Ndërlidhjet

Sukcesioni – çështje politike


Gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kosova ende nuk e ka ndarë pasurinë me ish-Jugosllavinë. Zyrtarë qeveritarë pohojnë se kjo mund të bëhet pasi Serbia të njohë Republikën e Kosovës. Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë theksojnë se faktori ndërkombëtar duhet ta kushtëzojë Serbinë për të mbajtur një takim për sukcesionin.

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike thonë se ndarja e pasurisë në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të realizohet në një konferencë mbi sukcesionin.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, tha se Kosova ka të drejtë në procesin e ndarjes së pasurisë me ish-Jugosllavinë.

Mirëpo, aktualisht, për shkak të problemeve politike që Kosova ka me Serbinë, ende nuk është bërë një gjë e tillë.

Megjithatë, ai thotë se ky problem do të gjejë zgjidhje në të ardhmen, kur këto shtete do të kenë njohje reciproke.

“Çështja e sukcesionit mund të adresohet vetëm pasi të ketë njohje të dyanshme nga shtetet që kanë konteste në të kaluarën”.

“Kjo është një praktikë dhe, në këtë drejtim, pa ardhur te njohja e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë, ky është një proces i cili nuk mund të fillojë”,
shprehet Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, tha se në takimin e sukcesionit, nuk duhet të përfshihet vetëm borxhi, por të gjitha asetet e përbashkëta që janë krijuar në kohën e ish-Jugosllavisë.

Për këtë thotë ai, përveç Serbisë, procesi i sukcesionit duhet të përfshijë të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Pasi sipas tij, Kosova ka pasuri të patundshme edhe në vendet tjera të ish-kësaj federate.

Bektashi, pohon se institucionet e Republikës se Kosovës, duhet sa më shpejtë të bëjnë një kërkesë për të gjitha dëmshpërblimet e luftës, nga periudha 1997-1999, duke përfshirë këtu edhe vrasjen e 13 mijë qytetarëve kosovarë.

Ndryshe, me rastin e ndarjes së sukcesionit me republikat tjera, Serbia ka përvetësuar edhe pjesën e Kosovës.

“Edhe dëmshpërblimet e luftës që i ka shkaktuar Serbia gjatë masave të dhunshme 1991-1998 dhe luftës në Kosovë. Por, në këtë rast kosovarët kanë edhe shumë kërkesa të tjera, duke filluar nga kursimet e vjetra revizore që kapin një shifër qindra milionë dollarë, marka të atëhershme, pastaj moszgjidhja e problemit të pensionistëve, pastaj problemi i trashëgimisë së pronës së paluajtshme të kompanive kosovare në ish-republikat e Jugosllavisë”,
tha Bektashi.

Bektashi shprehet se për shkak të marrëdhënieve jo të mira politike mes Serbisë dhe Kosovës, faktori ndërkombëtar duhet ta detyrojë Serbinë që të mbajë konferencë për sukcesionin.

Kjo, sipas tij, duhet të ndodhë menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Mund të jetë si opsion që faktori ndërkombëtar, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të insistojnë që para hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, të fillojnë bisedat për sukcesionin në mes të dy shteteve të pavarura, të cilin shtet Serbia nuk e pranon”.

“Por, e njëjta mund t’i vihet si kusht për liberalizim të vizave, apo për ndonjë marrëveshje tjetër të stabilizim- asociimit’’, shprehet Bektashi

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të ekonomisë, shprehen se ende nuk ka shifra të sakta se sa i ka borxh Serbia Kosovës.

Tema e sukcesionimit dhe dëmeve të luftës, kanë qenë të prezantuara edhe në Vjenë në kohën e bisedimeve për statusin.

Kjo çështje, ndërkaq, është pranuar në dokumentin e presidentit Marti Ahtisarit, që Kosova të ketë të drejtë të marrë pjesë në ndarjen e kësaj pasurie.

Ndryshe, në Beograd ka filluar takimi dyditësh i përfaqësuesve të lartë për sukcesion të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në të cilin po bisedohet për çështjet e trashëgimisë.
XS
SM
MD
LG