Ndërlidhjet

Koalicionet e balotazhit


Më 13 dhjetor pritet të zhvillohet balotazhi për kryetarë në 20 komuna të Kosovës. PDK thotë se nuk përjashton asnjë koalicion, por beson se kandidatët e saj mund të fitojnë edhe si parti e vetme. LDK dhe AAK paralajmërojnë koalicione para raundit të dytë të votimeve në nivelin lokal.


Balotazhi për zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të zhvillohet në 20 komuna. Në këtë proces, parashihen votimet për kryetarët e komunave, pasi që në raundin e parë kandidatët nuk kishin siguruar mbi 50 për qind të votave të elektoratit.

Partitë politike janë duke u përgatitur për procesin shtesë, përfshirë dhe koalicionet ndërmjet tyre.

Partia Demokratike e Kosovës hyn në balotazh në numrin më të madh të komunave. Nënkryetari i saj, Hajredin Kuçi, thotë se PDK-ja nuk ka paragjykime për asnjë parti politike dhe do të bashkëpunojë. Por, sidoqoftë, ai pret që edhe pa koalicione, kandidatët e kësaj partie të shënojnë fitore nëpër komunat ku kanë mbetur në garë.

“Në vendet ku jemi në balotazh, në 90 për qind prej tyre kemi përparësi dhe jemi partia e parë. Jo vetëm që jemi të parët, por kemi edhe diskrepancë të madhe me kandidatët tjerë”.

“Jemi të hapur për të gjithë; nuk jemi parti që refuzojmë individë apo parti tjera politike, por çdo marrëveshje ne do ta bëjmë në mënyrë transparente dhe në dobi të qytetarëve të komunave, ku bëhet një gjë e tillë. Besojmë që do të dalim fitues në çdo komunë ku jemi në balotazh, ngase është përparësia edhe elektorale, por edhe e kandidatëve tanë”,
shprehet Kuçi.

Kandidatët e PDK-së kanë fituar në pesë komuna, ndërsa janë në balotazh edhe në 13 komuna të tjera.

Përderisa në nivelin qendror Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në koalicion qeverisës, raportet ndryshojnë në nivelin lokal.

LDK, si partia e dytë e konfirmuar nga rezultati preliminar, e përjashton vetëm koalicionin me PDK-në, parti këtë që e sheh më shumë si konkurrente, sesa partnere.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pret që LDK-ja të fitojë në nëntë komuna.

“LDK-ja do të hyjë në koalicione me qytetarët e Kosovës. Formula e koalicioneve me qytetarët, neve, për 2 vjet, na ka konfirmuar rritje jashtëzakonisht të madhe në Prishtinë. Ne u kemi bërë ofertë të gjithëve që janë të gatshëm të hyjnë me LDK-në”.

“Ajo që duhet sqaruar, është se LDK-ja me PDK-në janë konkurrente në të gjitha komunat dhe ne nuk kemi asnjë arsye dhe asnjë motiv dhe e kemi sqaruar se për 1 muaj nuk do të jemi në koalicion lokal me ta
”, thekson Haziri.

LDK-ja ka fituar në tri komuna, ndërsa është në balotazh edhe në 11 të tjera.

Një parti politike që shprehet e gatshme për koalicione me LDK-në, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se me LDK-në i lidh orientimi i qendrës së djathtë politike.

“AAK-ja është deklaruar qartë si parti e qendrës së djathtë dhe vetvetiu kjo nënkupton se do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë e spektrit të djathtë, të qendrës së djathtë në Kosovë dhe ky është bashkëpunim i natyrshëm”.

“Mendojmë se një bashkëpunim i mirë do të ndodhë me LDK-në dhe e presim një bashkëpunim të tillë, mirëpo, përsëris, ka edhe elemente tjera të spektrit që përshtaten me aspektet dhe bindjet ideologjike të AAK-së
”, thotë Gjini.

Kandidatët e AAK-së për kryetarë kanë fituar në katër komuna, kurse janë në balotazh në shtatë komuna tjera.

Ndërkohë, koalicioni AKR-LDD nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë në raundin e parë. Por, kandidatët e këtij koalicioni kanë mbetur në garë në tri komuna.

Ibrahim Gashi, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, pret që bashkëpunimi mes këtyre dy partive politike të vazhdojë edhe gjatë balotazhit.

“AKR-ja, në komunat ku është në balotazh, sigurisht se do të marrë mbështetje në radhë të parë nga LDD-ja dhe do t’i japë mbështetje LDD-së aty ku ajo është në balotazh, konform marrëveshjes për mbështetje reciproke të kryetarëve”.

“Por, konsideroj se nuk mund të kemi një qëndrim union për të gjitha komunat, sepse mbështetjen duhet ta kërkojmë varësisht se kush është i treti, i katërti nëpër komuna”,
thotë Gashi.

Garat kryesore në balotazh pritet të zhvillohen nëpër komunat e mëdha, si: Gjilani, Prizreni, Mitrovica e Peja, ndonëse partitë politike janë deklaruar se do të kenë një angazhim të njëjtë në secilën prej komunave që ka shkuar në balotazh.
XS
SM
MD
LG