Ndërlidhjet

Kosova përgatitet për pranim në BERZH


Institucionet kompetente duhet t’i përgatisin procedurat për të aplikuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thonë ekspertë të ekonomisë, të cilët e quajnë të dobishëm anëtarësimin në këtë mekanizëm financiar.



Pas anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, Qeveria e Kosovës duhet t’i përgatisë procedurat për aplikim edhe në institucionet tjera financiare, siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thonë ekspertë të ekonomisë.

Ali Sadria, madje, thotë se Qeveria e Kosovës është vonuar për aplikim në këtë bankë.

“Unë mendoj se, jo vetëm që duhet të përgatitemi sot, nesër, por është dashur të përgatitemi qysh dje. Megjithatë, koha e humbur duhet të përshpejtohet me intensitet”.

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kosovës i është gjetur edhe në momentet më të vështira, edhe kur nuk ka qenë anëtare, sikurse tash, që nuk është anëtare. BERZH-i ka ndihmuar drejt dhe ka nxitur edhe bankat tjera që të jenë afër dhe pranë Kosovës”
, thotë Sadria.

Ministri i parë i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, Ali Sadria, konsideron se përfitimet ekonomike janë të shumta nga anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm.

“Banka Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim, është bankë evropiane dhe përmes saj, Kosova mund të ketë shumë përfitime, jo vetëm nga sistemi financiar kreditor, por edhe në njohjen e rrjedhave dhe proceseve ekonomike në Kosovë”,
vlerëson Sadria.

Edhe ish-ministri tjetër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, pohon se anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion financiar është i dobishëm.

Por, sipas tij, pas anëtarësimit, institucionet kompetente duhet të kenë kujdes për procedurat e kthimit të kredive.

“Unë vlerësoj se është mirë të anëtarësohemi në këtë institucion, sepse mund të ketë dobi. Por, para se të aranzhohet ndonjë aktivitet, apo kontratë, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe të vlerësohet si do të ndikojë ajo në të mirë të Kosovës”
, thekson Shatri.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Pavarësisht faktit se Kosova nuk është anëtare e këtij institucioni, vjet më parë, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur një marrëveshje me këtë bankë, për mbështetje financiare dhe hua për Kosovën.

Ali Sadria, duke e vlerësuar ndihmën e deritashme të këtij institucioni, thotë se anëtarësimi i Kosovës, do të sjellë rezultate edhe më të mëdha.

“Kosova gjendet në pikë mjaft kritike, sepse ndjen mungesë të mjeteve investuese. Proceset në Kosovë, siç po shohim ditë më ditë, po shtrëngohen; zinxhiri ekonomik po shtrëngohet, pikërisht në mungesë të mjeteve që Kosova nuk i ka”,
shprehet Sadria.

Në anën tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave tashmë kanë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet për të aplikuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ende nuk dihet se kur do të aplikojnë në mënyrë zyrtare.

Sidoqoftë, në këtë institucion janë të përfshira 61 shtete dhe dy institucione ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG