Ndërlidhjet

Fillon greva e urisë


Grevistet para kontejnerit ku po mbahen 405 mbetjet mortore
Grevistet para kontejnerit ku po mbahen 405 mbetjet mortore

Pas 14 ditësh grevë, gjashtë gra të shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur “Thirrjet e nënave”, janë futur në një grevë urie pa afat. Ato kërkojnë identifikim të përshpejtuar të mbetjeve mortore. Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë, pohojnë se pavarësisht përpjekjeve, procesi i identifikimit nuk mund të bëhet në afat të shpejtë.

Si rezultat i zhgënjimit ndaj institucioneve kompetente, që për 14 ditë me radhë nuk kanë dhënë asnjë përgjigjeje konkrete se sa kohë u nevojitet për identifikimin e 405 mbetjeve mortore, që gjenden pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, gjashtë gra të shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur” Thirrjet e nënave”, janë futur në grevë urie.

Kështu thotë drejtuesja e grevisteve, Nysrete Kumnova, duke shtuar se dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, autoritetet kompetente kanë pasur mundësi që t’i identifikojnë trupat që gjenden në kontejnerët pranë Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, në Prishtinë.

Identifikimi bëhet, kur organizatat ekzistojnë, që bëjnë identifikimin e këtyre mbetjeve mortore, të cilat i kemi këtu, pak metra larg nënave; më të dashurit tanë, të cilët mund të kenë një afat kohor të caktuar që të bëhet identifikimi i këtyre mbetjeve”, pohon Kumnova.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, tha se për identifikim më të shpejtë të mbetjeve mortore, nuk ka mundësi.

Ai tha se mosidentifikimi i deritashëm i mbetjeve mortore, nuk ka ndodhur për shkak të neglizhencës së institucioneve kompetente.

Gjetaj pohon se nga Zyra e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, mostrat e eshtrave të mbetjeve mortore janë dërguar për analiza në laboratorin e Sarajevës, por asnjë mbetje mortore, nuk ka dhënë rezultate pozitive.

“Asnjë profil i mbetjeve mortore që gjendet në morgun e Prishtinës, nuk është që nuk është dërguar për analiza në Sarajevë, por ato që nuk japin rezultate pozitive, ne nuk mund t’i prodhojmë ato rezultate në mënyrë artificiale, sepse është metoda më e re që aplikohet”, tha Gjetaj.

Megjithatë, Prenk Gjetaj, premton se autoritet kompetente do të angazhohen me të gjitha mjetet dhe mundësitë rreth identifikimit sa më të shpejtë të mbetjeve mortore.

Do të angazhohemi me të gjitha mjetet, forcat dhe mundësitë që kemi, për të bërë gjithë të mundshmen rreth identifikimit, gjegjësisht zgjidhjes së problemit të mbetjeve mortore në morg”.

“Mbi atë, nuk mund askush të premtojë që të prodhojë ndonjë analizë artificiale. Do të thotë, është premtuar që të bëhet riprocesimi, mostrat janë dërguar dhe presim rezultatet
”, thotë Gjetaj.

Por, Nysrete Kumnova, shprehet se nëse institucionet kompetente i kushtojnë rëndësi kësaj çështje, brenda 30 ditësh mund të ketë rezultate pozitive.

Dhe, për këtë arsye ajo thotë se pa një marrëveshje në mes Qeverisë dhe grevisteve, për caktimin e një afati për rezultatet e identifikimit, greva e urisë nuk do të ndërpritet.

“Nëse Qeveria e Kosovës, jep ndonjë afat, bën ndonjë marrëveshje me shkrim me këto organizata, do të vijnë këtu tek ne, dhe do t’i dëgjojmë, pasi ne e kemi shumë të qartë se identifikimi i të gjithave nuk bëhet menjëherë dhe, ne, atëherë do ta ndërpresim grevën”.

“Por, me afat kohor nëse nuk do të zbatohet, atëherë të shikojmë se si do të shkojë procedura në të ardhmen”,
thotë Kumnova

Ndryshe, familjaret e personave të zhdukur, kanë ndërprerë çdo komunikim me persona zyrtarë.

Ndërkaq, sipas zonjës Kumnova, gjendja shëndetësore e grevisteve tashmë është rënduar.
XS
SM
MD
LG