Ndërlidhjet

Kuçi: GJND nuk ndikon në njohjet


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi

Procesi i njohjes së Kosovës nuk do të lidhet me mendimin këshillëdhënës të GJND-së dhe mendimi këshillëdhënës do të jetë në favor të Kosovës, ka deklaruar sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.




Procesi i interpretimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të jetë pengesë e njohjeve të reja, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se shpallja e pavarësisë ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe pret që ky të jetë edhe konkluzion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Kuçi thotë se shumë shtete themeluese të kësaj gjykate e kanë njohur Kosovën dhe këtë do ta bëjnë edhe vende tjera, pavarësisht procesit në GJND.

“Nuk do të donim që ky mendim këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë pretekst për askënd që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ju e dini që Kosovën e kanë njohur edhe ato shtete, të cilat e kanë themeluar këtë Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Dhe, unë jam shumë i bindur që procesi i njohjes së Kosovës nuk do të lidhet me atë mendim këshillëdhënës, sikur që jam shumë i bindur se mendimi këshillëdhënës do të jetë në favor të së drejtës që i takon Kosovës”,
theksoi Kuçi.

Këto komente, zëvendëskryeministri Kuçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me një delegacion nga vendet arabe, që po qëndron nga dita e djeshme në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Kuçi i ka ftuar sërish edhe 18 shtetet arabe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt, pa u ndikuar në procesin e Hagës.

Duke u ndërlidhur me procesin në GJND, deputeti në Parlamentin e Egjiptit, Gamal Zahran, përgënjeshtroi njoftimet se vendi i tij ka deponuar deklaratë në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës tek GJND-ja dhe u shpreh sërish i bindur se Egjipti do ta njohë Kosovën pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë.

“Natyrisht që populli i Egjiptit nuk do të jetë koprrac dhe do ta përkrahë dhe njohë Kosovën e pavarur”, tha Gamal Zahran.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se do të mbajë dëgjime publike nga 1 dhjetori për t’i dëgjuar mendimet e të gjitha palëve të interesuara rreth asaj se ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.

Sipas GJND-së, deri tash, 36 vende kanë paraqitur deklarata me shkrim lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla kanë paraqitur edhe Kosova dhe Serbia - si dy palët kryesore në proces.

Shtetet që duan të marrin pjesë në këtë fazë përfundimtare të procesit, përfshirë edhe Kosovën, duhet të bëjnë kërkesë në Gjykatën e Drejtësisë deri më 15 shtator. Sipas deklarimeve të palës kosovare, procesi në Hagë mund të përmbyllet me një mendim këshillëdhënës deri në prill të vitit të ardhshëm.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG