Ndërlidhjet

Shkup: Marrëveshja për kufirin nxit polemika


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Marrëveshja për kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës ka shkaktuar polemika të ashpra në Shkup. Opozita akuzoi Qeverinë se me këtë marrëveshje është ndryshuar kufiri me Kosovën, por kjo u hodh poshtë nga kryeministri Gruevski.


Pushteti dhe opozita janë përplasur lidhur me marrëveshjen për shënimin fizik të vijës kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Opozita kritikoi marrëveshjen për shënimin fizik të kufirit, pasi, sipas saj, ajo është kundër-kushtetuese.

“Me aneksin, ju për herë të parë e ndryshoni vijën kufitare, që midis Maqedonisë dhe Kosovës ka ekzistuar dekada me radhë. Këtë nuk mund ta bëni, pasi në vitin 2001 është ratifikuar një marrëveshje, me të cilën nuk ndryshohen kufijtë më shumë sesa 150 metra, aq sa kemi arritur marrëveshje. Kjo marrëveshje do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti i Lidhjes Social-Demokrate, Vllado Buçkovski.

Por, kryeministri Nikolla Gruevski hodhi poshtë pohimet e opozitës se me marrëveshjen e re bëhet lëvizje në vijën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“Nuk kam kurrfarë arsyeje të frikohem, sepse me këtë marrëveshje shteti nuk humb asnjë milimetër nga territori. Dua t’ju siguroj se kurrë, me asnjë çmim, nuk do të kisha nënshkruar diçka, me të cilën do të humbnim një milimetër të territorit të Maqedonisë”.

“Kështu që, kjo që po e bën opozita përmes frikësimit, është thjesht manipulim me opinionin. Ky është një tentim i pastër i tyre për të fituar ndonjë pikë politike në dëm të shtetit”,
tha kryeministri Gruevski.

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, shfaqi shpresën që opozita të ketë qasje konstruktive ndaj këtij procesi.

“Në fund do të shpresojmë dhe presim se do të dominojë, do të ngadhënjejë konstruktiviteti dhe do të arrijmë ta përfundojmë procesin me sukses”,
tha deputetja Ermira Mehmeti.

Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Riker, ai i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, dhe ambasadori suedez, Ilars Freden, përshëndetën marrëveshjen për kufirin, pasi, sipas tyre, ajo paraqet porosi për stabilitet në tërë rajonin.

“Qeveria e SHBA-së dhe Ambasada e saj uron Qeverinë e Maqedonisë dhe atë të Kosovës për arritjen e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare. Kjo është mirë për të dyja shtetet dhe gjithë rajonin. Kjo e bën Maqedoninë shtet të parë nga ish-Jugosllavia që ka kufij tërësisht të demarkuar”, tha Riker.

Edhe ambasadori i Suedisë në Maqedoni, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Evropian, përshëndeti marrëveshjen.

“Presidenca e Suedisë përshëndet përparimin e ri në marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Shkupit dhe Prishtinës. Kjo paraqet shenjë inkurajuese për përgjegjësi dhe pjekuri se është gjetur zgjidhje e përbashkët për çështjet e hapura mes fqinjëve”, theksoi ambasadori Freden.

Verifikimi i mbylljes së këtij procesi nga ana e Parlamentit të Maqedonisë do t'i mundësojë Shkupit vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, një vit pas njohjes së pavarësisë së saj.
XS
SM
MD
LG