Kryeministri Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Thirrja e tyre është adresuar përmes një konference të përbashkët të mbajtur në Çagllavicë.
Marrja e përgjegjësive nëpër komunat ku serbët përbëjnë shumicën, shtimi i numrit të këtyre komunave, si dhe decentralizimi i pushtetit që u garanton atyre më shumë vetëqeverisje lokale, u vlerësuan nga Thaçi dhe Feith si arsye dhe motiv shtesë për serbët që të marrin pjesë, por edhe t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë për të mbrojtur kështu më mirë të drejtat dhe interesat e komunitetit.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e vendit i kanë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme që serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe i ftoi ata edhe publikisht që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Do të dëshiroja, që në emër të Qeverisë së Kosovës, t’i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në zgjedhje, që të përfaqësohet interesi i tyre, vullneti i qytetarëve, në mënyrë që të përfitohet pushteti nëpërmjet këtyre zgjedhjeve”.
“Natyrisht, këto janë zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur dhe është mjaft inkurajues certifikimi i shumë e shumë partive politike nga të gjitha komunitetet. Por, para së gjithash, ndjehem tepër mirë që kemi krijuar, bashkërisht me autoritetet ndërkombëtare, klimë të pranueshme për të dalë në zgjedhje”, tha Thaçi.
Ndërkohë, edhe Piter Feith tha se formimi i tri komunave të reja me shumicë serbe, zgjerimi i kufijve të komunës së Novobërdës, si dhe përgatitjet për formimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe Parteshit janë një mundësi e mirë për serbët që të ardhmen e tyre ta shohin dhe ta ndërtojnë në Kosovë.
“Kjo është një e drejtë demokratike që ne e konsiderojmë si një prej vlerave parimore në Bashkimin Evropian dhe presim që serbët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të marrin pjesë në zgjedhje”, theksoi Feith.
Kryeministri i Kosovës dhe shefi i ICO-së shfaqën bindjet e tyre se dalja e serbëve në zgjedhjet e sivjetme lokale do të jetë më masive, krahasuar me zgjedhjet e mëhershme.
Ndonëse presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe Qeveria në Beograd u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos dalin në zgjedhje, ngase, sipas tyre, nuk janë krijuar kushtet e domosdoshme për pjesëmarrje, Thaçi dhe Feith thanë se vetë paraqitja për pjesëmarrje të shumë subjekteve politike serbe tregon se interesimi i këtij komuniteti për këto zgjedhje është rritur dukshëm.

