Ndërlidhjet

Thirrje serbëve: Dilni në zgjedhje!


Një grup intelektualësh nga Serbia sërish u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe të bëhen kështu pjesë e institucioneve dhe proceseve politike në Kosovë.



Intelektualë nga Serbia u kanë drejtuar sërish thirrje serbëve të Kosovës që të mos e dëgjojnë Beogradin dhe të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Gjatë një konference të përbashkët të një grupi intelektualësh serbë, të mbajtur në Çagllavicë, është vlerësuar se Plani i Ahtisarit në masë të madhe ofron zgjidhje për problemet, me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë.

Kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se është shumë me rëndësi që serbët të vendosin vetë dhe të jenë faktorë politikë në Kosovë.

“Ne jemi të mendimit se serbët e Kosovës duhet t’i zënë vendet e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të bëhen faktorë politikë dhe të jenë në gjendje t’i marrin vetë vendimet për të ardhmen e tyre”, tha Biserko.

Ndërkaq, avokati nga Beogradi, Dragolub Todoroviq, akuzoi jo vetëm politikanët, por edhe shoqërinë civile në Serbi, se pa asnjë arsye, në formë stereotipi, janë shprehur kundër Planit të Ahtisarit, të cilin ai thotë se Beogradi as që e ka studiuar ndonjëherë se çfarë përmbajtjeje ka.

“Jam i sigurt se as politikanët serbë, as publiku serb, nuk dinë se çfarë përmban Plani i Ahtisarit, por janë kundër tij”, tha Dragolub Todoroviq, sipas të cilit, serbët e Kosovës duhet të marrin vendin që u takon në kuadër të vetëqeverisjes lokale, siç mundësohet edhe me Planin e Ahtisarit.

Kurse, publicisti serb, Dragan Kovaçeviq, tërhoqi një paralele në mes serbëve të Kroacisë, që në këtë mënyrë kishin refuzuar daljen në zgjedhjet kroate dhe tashmë, sipas tij, ata ndihen të margjinalizuar.

Andaj, ai tha se serbët e Kosovës nuk duhet ta përsërisin gabimin e njëjtë.

“Është shumë me rëndësi që serbët t’i pranojnë këto procese dhe të jenë pjesëmarrës të kësaj loje, sepse ai që nuk merr pjesë, të jeni të sigurt se do të jetë i humbur dhe i zhdukur nga çdo proces”, tha Kovaçeviq.

Thirrjeve drejtuar serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, tashmë u janë bashkëngjitur mbi 90 intelektualë nga e gjithë Serbia.

Ndryshe, një interesim më i madh i serbëve për zgjedhjet lokale të Kosovës vërehet në pjesët qendrore e lindore të Kosovës, përderisa në veri nuk janë dhënë shenja e as mesazhe politike se ky komunitet do të dalë në votime më 15 nëntor.
XS
SM
MD
LG