Ndërlidhjet

Helmim apo panik i nxënësve në Fushë-Kosovë?


Qendra emergjente në Prishtinë
Qendra emergjente në Prishtinë

Nxënësit në Fushë-Kosovë, që ishin sëmurë javë më parë, nuk kanë qenë të helmuar. Këto janë rezultatet e analizave që tashmë kanë arritur në Ministrinë e Shëndetësisë, nga Instituti i Forcave Gjermane. Megjithatë, me këto rezultate janë befasuar zyrtarët e arsimit komunal në Fushë-Kosovë.


Mbi 100 nxënës të dy shkollave të Fushë-Kosovës nuk kanë qenë të helmuar. Kështu ka konstatuar Instituti i Forcave Gjermane në Berlin, i cili ka analizuar mostrat e nxënësve që dyshoheshin si të helmuar, tri javë më parë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Departamentit të Informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

“Përfaqësuesit e KFOR-it e kanë informuar dje Ministrinë e Shëndetësisë, se analizat, gjegjësisht rezultatet e mostrave të dërguara për analiza toksikologjike në Gjermani, analizat preliminare të tyre tregojnë se në ato mostra nuk ka pasur prani të substancave toksike apo kimike”, ka thënë Hoti.

Javë më parë, mbi 100 nxënës të Fushë-Kosovës patën kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të shfaqjes së simptomave, si: pengesa në frymëmarrje, dhimbje koke e barku, plogështi, si dhe shenja të një reagimi kolektiv psikologjik.

Meqë helmimi eventual është përjashtuar, Instituti i Forcave Gjermane ka rekomanduar që të merret parasysh edhe mundësia e panikut.

Sërish Faik Hoti:

“Për më tutje, këto institute kanë rekomanduar evoluimin e mundshëm psikologjik të reaksionit të panikut, që ka qenë i shkaktuar te nxënësit”.

Psikiatri Ferid Agani, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e panikut, siç ka thënë ai, për shkak të moshës dhe ndjeshmërisë emocionale të nxënësve. Megjithatë, ka shprehur dyshime në këtë çështje, për shkak të rasteve të njëjta që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Mundësia teorike ekziston, por ta keni parasysh edhe faktin se situatë të ngjashme kemi pasur edhe në helmimet e vitit 1989, kur kolegët nga Beogradi, që vinin këtu, deklaronin se bëhet fjalë histeri konversive masovike. Ndërsa, më vonë është dokumentuar se shumë prej atyre rasteve kanë qenë helmime me substanca neuro-toksike”, ka theksuar Agani.

Por, me rezultatet e analizave të nxënësve të sëmurë është befasuar edhe Islam Shabani, drejtor komunal për arsim në Fushë-Kosovë. Ai nuk është pajtuar me mundësinë e përhapjes së panikut në shkollën e mesme dhe atë fillore në Fushë-Kosovë.

“Them të drejtën, pak jam i befasuar për shkak se kemi pasur një gjendje bukur të rëndë ato ditë, kur ishin disa raste të nxënësve që papritmas patën disa simptoma të helmimit; ne ashtu dyshuam. Por, prapë nuk duhet të ndërhyj në anën profesionale”, ka thënë Islam Shabani.

Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kërkojë edhe një herë nga autoritetet kompetente rishikimin e analizave të nxënësve që qenë sëmurë.

“Ne kemi të drejtë dhe ndoshta do ta kërkojmë një gjë të tillë, sepse kanë qenë mbi 100 nxënës që kanë pasur simptoma të tilla dhe ne kemi pasur mjaft telashe me ta disa ditë pastaj, të cilët kanë pasur edhe përsëritje. Dhe, sot e asaj dite, ende nuk jemi të sigurt që nuk do të kemi përsëritje tek ata nxënës, që kanë pasur një lloj helmimi, si të thuash”, ka vlerësuar Shabani.

Nxënësit e shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani” dhe asaj fillore “Selman Riza”, në Fushë-Kosovë, në fillim të këtij muaji patën kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të 40 mostrat e nxënësve të sëmurë në dy shkolla të Fushë-Kosovës qenë dërguar për analiza toksikologjike në Gjermani, me ndihmën e Ambasadës në Institutin e Forcave Gjermane.
XS
SM
MD
LG