Ndërlidhjet

Maturantët preferojnë juridikun e ekonomikun


Në Universitetin e Prishtinës ka filluar regjistrimi i studentëve për vitin akademik 2009- 2010. Fakulteti Ekonomik dhe Juridik mbeten drejtimet më të përzgjedhura për ata që në tetor pretendojnë të jenë studentë.


Në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës ka filluar regjistrimi i studentëve për vitin akademik 2009-2010.

Mbi 26 mijë maturantë sivjet kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërkaq Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim që për këtë vit akademik të pranohen mbi 10 mijë studentë në Universitetin e Prishtinës.

Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik janë më të preferuarit e atyre që në tetor pretendojnë të jenë studentë.

Për shkak të perspektivës më të mirë për të ardhmen, disa nga maturantët që tashmë kanë aplikuar në Universitetin e Prishtinës, pohojnë se kanë zgjedhur ekonomikun dhe juridikun.

Përparim Klinaku në muajin prill ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike, por ai nuk ka pasur mundësi të gjejë një vend të lirë pune. Përparimi tashmë ka vendosur që të konkurrojë edhe në Fakultetin Ekonomik, si alternativë, siç thotë ai, për t’u punësuar më lehtë.

“Po mendoj se dal një kuadër më i kompletuar, sepse unë kam përfunduar shkencat politike dhe me ekonomik besoj se do të kem mundësi më lehtë për t’u punësuar. Faktikisht, familja gjithmonë më ka stimuluar për të studiuar dhe e kanë pritur shumë mirë kur u kam treguar se kam vendosur të studioj edhe ekonomikun”, thotë Klinaku.

Edhe Egzon Islami, përkundër konkurrencës së madhe, ka aplikuar në Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se ka konkurruar në këtë fakultet për t’ua plotësuar dëshirën prindërve, pasi familja e tij ka ndërmarrje private dhe mundësitë për t’u punësuar janë më të mëdha.

“Ekonomia po më pëlqen. Të familjes janë ekonomistë dhe për atë arsye. Punojnë me tregti më shumë dhe besoj se mund t’i ndihmoj familjes. Më kanë shtyrë pjesëtarët e familjes”, thotë Egzoni.

Ndërsa, Idriz Shala pretendon që në të ardhmen të bëhet jurist.

“Mendoj të përfundoj kriminalistikën. Ka qenë dëshirë e imja qysh kam qenë i vogël. Shpresojmë që të ketë vende të lira të punës”, shprehet Shala.

Veton Kondirolli, ndërkaq, dokumentet i ka paraqitur në Fakultetin Elektronik.

“Do të studioj elektronikën, më përshtatet shumë mirë dhe për këtë arsye e kam zgjedhur. Ka pak mungesë të studentëve të elektronikës”, thotë Kondirolli.

Kurse, Albulena Halimi shpreson që në të ardhmen të bëhet arkitekte.

“Duke marrë parasysh ndërtimet që po bëhen dhe në bazë të vendit që kemi ne, mungojnë shumë arkitektë. Kështu që besoj se kemi nevojë”, thotë Albulena.

Në Universitetin e Prishtinës, studentët për këtë vit nuk do të mund të konkurrojnë në degët Filozofi, Sociologji dhe Histori, degë këto që nuk janë akredituar për këtë vit nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.

Ndërkaq, ende nuk është shpallur konkursi për regjistrimin e studentëve në institucionet private të arsimit të lartë, që, me vendim të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, në këto institucione do të pranohen rreth katër mijë studentë.
XS
SM
MD
LG