Ndërlidhjet

Komunat e reja dhe dalja e serbëve në zgjedhje


Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pitër Feith, ka deklaruar formimin e tri komunave të reja dhe zgjerimin e një komune ekzistuese me shumicë serbe menjëherë pas zgjedhjeve të 15 nëntorit. Ndërkohë, që, është shtyrë për gjashtë muaj vendimi për pjesën veriore të Mitrovicës dhe Parteshin.


Në përpjekje të sigurimit të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme lokale, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pitër Feith, me miratimin e Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar formimin e 3+1 komunave të reja me shumicë serbe menjëherë pas zgjedhjeve të 15 nëntorit. Bëhet fjalë për komunat e Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut dhe zgjerimin e komunës së Novobërdës.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Endi Mekgafi, thotë se ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës, tashmë, u dërguan mesazhe serbëve në Kosovë se do të ketë komuna të reja dhe decentralizim, dhe se tash i përket këtij komuniteti që të participojë dhe të vendosë një komunikim edhe më të mirë me Prishtinën.

Zyrtari i ICO-së thotë se vërehet një interesim më i madh te serbët që të jenë pjesë e formimit të komunave të reja, marrë parasysh edhe procesin e decentralizimit.

“Mendoj se ka një rritje të interesimit në lidhje me decentralizimin dhe se kjo nuk është një temë e re në Kosovë, ngase procesi ka filluar nga viti 2008”, thotë Mekgafi.
Endi Mekgafi


Ai rikujton formimin e grupeve punuese nëpër komunat e reja, të cilat kanë për detyrë përgatitjet për ngritjen e pushteteve të reja komunale.

Për dallim nga pjesa qendrore e Kosovës, ku thuhet se ka një interesim më të madh të serbëve, Mekgafi thotë se, aktualisht, ekziston dhe një gjendje tjetër në pjesën veriore të Mitrovicës, ku, po ashtu, parashihet të formohet komuna e re.

Me siguri se do të ketë komunë të re të formuar edhe në Mitrovicën veriore, kurse koha optimale për këtë është cekur në deklaratën e shefit të ICO-së”, thekson Mekgafi.

Sidoqoftë, në pjesën veriore e Mitrovicës ka nevojë për një përparim gradual, thotë ai, duke besuar se decentralizimi do të zbatohet, si në veri, ashtu edhe në pjesët tjera të Kosovës siç e parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit.

Duam që ky proces të përmbushet përmes konsensusit dhe jo konfrontimeve”, thotë Mekgafi.

Mirëpo, pavarësisht ofertave të reja të Prishtinës dhe ICO-së, serbët megjithatë mbajnë rezerva nëse këto komuna do të jenë të gatshme në një afat kaq të shkurtër si dhe nuk parashohin ndonjë dalje masive të këtij komuniteti në zgjedhje.

Ranxhel Nojkiq, kryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe për Kosovën nuk beson se këto komuna mund të jenë të gatshme për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Ende nuk janë definuar listat e votimeve, kështu që të dilet në zgjedhje për komunat ekzistuese, e më pas të formohen komunat e reja, është e pamundshme. Unë nuk e di se si mund të funksionojë një pushtet i tillë”, shprehet Nojkiq.

Sidoqoftë, formimi i komunave të reja dhe decentralizimi i pushtetit, vijon ai, kanë qenë kërkesa të serbëve dhe, si të tilla, ai i sheh si procese të rëndësishme.

Por, shqetësimet, sipas tij, mbeten ato që kanë qenë edhe më herët, se mund të formohen komuna të reja me shumicë serbe, ku sërish do të funksionin vetëm disa struktura paralele të Serbisë.

Kështu që, sipas tij, duhet krijuar komuna, të cilat edhe do të mund të ushtrojnë funksionet e veta.

Ndërkaq, Nebojsha Periq, anëtar i grupit për formimin e komunës së Graçanicës, thotë se ka një afat shumë të shkurtër që këto komuna të formohen.

Ndërkohë, që, edhe informimi i popullatës serbe për këto procese konsiderohet jo i plotë.

“Vetë dita e zgjedhjeve do të tregojë se a është me të vërtetë bashkësia serbe e interesuar për zgjedhje, ngase mungojnë informacionet e plota për këto komuna të reja dhe për përfitimet që mund të sjellin ato për komunitetin”, thotë Periq.

Ndryshe, në deklaratën e shefit të ICO-së, Pitër Feith, thuhet se komunat e reja do të gëzojnë kompetenca të njëjta, si të gjitha komunat e tjera në Kosovë, dhe do të marrin përsipër disa kompetenca të zgjeruara, përfshirë këtu mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe emërimin e komandantëve lokalë të policisë.

Derisa është marrë vendim për formimin e 3+1 komunave të reja, Feith bën me dije se pas përparimeve të nevojshme, decentralizimit dhe formimit të komunave të reja do t’i nënshtrohen edhe Parteshi dhe Mitrovica Veriore, ku për shkak të shkallës së përgatitjeve, zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj pas 16 nëntorit 2009.
XS
SM
MD
LG