Ndërlidhjet

Vetëdorëzohet një i ndërlikuar në rastin “Tisa”


Stacion policor në Prishtinë
Stacion policor në Prishtinë

EULEX-i ka konfirmuar se një person është dorëzuar vullnetarisht në Policinë e Kosovës, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i ka thënë policisë se u ka marrë familjeve që ishin kontrabanduar përtej kufijve nga 6 deri në 8 mijë euro.


Misioni i EULEX-it ka konfirmuar dorëzimin vullnetar në polici të një personi të përfshirë në trafikimin e 19 kosovarëve përmes lumit Tisa.

Bilanci i deritashëm i këtij trafikimi është 3 të vdekur, 16 të zhdukur dhe 3 persona të shpëtuar, gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi – Hungari, përmes lumit Tisa.

“Të shtunën mbrëma, një person erdhi vetë në Policinë e Kosovës, duke deklaruar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i dorëzoi policisë paratë që i ishin dhënë nga viktimat si garanci e pagesës apo si kapar për organizimin e kontrabandimit të tyre”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Hetimet tregojnë që të të dyshuarit i janë paguar prej 6 deri në 8 mijë euro për secilin grup të familjeve, thuhet në komunikatë.

Tani, hetimet janë të përqendruara në identifikimin e personave jashtë Kosovës, që ishin të lidhur me organizatorët e kontrabandimit gjatë kalimit transit të personave përtej kufijve.

Prokurori i EULEX-it, i cili po i udhëheq hetimet, bashkë me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës, tani ndodhen në Hungari, për të mbledhur informacione shtesë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se hetimet po zhvillohen si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

“Ne mund t’ju themi se tanimë dy zyrtarë policorë të shtyllës së hetimeve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë udhëtuar për në Hungari. Ata janë atje, kështu që dërgimi i tyre atje ka qenë që të jemi më të informuar drejtpërdrejt nga ta dhe të shkëmbejnë informacione dhe përvojat e tyre, në mënyrë që të arrihet deri te zbardhja e këtij rasti”, thotë Baki Kelani.

Policia e Kosovës konfirmon se edhe më tej mbeten katër persona të dyshuar për trafikimin e qenieve njerëzore, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë rast dhe policia ka shpallur fletarrestime për ta.

Ndërkohë, policia hungareze ka kumtuar se ka ndërprerë kërkimin e viktimave tjera të mundshme në lumin Tisa. Autoritetet e Serbisë thonë se janë në kërkim të trupave në anën tjetër të lumit, në kufirin serb.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet hungareze dhe nuk kanë konfirmime për ndërprerjen e kërkimeve.

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, ka disa ditë që po qëndron në Hungari dhe nuk ka informacione që autoritetet e këtij vendi i kanë ndërprerë kërkimet.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë deklarim të tillë nga ana e autoriteteve hungareze. Kemi ekipin tonë atje. Ne, si Ministri e Punëve të Jashtme, jemi të rezervuar nga deklarimet për të mos penguar hetimet, për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, thekson Çitaku.

Ndryshe, bazuar në konfirmimet zyrtare, bilanci i tragjedisë në lumin Tisa është 3 persona të vdekur, 16 të zhdukur dhe 3 të mbijetuar. Ky rast është cilësuar si trafikim me qenie njerëzore, kështu që Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë shtrirë hetimet për zbardhjen e rastit dhe kapjen e të dyshuarve për organizimin e trafiqeve me njerëz edhe jashtë kufijve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG