Ndërlidhjet

Sejdiu: Interpoli ta kuptojë se Kosova nuk është Serbi


Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në Gjykatën e Qarkut në Qystendil. Bullgari, 25 qershor '09.
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në Gjykatën e Qarkut në Qystendil. Bullgari, 25 qershor '09.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kërkojnë nga Interpoli që t’i ndalë arrestimet e kosovarëve mbi bazat e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia, siç ishte rasti me ndalimin e ish-kryeministrit Agim Çeku në Bullgari.


Institucionet e Kosovës zotohen se do të angazhohen më shumë që Interpoli të mos arrestojë apo ndalojë qytetarët e Kosovës mbi bazat e fletarrestimeve të Serbisë.

Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se Interpoli duhet ta kuptojë se Kosova nuk është nën juridiksionin e Serbisë. Ndërkaq, veprimet e Qeverisë serbe, presidenti kosovar i sheh si përpjekje për të prishur imazhin e Kosovës dhe figurave të saj publike e politike.

Sejdiu tha se nëse pyetet Serbia dhe merren për bazë listat e saj, aty hyjnë të gjithë ata liderë që shpallën dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Andaj, ai i konsideroi absurde këto arrestime dhe kërkoi stopimin e tyre në të ardhmen.

“Besoj që do të jetë tepër e nevojshme po ashtu edhe për të ardhmen që të mos ndodhin situata të tilla, të cilat në një formë apo në tjetrën mund të tensionohen. E dimë se Interpoli nuk mund të veprojë dhe s’duhet të veprojë në bazë të fletarrestimeve të një vendi tjetër, i cili realisht nuk ka juridiksion ndaj njerëzve të Kosovës”, thotë Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi thotë se e ka marrë me keqardhje arrestimin e Agim Çekut në Bullgari, por ai kërkon që të mos ekzagjerohet si rast. Sipas Thaçit, ai ishte një incident i izoluar dhe nuk do të ndikojë në përkeqësimin eventual të marrëdhënieve Kosovë-Bullgari.

Ajo që është për keqardhje, shtoi Thaçi, ka të bëjë me mënyrën e arrestimeve, që Interpoli i bën në bazë të fletarrestimeve të Serbisë.

“Janë gjëra, të cilat drejtpërdrejt janë të ndikuara apo involvuara nga autoritetet e Serbisë. Janë veprimet e fundit me të cilat Serbia po pretendon të ndikojë tek autoritetet kosovare apo të prishë imazhin e Kosovës. Kosova në të ardhmen e afërt do të jetë pjesë e Interpolit dhe mendoj se gjërat e tilla nuk do të ndodhin dhe dua të besoj se nuk do të ndodhin”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se institucionet mund të bëjnë më tepër që rastet si ai i Çekut të mos përsëriten në të ardhmen.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Bahri Hyseni, kërkon një angazhim më të madh të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Jashtme në ngritjen e këtij problemi me Interpolin.

“Konsideroj se Ministria e Drejtësisë, së bashku me atë të Jashtme, duhet të jenë më azhure në këtë drejtim dhe të bisedojnë në nivelin diplomatik, në nivelin e institucioneve, sepse edhe nëse ndodh ndonjë arrestim, ekstradimi do të duhej të ndodhë në Kosovë”, thekson Hyseni.

Po ashtu, edhe deputeti Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, thotë se Interpoli, sado që është një institucion që vepron mbi bazën e dispozitave të veta në fuqi, mund të kontaktohet dhe të shtrohet çështja problematike e fletarrestimeve të ngritura nga Serbia.

Smaka thotë se problem më vete paraqet edhe mosanëtarësimi i Kosovës në këtë institucion, por ai beson se problemi nuk është i pazgjidhshëm.

“Konsideroj se vendi ynë në kuadrin e kapaciteteve politike e juridike që disponon, nuk ka bërë atë që ka mundur ta bëjë. Vendi ynë do të duhej që nëpërmjet vendeve aleate të bëjë atë që do të mund ta bënte dhe do të mund të bënte shumë më tepër. Nuk është në pyetje vetëm individi, por edhe prestigji dhe renomeja”, thotë Smaka.

Ndonëse besohet se Kosova mund të bëjë më tepër, që arrestimet e kosovarëve në bazë të fletarrestimeve të Serbisë të mos bëhen dukuri, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që rastet e tilla të përsëriten përderisa Kosova të mos anëtarësohet në Interpol.

Masa ndaluese në aeroportet ndërkombëtare i ishin shqiptuar jo vetëm Agim Çekut, por edhe kryeministrit aktual Hashim Thaçi, përderisa ai mbante jo postin e kryeministrit, por atë të kryetarit të partisë.

Andaj, nëse Kosova nuk gjen një zgjidhje me Interpolin, të gjitha figurat politike që aktualisht mbajnë funksione shtetërore ndaj të cilëve është ngritur fletarrestimi nga Serbia, me skadimin e mandatit të ushtrimit të postit publik, mund të hasin në probleme të ngjashme gjatë kalimeve kufitare.
XS
SM
MD
LG