Ndërlidhjet

Pa strategji për zbutjen e papunësisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Sipas shifrave zyrtare, mbi 40 për qind e popullatës në Kosovë është e papunë. Por, ndryshe nga këto shifra, sipas sindikatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në më shumë se 60 për qind.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vlerëson se një numër i madh i të papunëve janë të dekurajuar për të kërkuar punë në institucionet vendore. Ky dekurajim, thotë ai, vjen si rezultat i pritjeve të gjata për një vend pune.

Ai konsideron se autoritetet kompetente deri më tani nuk kanë përgatitur infrastrukturën ligjore apo ndonjë projekt afatgjatë për zbutjen e shkallës së papunësisë. Mosangazhimi i institucioneve në këtë drejtim, rrit mundësinë e tensioneve sociale, thotë Arifi.

“Nëse nuk dëshirojnë tensione, le t’i realizojnë, le t’i nxjerrin ligjet. Është absurd i kohës, në shekullin 21 Kosova nuk ka ligj të punës, nuk ka ligj për sindikata, nuk ka ligj për greva, për shëndetësi, nuk ka ligj për pensionistët”.

“Kanë nxjerrë ligje në pako, të cilat mund të mos futen në funksion edhe një vit. Nuk i nxjerrin ligjet bazike; do të thotë, diçka nuk është kah funksionon”,
thotë Arifi.

Ali Dragusha, nënkryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, pohon se në Kosovë për një vend të lirë pune konkurrojnë 55 qytetarë. Ndërkaq, organet kompetente, përveç disa iniciativave, sipas tij, nuk kanë bërë përpjekje konkrete për zbutjen e këtij problemi.

“Kryesisht, pasojat bazike të kësaj gjendjeje janë nga e kaluara - gjë që nuk i arsyeton veprimet e qeverive që janë ndërruar kohë pas kohe për një angazhim më të madh dhe për një seriozitet më të madh”.

“Dhe, faktikisht, ekziston një mungesë e transparencës dhe e përgjegjësisë, që duhet të jetë prej organeve kompetente dhe personave kompetentë në këtë fushë”,
shprehet Dragusha.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale pohojnë përpjekjet e tyre për mundësinë e uljes së shkallës së papunësisë në Kosovë.

Zëvendësministri i Punës, Gjergj Dedaj, thotë se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, nuk mund të flitet për ulje rapide të shkallës së papunësisë në afat të shpejtë. Por, padyshim, shton ai, miratimi i ligjit të punës do të lehtësojë këtë proces dhe do të rregullojë shumë çështje, të cilat kanë të bëjnë me punën.

“Për ne prioritet është hapja e vendeve të reja të punës në Kosovë, të ndalet rinia në Kosovë, të kemi vende të reja të punës. Mirëpo, si mundësi alternative ne e kemi paraparë punësimin sezonal të studentëve, të të rinjve në vendet e Bashkimit Evropian”, shprehet Dedaj.

Sidoqoftë, Haxhi Arifi, nga BSPK-ja, thotë se nëse institucionet kompetente nuk ndërmarrin ndonjë hap në përmirësimin e kësaj situate, nuk përjashtohet mundësia e trazirave sociale. Ai pohon se do të bisedohet me anëtarët e BSPK-së për zhvillimet e mëtutjeshme.

“Me të gjithë do të bisedojmë, por gjithmonë do të bëjmë dhe zhvillojmë biseda që shtetin mos ta trazojmë, por t’i trazojmë ata, të cilët e kanë pushtetin dhe të vetëdijesohen se duhet të mendojnë për këtë popull, jo vetëm për vetveten”, thotë Arifi.

Ndryshe, pjesa më e madhe e të papunëve janë të rinjtë nga mosha 20 deri në 34 vjeç.
XS
SM
MD
LG