Ndërlidhjet

Vazhdon të shkelet marrëveshja e CEFTA-s


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare
Janë bërë shtatë muaj që kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare, ndërkaq ekzekutivi ende nuk ka marrë asnjë vendim karshi këtij problemi.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kundërpërgjigjet Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të këtyre dy shteteve në Republikën e Kosovës.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se kjo çështje tashmë ka marrë përmasa drastike, ndërsa institucionet kosovare, sipas saj, janë vonuar në marrjen e masave karshi këtij problemi.

“Realisht, tashmë ka mbetur vetëm opsioni i reciprocitetit dhe ka mbetur një politikë e qartë në nivel të qeverisë për të gjithë ata që shkelin marrëveshjen. Do të thotë, mos të specifikohet që do të jenë masa vetëm ndaj Serbisë ose Bosnjës, por të gjitha shteteve, të cilat bëjnë shkelje apo paraqesin barriera tarifore ose jotarifore ndaj produkteve kosovare”,
tha Kusari-Lila.

Ndryshe, që nga 3 dhjetori, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës, duke shkelur në këtë mënyrë Marrëveshjen për Tregti të Lirë CEFTA - anëtare të së cilës janë edhe vetë.

Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi, ndërsa prodhuesit kosovarë rrezikojnë t'i humbin tregjet me këto vende, thotë zonja Kusari-Lila, për të shtuar se nga shkelja e marrëveshjes kanë pësuar edhe investitorët potencialë.

“Problemet kanë ndodhur sidomos me investitorët e mëdhenj, investitorët që kanë hyrë në procesin e privatizimit, kanë blerë kapacitete ose kompanitë kosovare, kanë investuar miliona në to, dhe në momentin kur i janë qasur tregut rajonal, ashtu siç është promovuar në prag të procesit të privatizimit, ata kanë hasur në këto vështirësi”, deklaroi Kusari-Lila.

Ndërkaq, autoritetet kosovare zotohen se do t’i marrin të gjitha masat legjitime bazuar në marrëveshjen CEFTA.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, pohon se për zgjidhjen e problemit me Serbinë, qeveria është në konsultime të vazhdueshme me Komisionin Evropian, ndërsa problemi me Bosnjën, sipas Krasniqit, do të zgjidhet shumë shpejt.

“Ne presim që me Bosnjë e Hercegovinën të kemi një zgjidhje shumë shpejt. Sa i përket Serbisë, çështja është më e komplikuar, meqenëse është kryekëput politike dhe ka të bëjë me mospranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”.

“Kjo do të jetë një çështje pak më e vështirë, por ne besojmë se në partneritet me Komisionin Evropian, do të kemi mundësi që të gjejmë zgjidhje reale dhe në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-s”,
theksoi Krasniqi.

Por, Mimoza Kusari-Lila thotë se qeveria nuk duhet të lejojë që të tjerët t’i dëmtojnë interesat kosovare.

“Unë mendoj se qeveria është duke blerë kohë, duke shpresuar se vendet tjetra do të ndryshojnë pa asnjë aksion nga ana e institucioneve kosovare”.

“Mendoj se nuk janë duke e konsideruar seriozisht si çështje, pasi ashtu-ashtu jemi shoqëri konsumuese, nuk kemi kapacitete të mëdha prodhuese dhe nëse e shikojmë në vlera monetare, atëherë shihet se prodhimi nuk bën pjesë shumë të madhe në ekonominë e Kosovës”,
tha Kusari-Lila.

Ndryshe, Kosova, sikurse edhe Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është nënshkruese e Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, e cila ka gjithsej 8 anëtarë.
XS
SM
MD
LG