks.

Ndërkohë, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, njëherësh shef i ICO-së, Piter Feith, tha se sfida kryesore për Kosovën në raport me pakicat, ka të bëjë me integrimin e pakicës serbe.

Feith tha se decentralizimi, krijimi i komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, janë rast i mirë që edhe serbët t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë në kultivimin dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit.

“Unë i shoh dy çështje që janë shumë të rëndësishme për Kosovën gjatë periudhës së ardhshme kohore. E para është decentralizimi dhe e dyta është se si të sigurohemi që të gjitha komunitetet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme komunale”, tha Piter Feith.

Niveli i vetëqeverisjes lokale që garantohet përmes decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja, është cilësuar si i rëndësishëm në lidhje me integrimin e serbëve edhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Ai e ka fajësuar Beogradin se po i frikëson dhe shantazhon serbët që të integrohen në jetën institucionale në Kosovë.

Sadri Ferati
“Jemi të vetëdijshëm se qytetarët e komunitetit serb janë në udhëkryqin më të madh. Ata kanë shumë dilema se vërtet a do të humbin apo do të fitojnë nëse integrohen në shoqërinë kosovare, sepse kanë dilema se si do të sillet Beogradi më tutje, me ndihmat - që deri tash gjithë ato ndihma materiale i ka shndërruar në një fuqi politike dhe dirigjuese në raport me komunitetin serb”.

“Pastaj, cilat do të jenë presionet, frikësimet që në disa lokalitete të Kosovës, ata u nënshtrohen sa herë që lirshëm i thonë mendimet e tyre”,
tha Ferati.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i pakicës turke në këtë konferencë, Mahir Jagxhilar, ka lavdëruar krijimin e Komunës së Mamushës me shumicë turke, ndërkaq ka kërkuar zbatim më efikas të ligjeve dhe Kushtetutës në funksion të trajtimit më të mirë të pakicave.

“Nuk është pikëpyetje integrimi, por më shumë është pikëpyetje realizimi i dispozitave ligjore, realizimi i projekteve për një qëndrueshmëri, jo për integrim. Jemi të vetëdijshëm se problemi kryesor është me shumicën e serbëve, por edhe komunitetet tjera kanë probleme të veçanta”, theksoi Jagxhilar.

Diç më kritik në fjalimin e tij ishte Xhevdet Neziraj, nga komuniteti pakicë egjiptian. Ai tha se nuk shtrohet çështja e respektimit të komuniteteve vetëm për kah integrimi i tyre. Neziraj tha se si komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe Qeveria e Kosovës, kanë më shumë fjalë sesa që angazhohen për mirëqenien e pakicave.
Flitet për një alamet strategjie dhe në fund për atë strategji nuk është ndarë asnjë cent nga Qeveria e Kosovës. Dhe tash, si të realizohet strategjia pa para?

Flitet për një alamet strategjie dhe në fund për atë strategji nuk është ndarë asnjë cent nga Qeveria e Kosovës. Dhe tash, si të realizohet strategjia pa para? Nëse dikush më tregon se me fjalë të mira zgjidhen problemet, le të urdhërojë dhe të tregojë konkretisht - kështu do të ndërtohet, bie fjala, kjo banesë; do të largohet kampi në Mitrovicë dhe shumë probleme të tjera”, tha Neziraj.

Në këtë debat nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e komunitetit serb, pasi që një konferencë e ngjashme, me praninë e përfaqësuesve të këtij komuniteti, ishte mbajtur kohë më parë në Çagllavicë.

Kësaj radhe, organizatori deshi të dëgjonte pikëpamjet e komuniteteve tjera, edhe pse debati sërish u orientua më shumë te integrimi i serbëve, si dhe i pjesës veriore në kuadër të sistemit legal në Kosovë, që konsiderohet si një prej sfidave më të mëdha të Kosovës.
XS
SM
MD
LG